Pse kursimtarët evropianë po 'humbasin' para?

Drejtori i Përgjithshëm i Shoqatës Evropiane për Fondet dhe Menaxhimin e Pasurive, Tanguy van der Werve, i tha Euronews se kursimtarët evropianë po humbasin mundësinë e tyre më të madhe për të krijuar pasuri.
Shumica e evropianëve ende preferojnë të mbajnë paratë e tepërta në llogari kursimi - veçanërisht krahasuar me amerikanët - duke lejuar që ato të qëndrojnë të papërdorura dhe të humbasin vlerë për shkak të inflacionit, transmeton Telegrafi.
Por, sa e vështirë është të inkurajosh investimet ndër breza në kontinent?
“Vetëm rreth 26 për qind e familjeve në BE kanë pasur ndonjëherë një produkt investimi si fonde, aksione apo obligacione (Eurobarometer 509), ndërkohë që gjatë tre dekadave të fundit mbi 50 për qind e familjeve amerikane kanë investuar në bursë (anketë Gallup)”, tha van der Werve.
Ai shtoi se “nëse mendojmë se një portofol mesatar dhe i diversifikuar fondesh do të kishte rritur vlerën mbi 50 për qind gjatë periudhës 2014–2023 (ESMA), duke tejkaluar dukshëm inflacionin, bëhet fjalë për shumë pasuri potenciale që evropianët po e lënë të papërdorur”.
Tendencat më të njohura të investimit

Duke folur për prirjet më të dukshme të vitit të fundit (2025–2026), që tregojnë ndryshime në sjelljen e investitorëve individualë dhe gatishmërinë e tyre për të marrë rrezik në vendet e BE-së, drejtori i përgjithshëm i EFAMA-s bëri një vlerësim.
Ai tha se popullariteti i madh i ETF-ve dhe investimeve në fonde të diversifikuara që ndjekin indekse ka ndikuar ndjeshëm në treg.
Drejtori shtoi se, i kombinuar me platformat digjitale të brokerimit (ndërmjetësimi financiar) për blerje dhe shitje, ky zhvillim ka ndihmuar në rritjen e investimeve nga individët në disa vende të BE-së vitet e fundit.
“Së bashku, këto zhvillime e kanë bërë vendimin për të investuar më të thjeshtë, më të lirë dhe më të lehtë për shumë familje. Ndikimi i mediave sociale ka qenë gjithashtu i rëndësishëm, veçanërisht për investitorët e rinj, të cilët shpesh joshen drejt ‘aseteve’ më të rrezikshme si kriptovalutat. Kjo është një tjetër arsye pse duhet t’i japim përparësi edukimit financiar që në moshë të hershme”, tha ai.
Pse ka më pak investitorë në Evropë?

Duke iu rikthyer pyetjes pse më pak evropianë po i investojnë paratë e tyre – duke i lënë ato në llogari bankare dhe duke humbur nga inflacioni në vend që të përfitojnë nga interesi i përbërë – Van der Werve tha se, sipas tij, kjo është më pak çështje “zgjedhjeje” dhe më shumë çështje inercie.
Shumë evropianë e lënë paranë e fituar me mund të qëndrojë në llogaritë bankare, nga frika se mund të bëjnë një gabim dhe ta humbasin.
"Njerëzit kanë frikë se, nëse veprojnë, mund të bëjnë një gabim dhe të humbasin paratë e fituara me mund. Kështu që nuk bëjnë asgjë dhe i lënë në llogarinë bankare, ku konsiderohen të sigurta. Një edukim më i mirë financiar do t’i ndihmonte të kuptonin koston e mundësisë së mosinvestimit", deklaroi analisti.
Ai thekson se portofolët afatgjatë dhe të diversifikuar mirë sjellin kthime të qëndrueshme dhe e mbrojnë pasurinë nga inflacioni, ndërsa tabuja për të folur për paratë, madje edhe brenda familjes, e vështirëson marrjen e kontrollit mbi të ardhmen financiare.
"Portofolët afatgjatë dhe të mirëdiversifikuar gjenerojnë kthime të qëndrueshme me kalimin e kohës dhe parandalojnë që inflacioni të gërryejë pasurinë tuaj. Në shumë vende të BE-së ekziston një tabu kulturore për të folur për paratë, madje edhe brenda familjes, gjë që sigurisht nuk ndihmon", pohoi Werve.
Edukimi financiar duhet të nisë që në shtëpi, sepse investimi më i mirë që mund të bëjë dikush është në njohuritë e veta, thotë ai.
"Rritja e njohurive financiare ndihmon në ndërtimin e besimit dhe në luftimin e keqkuptimeve të zakonshme (p.sh. se duhet të jesh i pasur për të investuar). (Mbi)ndërlikueshmëria e procesit aktual të investimit gjithashtu kontribuon që njerëzit të mbeten te depozitat bankare”, përfundoi Werve. /Telegrafi/



















































