LAJMI I FUNDIT:

Pse Rusia po kërcënon me largim nga Marrëveshja e Grurit e Detit të Zi?

Pse Rusia po kërcënon me largim nga Marrëveshja e Grurit e Detit të Zi?

Ka pasur shumë kritika nga Kremlini në lidhje me Marrëveshjen e Grurit e Detit të Zi, duke kërcënuar se do të largohet nga kjo, por çfarë është saktësisht kjo dhe pse Rusia po pretendon se po i shkakton probleme?

Marrëveshja, e ndërmjetësuar korrikun e vitit të kaluar nga Turqia dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara, mundëson eksportin jetik të grurit nga portet e Detit të Zi të Ukrainës në tregjet botërore nëpërmjet inspektimit të përbashkët të anijeve në Stamboll.

Diskutimet për zgjatjen e kësaj marrëveshje përtej 18 majit, do të zhvillohen javën e ardhshme, mirëpo Ministria ruse e Mbrojtjes ka kërcënuar se do ta braktiste atë, duke e akuzuar Ukrainën se po përpiqet t’i sulmoj anijet e saja në Detin e Zi.

Kreu i Unionit rus të Grurit pretendon se marrëveshja nuk i ka sjellë asgjë pozitive Rusisë.

Sipas zëdhënësit të Kremlinit, Dmitry Peskov edhe pse ka kaluar shumë kohë, marrëveshja ende nuk është zbatuar.

“Pavarësisht faktit se ka kaluar kaq shumë kohë, marrëveshja ende nuk është zbatuar, ajo nuk është sikurse një paketë, kushtet të cilat kishim interes, ende nuk janë realizuar”, tha Peskov.

Ai shtoi se “rrethanat nuk janë në favor të Marrëveshjes së Grurit”, por se Kremlini do të vazhdojë të vëzhgojë situatën në terren.

Ndërkohë, këshilltari i Presidencës së Ukrainës, Mykhailo Podolyak ka mohuar se Kyivi po përdor korridorin e grurit për të sulmuar anijet ruse, duke shtuar se Moska po kërkon të diskreditojë këtë vend.

Një zyrtar i lartë ukrainas shtoi se për të përmirësuar dhe zgjeruar eksportin e sigurt të grurit nëpër Detin e Zi, komuniteti ndërkombëtar duhet të bëjë presion kolektiv ndaj Rusisë. /Telegrafi/