0Shares

Rigels Lenja

Prej gati 27 vitesh, SHBA-të kanë luajtur të vetëm (në shumicën e rasteve), rolin e “policit botëror”. Shumëkush do thoshte se SHBA-të nuk janë asgjë më shumë se sa një fuqi neo-imperialiste, duke e mbështetur këtë ide tek zhvillimet e luftës së Vietnamit (1955-1973), Afganistanit (2001-) dhe Irakut (2003-). Tri frontet ku SHBA-të duket se kanë dështuar për t’i përmbyllur me fitore: në të parën luftën ndaj “djallit” të kuq dhe në dy të tjerat ndaj terrorizmit.

A është sot Amerika një fuqi që po priret drejt vetizolimit?

Diplomacia amerikane e ka treguar këtë në të paktën dy raste. Vendosja e tarifave dhe barrierave ekonomike ndaj aleatëve të saj, si: BE, Japoni, Kanada, Meksikë apo fuqive në rritje, por rivale, si Kina. Një dëshmi se SHBA-të po priren të izolohen në planin e shkëmbimeve ekonomiko-financiare, që automatikisht sjell izolimin politik.

Së dyti, tërheqja e SHBA-së nga Siria jo vetëm i hapi rrugë për fuqizimin e mëtejshëm të Iranit, Rusisë dhe Turqisë. Por, tregoi një lodhje të publikut amerikan nga luftërat e gjata, që deri diku nuk e rrezikojnë në mënyrë direkt tokën amerikane.

Vakumi që mund të lërë tërheqja amerikane nga arena botërore, sigurisht do të kërkohet të mbushet nga fuqi të tjera.

Po kush janë fuqitë që rivalizojnë për të marr rolin e liderit botërorë?

Duket se në “pole-position” janë Kina dhe Rusia. Dy fuqi me një civilizim të hershëm dhe me të shkuar imperialiste. Problemi më i madh i këtyre dy vendeve është se nuk janë as vende të lira dhe as demokraci të mirëfillta.

SHBA-së megjithëse mund t’i veshim shumë kritika, ka disa elemente që e bëjnë atë ndryshe nga çdo fuqi e mëparshme me rol botëror. Së pari, SHBA-të janë një demokraci e konsoliduar. Është nga ato vende, ku gjykatat kanë fuqi të kthejnë mbrapsht apo të rrezojnë, vendime të presidentit apo Kongresit. Gjë e cila është praktikisht e pamundur të ndodhë në rastet e Kinës apo Rusisë. Së dyti, SHBA-të kanë eksportuar në botë jo vetëm armë, filma dhe produkte ushqimore por, edhe një model shoqëror dhe kulturor. Aq sa dhe Amerika u quajt “land of dreams”.

Sigurisht, edhe vendet e BE janë demokraci të konsoliduara dhe me të shkuar aktive në arenën ndërkombëtare. Mes tyre shquhem Franca, Britania e Madhe dhe Gjermania. Por, realisht e kanë të vështirë, të përballen direkt me fuqi si Kina apo Rusia. Kjo u dëshmua në rastin e krizës së Ukrainës në vitin 2014, kur Kancelaria Gjermane u detyrua të thërrasë në ndihmë amerikanët, për të përballur Rusinë, në tentivën e kësaj të fundit për të mos rrëzuar presidentin Ukrainas pro-rusë Janukoviq. E njëjta histori u përsërit me rastin e liderit libian Gedafi. Franca dhe Britania, nisën të parat “kryqëzatën” për rrëzimin e tij, por shpejt u detyruan të kërkonin edhe ato ndërhyrjen e SHBA-së. Në 60 vitet e fundit, Franca dhe Britania, kanë ndjekur me apo pa dëshirë, çdo vendim që ka marr nga Washingtoni, duke patur pak ndikim në çështjet me rëndësi globale.

Amerika është treguar së paku dy herë shpëtimtare për Evropën dhe botën, herën e parë kur vendosi të hynte në Luftën e Parë Botërore, në vitin 1917 duke sjellë fundin e luftës dhe paqen.

Dhe, së dyti, në mposhtjen e nazizmit. Shumë gjeostrategë dhe studiues, e kanë provuar se pa ndërhyrjen e SHBA-së, Lufta e Dytë Botërore, në rastin më të keq do ishte fituar nga nazistët ose në rastin më të mirë nazistët do ta humbitnin luftën, por ajo do të zgjatej më shumë në kohë, me dëme të pariparueshme edhe për ditët e sotme. Në të dyja luftërat duhet theksuar se angazhimi amerikan, u ndërmor me thirrje të vazhdueshme nga fuqitë evropiane.

Megjithëse duket e vështirë, një largim kaq i shpejt i amerikanëve nga kontrolli botëror, pas kaq shumë vitesh investime. Po ashtu është e pamundur që vakumi i lënë nga një largim amerikan, të mbushet nga një fuqi e vetme. Në rastin më të mirë, kjo do të çonte në një copëzim të kontrollit botëror që thjesht do na kthente në një situatë të ngjashme me atë të para-Luftës së Parë Botërore.

Të Ngjajshme
Shfaq Komentet (0)