LAJMI I FUNDIT:

Pse kafshët nuk preken nga tërmeti?

Pse kafshët nuk preken nga tërmeti?
Voltaire dhe Rousseau

Nga: Artan Fuga

Mendja tjetër e ndritur e shekullit të 17-të, Zhan Zhak Rusoi nuk mungoi t’i përgjigjet Volterit duke i dërguar atij kritikën e poemës që ky i fundit i kishte postuar më parë. Këtë e realizon me anë të një letre të gjatë që ai i dërgon Volterit datuar 18 gusht 1756. Kritika e tij është e rreptë dhe pa asnjë kompromis, ndonëse me sinqeritet, ndoshta edhe për mirësjellje, Rusoi përsëri nuk është se i kursen në të fjalët plot vlerësim për Volterin.

Gjithsesi, duket qartë, Rusoin e shqetëson një lloj natyralizmi cinik i poemës volteriane. Ai nuk është dakord me atë që Volteri në poemë krijon një lloj ndarjeje të plotë midis njeriut dhe natyrës, duke e konsideruar natyrën një materie që nuk ka asnjë lidhje as me shpirtin dhe as me arsyen; sikurse njeriun e trajton si një objekt i parëndësishëm në duart e forcave madhore natyrore.


I ndodhur brenda një natyre kaotike, të ndodhur jashtë kontrollit ose ndikimit të çdo qëllimësie njerëzore, vetë njeriu, në poemën e Volterit, paraqitet si bartës i një ekzistence pa kuptim. Njeriu plot arsye ndodhet në një botë pa shpirt : kjo është tragjedia humane me të cilën njeriu duhet të përballet gjatë jetës së tij. Jeta e njeriut nuk i shërben ndonjë të Mire providenciale të paramenduar nga Zoti – mendon Volteri. Njeriu, sipas tij, nuk përbën objekt për të cilin interesohet ndonjë logjikë globale madhore. Këtë konceptim të Volterit, Rusoi e konsideron njëlloj çhumanizimi të natyrës, madje dhe të vetë njeriut. Ai e konsideron mendimin e Volterit si një mjet zbehjeje të të gjitha vlerave shpirtërore që i japin kuptim jetës të njeriut. Kështu, qysh në fillim të letrës së vet Rusoi nuk e kursen Volterin për t’i treguar atij të gjithë pakënaqësinë për çka kishte lexuar në poemën e tij:

”Tê gjitha pakënaqësitë e mia”, shkruan Rusoi në letrën e vet, “drejtohen pra kundër Poemës tuaj mbi katastrofën e Lisbonës sepse prej saj prisja rezultate më të denja humanizmi sesa ato që ju kanë frymëzuar.”

Rusoi i bën me dije Volterit që ky i fundit, sado që në poemën e tij tenton të sigurojë lexuesit sikur ai nuk e mohon ekzistencën e Zotit, përsëri, nuk ka arritur t’a fshehi dot se ushqen një koncept krejtësisht jofetar mbi universin. Nga ana e tij, Rusoi, sado racionalist, përsëri ripohon bindjet e tij mbi ekzistencën e një qenie të përjetshme dhe mirëbërëse, e cila komandon universin, natyrën dhe njeriun. Rusoi mendon se shkenca, sado që e shpjegon botën me anë të arsyes, përsëri nuk mund të mohojë dot që bota komandohet nga ligje të cilat vetë shkenca nuk mund t’ua gjejë dot burimin. Këto ligjësi -vazhdon ai – janë prova e ekzistencës të kësaj qenieje të madhërishme që e quajmë hyjnore. Rusoi në këtë plan i bën me dije Volterit se argumentet e tij të drejtuara kundër ekzistencës së një Zoti mirëbërës nuk kanë asnjë fuqi bindëse, nuk qëndrojnë. Rusoi është nga ana e tij besnik i mendimit se fakti që në botë ekzistojnë e keqja, vuajtjet, sëmundjet, dhimbjet, etj., krejt të padëshiruara prej njeriut, sikurse edhe katastrofta dëmprurëse si përshembull tërmeti i Lisbonës, të gjitha këto nuk janë argumente të vlefshme që të arrijnë të provojnë se Zoti, i cili duhej të ishte i mirë, nuk ekziston.

E mira e përjetshme, e madhërishme, sublime ekziston pavarësisht se në botën reale ndodhin ngjarje te hidhura dhe të këqija për njeriun. Prania e së Keqes në botë nuk hedh poshtë dot faktin që bota shkon drejt së Mirës. Bota, sipas Rusoit, sikurse për Lejbnicin, Spinozën etj., është pra bota më e mirë e mundshme. Fuqia e madhërishme midis shumë zgjedhjeve të mundshme për t’a ndërtuar universin ka përjashtuar sa ka qenë e mundur më shumë të Keqen për njeriun, por gjithsesi pa mundur dot natyrisht t’a përjashtojë krejt atë. Rusoi në këtë plan shkruan:

”Të këqijat janë pasojë e domosdoshme e natyrës dhe e ndërtimit të këtij universi. Qenia e përjetshme dhe mirëbërëse që e komandon atë ka dashur të na e garantojë këtë: nga të gjitha ekonomitë e mundshme, ajo ka zgjedhur atë që bashkon të keqen më të vogël me të mirën më të madhe, ose, për t’a thënë të njëjtën gjë më haptazi, nëse duhet, në qoftë se nuk e ka bërë dot më të mirë se çfarë është, kjo ka ndodhur sepse nuk ka mundur ta bëjë dot atë më të mirë.”

Argumenti i Rusoit vjen në gjurmën e filozofëve racionalistë si Lajbnici, Spinoza, Njutoni, etj., për të cilët sa kohë që bota drejtohet nga ligje të arsyeshme, të cilat njeriu i zbulon me aftësitë e tija racionale, atëherë kjo botë ka detyrimisht një ekzistencë jo të rastit, por të domosdoshme. Duke qenë e domosdoshme, ajo nuk mund të jetë ndryshe nga sa ajo është realisht. Vetë pra qenia e saj e bën botën të jetë më e mira e mundshme. Është e mirë sepse ajo ekziston. Mirësia dhe Ekzistenca shkojnë së bashku. Nëse në të ka ngjarje, forca, ndodhira që i sjellin njeriut vuajtje dhe të këqija, kjo nuk e përjashton tjetrën, pra nuk i kundërvihet idesë lajbniciane që bota nuk mund të ishte ndryshe. Ajo është aq e mirë sa mundet brenda ligjësive të saj të domosdoshme, çka provojnë praninë e së Mirës absolute që i jep kuptimin qenies.

Vetë njeriu, kështu, duke qenë një aktor në botën që shkon drejt së Mirës, çon një jetë që e ka gjithmonë një qëllim. Ky qëllim është ecja e botës drejt së Mirës absolute. Tërmeti shkaktoi vdekje? Për Rusoi edhe vdekja e njeriut ka kuptim, edhe ajo sipas tij, në zjarrin e betejës të ideve me Volterin, shoqërohet me të mirën e vet. Njeriu riprodhohet duke i shërbyer ardhjes të brezave të tjerë në jetë.

Argumenti i Rusoit se përtej dhimbjeve njeriu jeto në botën më të mirë të mundshme, të drejtuar kundër Volterit mbështetet te fakti që njeriu kur ndjen dhimbje fizike, sikurse janë traumat, gjymtimet fizike te njerëzit që shkaktoi tërmeti në Lisbonë në vitin 1755, kjo vjen sepse vetë ekzistenca e njeriut i bën të pashmangshme ato. Njeriu është qenie e ndjeshme, pra që zotëron ndjeshmëri në marrëdhëniet që ai ka me botën e jashtme. Ndjeshmëria subjektive është pasoja e faktit që njeriu zotëron një sistem nervor qendror. Prandaj nuk ka rrugë tjetër: Ose dhimbjet nuk do të duhej të ekzistonin, por për këtë do të duhej që njeriu të zhdukej fare nga faqja e dheut; ose njeriu do ta vazhdonte ta kryente misionin e tij mbi dhè, por në këtë rast, jetën e tij do ta shoqëronin pashmangërisht dhimbjet. Nëse pranohet që ekzistenca e njeriut, jeta njerëzore mbi Tokë, është një gjë e mirë, atëherë për rrjedhojë, dhimbjet që njeriu ndjen, oh sa të mundimshme, janë gjithsesi njëlloj e Keqeje e justifikuar, e vendosur në shërbim të së Mirës.

Sipas Rusoit, në kundërshtim me Volterin, dhimbjet ndjesore, në vend të vërtetojnë mungesën e të Mirës së përjteshme, vërtetojnë pikërisht faktin që është e Mira sublime që e komandon universin edhe të botës natyrore. Kjo botë natyrore është “shkruar” brenda të njejtit rregull të arsyeshëm që është “shkruar” për të gjithë universin duke përfshirë edhe njeriun. Ja si e paraqet Rusoi argumentin e tij për ndjeshmëritë njerëzore të dhimbëshme:

“Nëse e pranojmë që ideja e një ‘materie të ndjeshme që nuk ndjen’ do të kishte qenë një kontradiktë logjike, sikurse ajo më duket mua, ato (dhimbjet fizike) janë të paevitueshme brenda të gjitha atyre sistemeve ku bën pjesë njeriu; kështu që çështja nuk do të kishte qenë fare në këtë rast se për çfarë arsyeje njeriu nuk është i lumtur në mënyrë të përkryer, por përse ai do të ekzistonte.”

Rusoi sigurisht nuk mendon që ndonjë fuqi morale e gjithfuqishme dhe mbinatyrore e ndëshkon njeriun për mëkatet e veta duke i hedhur mbi supe shkatërrimet e tërmetit. Në letrën e tij nuk gjendet asnjë nuancë e kësaj hipoteze. Por, për Rusoin njeriu mbetet përgjegjës për të gjitha pasojat e padëshirueshme që i vijnë ose mund t’i vijnë përgjatë jetës së tij. Nga kjo pikëpamje, Rusoi, në mënyrë të arsyeshme, gjen një lidhje të brendshme midis universit natyror dhe universit moral të njeriut. E keqja mbërrin te njeriu, edhe atëherë kur duket si pasojë e pastër e një veprim krejt natyror, për shkak të korruptimit moral, pra të rënies morale të njeriut. Njeriu paraqitet kështu si përgjegjës për gjithçka që i ndodh në botë. Për Rusoin gjendja paraqitet dramatike. Kjo sepse njeriu korruptohet pikërisht sepse ai është i lirë, pra është i pajisur me lirinë e vullnetit, me lirinë e të dashurit ose jo t’a ndërmarrë ose jo një veprim të caktuar. Njeriu është njeri pikërisht për shkak të kësaj lirie zgjedhjeje. Tjetër punë pastaj që njeriu zgjedh për t’u korruptuar dhe jo për të jetuar në harmoni me detyrimet morale të tij. Rusoi thekson në letrën e tij:

”Unë nuk shoh se ku mund ta kërkoj gjetiu burimin e së keqes morale veçse te njeriu i lirë, i zhvilluar, megjithatë i korruptuar.”

Edhe vdekja, sipas Rusoit vjen në botë si ankth e frikë nga ana e vetë njeriut, nuk vjen nga vetvetja, pra si dukuri natyrore, sepse kur njeriu vdes, ai nuk e ndjen vdekjen. Vdekja si dukuri e përjetuar keq nuk e gjen burimin te vetë procesi natyror që e karakterizon, por te “parapërgatitjet” e njeriut përballë saj, pra te aftësia njerëzore për ta imagjinuar fundin e vet dhe për rrjedhojë për ta përjetuar atë me frikë e trishtim. Rusoi shkruan:

”Sikurse besoj ta kem shpjeguar, me përjashtim të vdekjes, e cila edhe ajo nuk është një gjë e keqe veçse nga pikëpamja e parapërgatitjeve për të, e ngjarjeve që e paraprijnë atë, shumica e dhimbjeve tona fizike vazhdojnë të mbeten vepra jonë.”

Kështu edhe pasojat katastrofike të tërmetit të vitit 1755 mbi banorët e Lisbonës, sipas Rusoit, ndodhën ndërkohë që përgjegjës për to është, jo thjesht natyra, por njeriu. Në këtë kuptim, është korrupsioni moral që e bëri këtë tërmet të sjelli pasojat apokaliptike që dihen. Rendi natyror dhe rendi moral i shoqërisë janë të mbivendosur, të gërshetuar, të bashkuar në një të vetëm. Nga kjo pikëpamje, sipas Rusoit, në dallim nga filozofët idealistë ose spiritualistë të kohës së tij, nuk është se natyra përmban ndonjë fuqi morale mistike dhe misterioze. Përkundrazi, ajo është neutrale moralisht. Mirëpo për pasojat e saj mbi njeriu, këtu vendimtare është sjellja e njeriut në planin moral. Është morali njerëzor që drejton perspektivën e veprimit të natyrës mbi njeriun.

Kur analizon në kundërshtim me Volterin pasojat e tërmetit të Lisbonës, Rusoi gjen atje përgjegjësinë te njeriu, dhe nuk e sheh si Volteri njeriun si një viktimë e pafajshme e veprimit të forcave të verbëta të natyrës. Nga kjo pikëpamje do të përmend tre elemente argumentative që përdor Rusoi në letrën e tij.

I pari: Shkatërrimet nga tërmeti në Lisbonë erdhën sepse njeriu, i drejtuar nga interesa të ngushta, kishte ngritur atje ndërtesa të larta, me materiale jo të përshtatshme, në hapësira të ngushta. Ky densitet demografik, i shoqëruar me një dendësi ndërtimesh joadekuate, bëri që Lisbona të pësonte shkatërrime të mëdha në njerëz dhe banesa. Për këtë fajtor mbetej njeriu dhe jo natyra, madje as tërmeti. Rusoi shkruan:

“Pa dalë jashtë temës të Lisbonës, pranojeni, përshembull, që nuk ka qenë fare natyra ajo që mblodhi atje njëzet mijë ndërtesa me nga gjashtë a shtatë kate; dhe nëse banorët e këtij qyteti do të kishin qenë të shpërndarë në mënyrë më të barabartë; do të kishin qenë strehuar në banesa me materiale më të lehta, dëmi do të kishte qenë shumë herë më i vogël, ndoshta zero. Qysh me lëkundjet e para, gjithkush do t’ja kishte mbathur, dhe gjithkënd do ta kishim parë të nesërmen, shend e verë, nja 20 milje më larg, sikurse asgjë të mos kishte ndodhur.”

I dyti: Dëmet në njerëz erdhën sepse këta nuk u larguan menjëherë nga shtëpitë që rrezikoheshin të shkatërroheshin. Njerëzit për të shpëtuar jetën e tyre duhet të largoheshin sa më parë andej:

“Mirëpo duhej qendruar me kokëfortësi përreth karakatinave, duke u rrezikuar nga lëkundjet e tjera sepse ajo që do të braktisej aty vlente më shumë sesa ajo që do të mund të merrej me vete prej tyre. Sa fatkeqë vdiqën në këtë katastrofë sepse deshën të merrnin dikush veshjet e veta, dikush dokumentet e tij, dikush paratë që kishte pasur!”

Dhe, kjo nuk ndodh rastësisht – shprehet në letër Rusoi. Njeriu kështu e ka ndërtuar shoqërinë dhe është përgjegjës për të. Prandaj edhe tërmeti ka pasoja shkatërruese mbi jetën e tij. Në shoqëri njeriu ka anën e tij fizike, trupin e tij, dhe anën e vet sociale, Kjo e fundit përcaktohet nga prona, nga ato që zotëron njeriu, nga të mira që janë të domosdoshme për njeriun që ai të mbijetojë në shoqëri, sikurse janë paratë, dokumentet, titujt e pronësisë, veshjet, zbukurimet, etj. Njeriu, meqë nuk bën dot pa to, pranon të dëmtojë fizikun e vet për të ruajtur statusin e tij social të ndërtuar pikërisht mbi ato çka ai nuk mund t’i braktisi edhe në rast rreziku për jetën. Përndryshe, duke humbur statusin e vet social, ai e rrezikon edhe më keq akoma sigurinë e vet fizike. Rusoi në këtë perspektivë vë re:

“Ne e dimë që te çdo njeri fizik, statuti i tij social është bërë një përmasë që i përket më pak sesa të gjitha të tjerat atij; aq sa pothuajse nuk ja vlen fare ta shpëtosh anën fizike të njeriut, kur ky i fundit ka humbur gjithçka tjetër.”

I treti: Ne mund ta kuptojmë aspektin shkatërrimtar të tërmeteve dhe përgjegjësinë njerëzore për to nëse vëzhgojmë me kujdes jetën e kafshëve ose të fiseve të lashtë që jetonin në zona pa ndërtime si ato të mëvonëshmet.

“Ata (tërmetet) – shkruan Rusoi në përgjigjen e tij dërguar Volterit, nuk u bëjnë po aq keq kafshëve dhe fiseve të egra që banojnë të shpërndara në këto vende të largëta, të cilët nuk kërcënohen as nga rënia e çative, as nga shkrumbimi i shtëpive. Por, çfarë do të thotë një privilegj i tillë? Mos do të duhet të thotë që ligjësitë e botës duhet të ndryshojnë sipas tekave tona?”