Ushtrimet fizike janë shumë të dobishme për lëkurën. Ato rrisin qarkullimin e gjakut në të gjitha organet – përfshirë edhe lëkurën – duke e furnizuar atë me oksigjen dhe lëndë ushqyese. Por nëse ushtroheni me fytyrë të lyer plotësisht me grim, mund të dëmtoni shëndetin e lëkurës në vend që ta përmirësoni.

Për të kuptuar se si ndikon grimi në lëkurë gjatë aktivitetit fizik, studiuesit aplikuan një fondatinë kremi të një marke të zakonshme në zonën e ballit dhe poshtë syve tek 43 studentë universitarë. Gjysma e poshtme e fytyrës së secilit pjesëmarrës u la pa grim. Më pas, të gjithë studentët vrapuan në një pistë për 20 minuta.


“Hipoteza jonë ishte se grimi mund të bllokojë poret pjesërisht ose plotësisht. Meqenëse poret janë të rëndësishme për avullimin e djersës dhe largimin e papastërtive, grimi mund të ndikojë negativisht në shëndetin e lëkurës,” shpjegon Sukho Lee, profesor në Universitetin Texas A&M-San Antonio dhe autor kryesor i studimit të publikuar në Journal of Cosmetic Dermatology.

Lëkura luan një rol thelbësor në rregullimin e temperaturës së trupit – sidomos gjatë ushtrimeve, kur rritet rrahja e zemrës dhe përshpejtohet metabolizmi. Hapja e poreve për të lejuar daljen e djersës është një nga mënyrat kryesore me të cilat trupi çliron nxehtësinë e tepërt.

Duke përdorur një pajisje që skanon lëkurën për të matur nivelin e lagështisë, sasinë e yndyrës dhe madhësinë e poreve, studiuesit krahasuan pjesët e fytyrës me grim dhe pa grim. Niveli i lagështisë ishte më i lartë në anën me grim sesa në anën pa grim. Edhe pse kjo mund të duket pozitive, në fakt tregon një efekt negativ të fondatinës. “Lagështia në sipërfaqen e lëkurës është shenjë e avullimit të dobët, prandaj një sasi e madhe lagështie nuk është tregues i mirë, pasi ajo duhet të avullojë,” shpjegon Lee.

Poret ishin më të vogla në zonat ku ishte aplikuar grim, çka tregon se lëkura nuk ishte në gjendje të hapej siç duhet për të rregulluar lagështinë dhe për të larguar yndyrën dhe papastërtitë.

Niveli i sebumit (yndyra natyrale e lëkurës) ishte gjithashtu më i lartë në anën me grim krahasuar me anën pa grim. Sebumi lidhet me grumbullimin e papastërtive, pluhurit dhe baktereve në lëkurë, gjë që mund të kontribuojë në probleme si aknet. Nga ana tjetër, niveli i yndyrës së lirë ishte më i ulët në zonën me grim, por arsyeja për këtë nuk është plotësisht e qartë. Është e mundur që fondatina të ketë ndërhyrë në aftësinë e lëkurës për të rregulluar prodhimin e yndyrës.

Gjetjet e studimit ngrenë pikëpyetje edhe për produkte të tjera që aplikohen në fytyrë, si kremi kundër diellit, i cili është krijuar për të formuar një shtresë mbrojtëse ndaj rrezeve UV. Me ndihmën e dermatologëve, Lee shpreson ta zgjerojë studimin për të përfshirë lloje të tjera fondatine me përbërës të ndryshëm – si formulat pa yndyrë – si dhe kremra kundër diellit, për të përcaktuar se si ndikojnë këto produkte në lëkurë gjatë ushtrimeve fizike.