LAJMI I FUNDIT:

Pse nuk jam marksist?

Pse nuk jam marksist?

Nga: Branko Merxhani (botuar më 1937)

… Unë jo vetëm se nuk jam anëtar i parimeve doktrinare të shkollës Marksiste, por jam edhe anti-kumunist. Hem si njeri mendimtar, hem, dhe bile shumë më tepër, si njeri – shqiptar. Jo vetëm në lëmin e shkoqitjevet theorike, por edhe në pikpamjet politico-shoqërore të zhvillimit ndërkombëtar, unë nuk jam nga ata që pranojnë thezën se gjoja bota e qytetëruar e sotëshme është ndarë në dy fronte ideollogjike që luftojnë njëri tjetrin gjer në pikën e fundit. Bota e sotëshme, ashtu siç e shoh unë, është ndarë jo në dy, por në tre fronte ideologjike; pjesa e tretë, pjesa më e madhe, më e shëndoshë, më impozante, mbeti besnike ndaj parimeve të Demokracisë përparimtare dhe kapërcen me fuqi dhe me vullnet gjithë tronditjet dhe tërë nervozitetet që shkaktoi lufta ndërkombëtare e periodës 1914-1918 në struktura shoqërore të popujve të mëdhenj që muarnë pjesë n’atë ndeshje më të tmerrëshme të së gjithë historisë së njerëzimit. Dhe jam i bindur se popujt e qytetëruar, popujt e mbrumbur dhe të ritur brenda njëj tradite të gjatë zhvillimi cultural, nuk mund t’i sakrifikojnë për hirë të një aksidenti katasrofal, siç është çdo ndeshje luftarake. Lirit të tyre të shtrenta dhe të shenjta për fitmin e të cilave derdhën pjesën më fisnike të gjakut të tyre bres pas brezi botëra të tëra. Kjo është bindja e ime e pa tundur.

Një nga pretendimet e marksismit, ndofta jo nga më themeloret, por nga më të përshtatshmet për të rekrutuar anëtarë, ësht ky:

– Dy të tretat e fitimevet të popullit shkojnë nëpër duart e një të pestës së popullsisë së një vëndit.

Shkenca ekonomike dhe statistikat provuan që në krye gabimin e këtij pretendimi. Statistikat që janë bërë me metodën shkencore më të përsosur në këto kohë të fundit nxuarrnë në shesh analogjin e shtimit të pasuris së të varfëvet në rast se fitimet e të pasurve do të përndaheshin popullit. Kjo llogari nuk është një pun‘ e lehtë. Por përfundimi i saj është kaq i hapët dhe kaq kategorik sa që edhe ato pika të pakta që mund të bisedohen nuk kanë pasur fuqin që të influencojnë gjykimin t’onë të fundëm. P. sh. Sociologu gjerman Reiners shumë kohë më parë provoi se në qoftë se fitimet që kapërcejnë 8000 mark në vit do të shpërndaheshin midis atyreve që janë të shtrënguarë të punojnë për bukën e gojës, fitimi i përditshëm i këtyre të fundit nuk do të shtohej më tepër se vetëm me një përqindje minimale e 0,19 mark. Me këtë rast shumë në Gjermani nuk mund të blehen as edhe katër cingare. Pra Marksismi nuk ka gjetur aspak “ilaçin për të zhdukur nga mesi varfërin”…

Nga ana tjetër prapë statistikat na mësojnë, me një mnyrë që nuk lë as edhe dyshimin më të vogël, se në çështjen e sigurimit të miravajtjes së një populli, një nga faktorët që lozin rolin e parë është përdorimi dhe përparimi i Teknikës. B. f. në Shtetet e Bashkuara t’Amerikës, ku Teknika ka arritur kulmin, që nga viti 1919, prodhimi kombëtar ësht shtuar 42%. Influenca e madhe dhe kategorike që ka organizimi teknik mbi shtimin dhe mbi rregullimin më të mirë të pasuris së një populli mund të mirret vesh edhe nga disa krahasime të vogla të tjera. Simbas statistikave gjermane -jo të kohës hitleriane- prodhimi mekanik vjetor që bie për çdo frymë n’Amerikë është 99 RM. Kurse në Kinë, vend primitiv dhe pa farë teknike, është vetëm 0, 20 RM. Në Shqipëri po thua 0.

Një argument tjetër i Marksismit, nga ata që ka marrë në qafë dhe që ka sjellur verdall mendjen e shumë njerëzvet, është ky:

– Regjimi më i fortë i kësaj theorije ka qenë i famëshëmi Kautzky. Mirë po statistikat provuan të kundërtën. Industria e vogël kudo dhe kurdoherë mundi të mbrojë vehten e vet dhe bile shumë bukur. Me një mënyrë të përgjithëshme mund të themi se industria e madhe është e vendosur kurdoherë pranë industries së vogël, kudo që ndodhej një industri e tillë. Industria e madhe është një çpikje e kohëravet të reja: është një burim i ri për pasurin kombëtare. Asgjëkundi nuk u zhdukën sipër -marrjet e vogla. Pastaj ç’rëndësi ka për Ekonominë kombëtare të një populli në se industria është e madhe apo e vogël? Puna qëndron gjetiu: Për makinavet, një punë kjo që mvaret jo nga kadrua formal i veprimit industrial, por nga disa kushte të veçanta, se bie fjala lloi dhe shkalla e organizimeve tregtare dhe teknike. Këto kushte ndryshojnë simbas kategoris s’industries. Kurse Filosofia marksiste nuk lë asnjë çështje pa e future nën klishen e saj të përgjithësimit. Kërkon që disa formula ndërkombëtare, që paska çpikur, të zbatohen një lloi në tërë ngjarjet dhe çështjet. Studime krahasore ekonomike dhe përfundime të gjyrmimeve të bëra mbi zbatimin e Theorisë së Analogjis kanë mposhtur gjithë këto “zgjidhje shpëtimtare” të marksismit si kërpudha të dobëta dhe t’ushqyera mangut të arës ideologjike të njerëzimit. Shifrat që do të shohim në paragrafin që vijon do të na e mbushin kokën.

Ja edhe një tjetër pretendim marksist dhe bile një nga më themelorët:

– Fitimet e kapitalistëve shtohen gjithënjë; kurse mëdijet e punëtorëvet ulen.

Ja si e përmbledh edhe gjendjen e vitit 1932, Hekner- i, prapë një nga shkencëtarët me autoritet. “Pretendimet se gjoja grumbullimi i kapitalit në njërën anë, shkakton shtimin e mizerjes s’anës tjetër”, është një gjë krejt absurde dhe bie në kundërshtim flagrant me ngjarjet e rjedhëshme. E vërteta është kjo: Sa më tepëre përparon koncetrimi i kapitalit aq më tepër përmirësohet edhe gjënja e puntoris”.

Theorisienët që mbrojnë thezën marksiste thonë: “Një punëtor ka të drejtë të mendojë se nga puna e tij pasurohet vetëm kapitalisti dhe në qoftë se nuk shtohet edhe mëditja e tij analogjikisht me shtimin e fitimit të kapitalistit etj., e tjera” Mirë po gjithë kjo leteraturë kryengritëse nuk beri pothua asnjë efekt mbi shpirtin e punëtorit. Punëtori amerikan dhe evropian sot është në gjëndje të çmojë më mirë nga çdo kush tjetër gjëndjen e vet ecën mirë nuk merr vesh asgjë nga kontrastet shoqërore që i përshkruan me ngjyra kaqë të tmerrëshme theorisieni marksist dhe nuk ndjen asnjë dëshirë që të shkojë pas thirrjeve kryengritëse të tij. Në qoftë se punëtori ndodhet me të vërtetë në një gjëndje miserable, atëhere vetëm një efekt mund të ketë kjo ndodhje: Mizerja do të bëhet Ideologji dhe rryma revolucionare e proletariatit do të shkojë duke u shtuar. Mirë po një proletar mizerablë si do të jetë në gjendje të realizojë detyrat e larta që i ngarkon Marxi? Nga mizerja vetëm një gjë del: Mizerje!…

Tani le të flasim pak dhe mbi shëmbëllën e Rusis sovjetike. Rusia e kohës së Carëve ka qenë një vend që ndodhej jashtë kuadros evropjan. Ronte ende në epokën feodale dhe sepotike, epokë nga e cila Evropa evropiane kishte dalë dhe kishte shpëtuar të paktën dy shekuj më parë. Prandaj një krahasim midis Rusis cariste dhe Rusis bolshevike s’ka asnjë vleftë për një kritikë reth parimeve doktrinare të Marksismit. Marksismi lindi n’Evropë bashkë me një tokë theorirash të tjera, dhe fati i tij do të provohet prapë në vënd-lerjen e vet. Një shkrimtar frëng Charles Louis- Philippe, pritëka ardhjen e Barbarëve. Rrugat që kryqëzohen midis Petersburgut carist dhe Moskës bolshevike, si dhe stepet e pafundëshme që shtrihen në të dy anët e Uralëvet, janë grykat e kalimit nga ku shkuan tufa- tufa çeta aventurierësh që plaçkitnin çdo gjë që u dilte përpara. Udhëtarët që sot kalojnë nëpër këto rruga s’kanë asgjë me vehte që bie ndër mend fytyrën e shokëve të tyre të vjetër. Kohët ndryshuan. Ata që pritën dikur n’Evropë ardhjen e Barbarëve mbetën gojë-hapët. Nga asnjë anë nuk u dukën Barbarët. Përkundrazi nëpër stepet ruse u hapën rrugat, u shtruan vija hekuri, dhe këtej futën në thellësit e Asis tej-për-tej çpikjet mekanike, tymet e fabrikavet dhe bashkë me ‘to edhe karavane iderash të tëra që mbajnë me vehte palçkat e tepëruara, skartat, të super-produksionit ideologjik të popujve t’Evropës. Drejtimi i rrugës shkon nga Perëndimi në Lindje. Nuk është Asia Perëndia e dheut që cakton typin e qytetërimit të Botë. Ndofta kështu ka qenë dikur. Në kohë shumë të lashta. Sot nuk është më. Siç duket këtu kanë për t’arritur më së fundit punët: Asia do të evropaizohet- si b. f. janë duke e evropaizuar, simbas tempërameteve të veçanta të popujve të tyre, Turqia, Persia, Kina edhe… Rusia vet !

Sido kudo Bolshevizmi është një prodhim rus dhe s’mund të ketë veç se edhe një shvillim rus. Atje, kush e di, mund të kenë ndryshuar shumë gjëra. Por Dhespotismi mbeti. Dhe gjer sa nuk do të çkulet nga vendi i tij ky armik i tmershëm i çdo përparimi dhe i së vërtetës, nuk do të jet’e mundur të mësonjë diçka të sigurt mbi gjëndjen e atij vendi. Atje çdo gjë është edhe një eksperiment dhe çdo eksperiment është një problem i s’ardhmes. E ardhmja! Ja gogoli Bolshevik! Thonë disa: “Qeveria bolshevike për hirë të lumturis të brezave t’ardhëshme sakrifikon jetën dhe lumturin e brezave të tanishëm”. Mirë po këta harrojnë se Marksistë kanë qenë prapë ata që kritikuan ashpërsisht kapitalistët e pafajshëm? Se u sakrifikuan breza të tëra punëtorësh që të sigurojnë t’ardhmen e punëtorëvet të sotshëm t’Anglisë ?…

“Nënpunsat e një Qeverie dhespotike, thonë Marksistët, kanë një zotsi teknike më të lartë dhe janë në gjendje ta mendojnë më mirë jetën dhe lumturin e punëtorëve”.

Prrallë! Qytetrimi i Evropës ka 2000 vjet që provoi me fakte dhe argumenta që s’mund të rrëzohen se zotsia nuk është një vlerë e prerë. Është një vlerë shum’e veçantë dhe shumë relative. Qysh prej kohës së Sokratit mëndja njerëzore njeh se te një kapitan i një anije, te një mjek, te një makinist, gjenden veç e veç vlerat dhe sotësit e ndara dhe të ndryshme. Nënpunsat e shtetit janë jo vetëm nënpunsa të shtetit, dhe aq. Që të bëhesh një reformator i shkëlqyer, veç zotësive teknike të mëdha, duhet të kesh edhe një fuqi imagjinare të vrullshme, por edhe diçka tjetër. Zotësin që të mos rrëmbehesh shpejt e shpejt nga gjërat fantastike dhe nga ëndërrimet sentimentale!…

Regjimi Bolshevik paska si qëllim kryesor të zhdukë regjimin kapitalist t’Evropës. Ëndër! Bolshevizmi rus s’është gjë tjetër veçse një mënyrë zbatimi ruse që ka si qëllim të futij në Rusi metodat kapitaliste t’Evropës. Ndryshimi në mes është në mënyrën me të cilën zhvillohet ky proces, i cili atje kërkon rrugat që të pajtohet me temperamentin e vëndit. Bolshevizmi që të vërë në dorë mjetet e punimit që përdor kapitalizmi evropian dhe gjer më sot viktima të tmershme dhe therorizoi me miliona frymë njerëzish. Në realitet Marksismi nuk mohon aspak vlerën e regjimit kapitalist. Vetëm pretendon se methodat e tij shtojnë rrymën e papunësis. Pse? Regjimi kapitalist nuk paska qënë i zoti të sigurojë ekuilibrin midis prodhimit dhe nevojës; vetëm Marksismi qënka në gjëndje të bëjë këtë gjë; në qoftë se në Rusi nuk u sigurua ende, do të sigurohet brënda 4, 5 ose 30 vjetëve me doemos! – Ka kush që do të na kallëzojë dikur prallën e këtyre profetiave: Historia.

A doni që t’ju thom edhe një gjë tjetër? Dëgjoni: Unë nuk e pranoj se gjithë faji dhe përgjegjësia e turbullimeve që sot kalon bota dhe gjithë krizat ekonomike, të mëdha e të vogla, është e drejtë t’i ngarkohet kurrizit të qytetërimit evropian ose edhe vetëm regjimit kapitalist. Të tilla trubullmie ngjajnë edhe në prehrin e Natyrës së lirë dhe janë shumë më të rëndësishme. Jeta e shtazëve t’egra është një luftë e pambaruar ndaj fuqive të Natyrës. Ndryshimet trubullonjëse, tronditjet, vuajtjet dhe krizat në historin e Evropës nuk filluan të çfaqen vetëm atëherë kur doli në shesh sistemi i tanishëm, as edhe kur u dëgjua për herë të parë emëri “kapitalist”. Kapitalismi arriti në kulmin e tij më të lartë brënda në këtë 150-vjetorin e fundit. Periodat e mëparëshme b. f. gjithë epoka mesjetare, kush mund të na thotë se kaluam pa trubullime? Historia është e hapët dhe mjafton të krahasojmë ngjarjet: Në kohët mesjetare popujt e Evropës pësuan një tok rrëzime dhe vuajtje dhe bile shumë më të tmerrëshme nga ato të sotëshmet. Gjithashtu edhe historia e popujve t’Asisë ësht’e mbushur krejt me një tok ndryshime, qoftë shkatërimtare qoftë ndërtonjëse, që u shkaktuan nga një varg të tërë kushtesh natyrale ose edhe temporale. Qytetërimi evropian, në krahasim me epokat e vjetra të qytetërimeve, mundi të gjejë mjete më të përsosura dhe të realizojë përparime kolosale më pemë-dhënëse për të luftuar me më tepër fitime këto rryma shkatëronjëse ose edhe ndaj përfundimeve të këqija të këtyre trubullimeve. Këtu, rreth kësaj pike themelore, përmblidhet tërë rëndësia e problemit. Midis botëkuptimit evropian dhe botëkuptimit Marksist ka një ndryshim në themel. Të dy këta pika botëkuptime nuk ndahen vetëm në punë e përshkrimit të historis ose edhe të komentimit të përfundimeve të qytetërimeve të ndryshme, por ndahen në një pikë shumë të mëparëshme, ndahen në parimet që shërbejnë si bazë studimi rreth problemave të jetës dhe rreth fatit të botës. Nëse Marskistët pandehin se kanë zgjidhur problemin e ekuilibrit brënda në shtet ose në se predikojnë se paskan zbuluar çelsin e çuditshëm të parrajsit t’ardhshëm, mua më duket se tërë këto trumbetime dhe paralajmërime s’janë tjatër veç se vjellja e injorancës së tyre. Ose shumë-shumë bëjnë gabimin e pafalshëm të lënë krejtë mënjanë pjesën me të madhe të faktorëve që shkaktojnë dhe përfundojnë zhvillimin e ngjarjevet njerëzore.

Ideali i Evropës, methodat e punimit t’Evropës frymëzohen nga parimet e liris, të personaliteti të varietetit dhe përmbi çdo gjë tjetër nga parimi i “ndarjes së punës shoqërore”. Dhe nga ky shkak të gjithë problemat që paraqet jeta shoqërore evropiane ose edhe e evropianizuar, pa përjashtuar edhe problemin të ekuilibrit në Shtet, janë probleme të koklaviturë që s’mund t’ zgjidhen menjëherë. Një filosof engles shkruante pak kohë më parë: “Në se kohët janë të këqija, në se njerëzit mbetën pa punë, në se djemt nuk gjejnë gjë për të shuar urinë e tyre, njerëzimi është sëmur. Emëri i vërtetë i kësaj sëmundjeje është injoranca”…

Ndryshimet shoqërore nuk mund të parashikohen as të shmangen. Gjithashtu edhe sëmundjet Kjo është një nga të vërtetat e para që njeh bota. Të paktën Evropa ka disa shekuj që provoi trupin e vet qënien dhe vuajtjen e kësaj së vërtete. Rusia u mundua shumë të përhapij gjëmimin revolucionar ndërkombëtar që prej kufivet të sajë perëndimore gjer në bregdetet e Atlantikut. S’bëri gjë. Ose bëri vetëm këtë: Thelloi më tepër hendekun e ngatresavet midis popujvet, madhëroi dallgën e mizerjes dhe në disa vënde të perëndimit shkaktoi një kthim – qoftë edhe të përkohshëm – në kohët mesjetare. Por a nuk do të ishin njohur dhe do të kishin arrijtur në një marrëveshje popujt e tyre më lehtë nëse rryma demokratike e Evropës do të kishte ndjekur rrugën e saj pa patur vështirësirat që duallnë mu në gjirin e vet? Të paktën kemi para nesh një shëmbëll mjaftë me rëndësi që na jep besimin se popujt mund të kuptojnë shumë më mirë një Evropë të çliruar prej idherave të huaja: Asia sot arriti të kuptojë se methodat e punimit evropian mund të zbatohen në çdo kënd të botës dhe që përdoren prej tërë popujvet; kudo që janë pranuar këto methoda suallnë përfundime të mira dhe të shkëlqyera. Kjo është e majaftuarshme sot për sot. Është një çapë përpara. Një çapë që s’mund të mbetet e mbërthyer atje ku arriti. Do të vazhdojë edhe më përpara. Do të vijë dita të cilën bota mbarë do të kuptojë më mirë parimet e Fesë së Lirisë, atë gjë që një Kanti e quajti “Feja e Vërtetë”. Dhe ata nga bëshkatdhetarët t’anë që kanë nëpër dejt e tyre disa pika gjaku fisnik dhe në shpirt ambicjen të punojnë dikur që të nxjerrin gërmadhën t’onë nga pellgu i varfris mendore dhe i mizerjes lëndore, le të përpiqen të mësojnë përmënç dhe të çajnë në thellësit e zemrave të tyre me një dorë që nuk dridhet para punës së tmerëshme që i pret, këtë varg të pavdekshëm të Goethe-s:

“We immer strebend sich bemuht,
Den konnen wir erlosen”!

Pa një përpjekje të tillë nuk ka Shqipëri! Ndryshe le të përgatitim që tani trasat t’ona. Toka e Evropës u ngushtua shumë. Për parasitët vetëm një fat është shkruar: Pas prishjes primitive historike vjen katastrofa moderne historike. Dhe atëhere plaçkat në krah dhe mbeç t’u mirë o Vatan!