eksperti-banner

Sulmet e fundit iraniane janë drejtuar ndaj Kuvajtit, Bahrejnit dhe Jordanisë, ndërsa Arabia Saudite, Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe janë kursyer. Kjo ngre pyetjen pse ka ndodhur një gjë e tillë.

Një ekspert i Iranit nga CNN thotë se kjo mund të lidhet me praninë e bazave të caktuara amerikane në Kuvajt dhe Bahrejn, të cilat, sipas tij, kanë qenë objekt i synuar i Iranit në sulmet e fundit. Ai gjithashtu e sheh si faktor të mundshëm edhe ndryshimin në qasjen diplomatike të Emirateve, Katarit dhe Arabisë Saudite ndaj Iranit.


Hamidreza Azizi, bashkëpunëtor i Institutit Gjerman për Çështje Ndërkombëtare dhe të Sigurisë, deklaroi se sulmet nuk kanë qenë të drejtuara kundër vetë Bahreinit dhe Kuvajtit, por kundër llojit të bazave amerikane që ndodhen në këto vende.

Bahrejni është shtëpia e Flotës së Pestë të Marinës amerikane, ndërsa në Kuvajt ndodhet baza ajrore Ali Al Salem.

Irani i konsideron këto si qendra kryesore komanduese dhe logjistike në rajon, ndërsa mediat iraniane i kanë përmendur ato si arsye të sulmeve. Në një deklaratë, Ministria e Jashtme e Iranit theksoi “përgjegjësinë direkte dhe të qartë të autoriteteve të Kuvajtit dhe Bahrejnit” në konflikt, duke dënuar “përdorimin kolonial amerikan” të territorit të këtyre vendeve për të mbështetur sulmet ndaj Iranit.

Sipas Azizit, Irani këtë herë ka kërkuar të kufizojë përshkallëzimin e situatës.

“Ata nuk donin të shkonin përtej një niveli të caktuar të përshkallëzimit, veçanërisht jo ndaj objektivave ushtarake. Për iranianët, kjo që u bë u konsiderua si një përgjigje proporcionale”, u shpreh ai.

Gjithashtu, sipas CNN, ka pasur rritje të kontakteve midis Teheranit nga njëra anë dhe Abu Dhabit, Dohas dhe Riadit nga ana tjetër, gjë që mund të shpjegojë sulmet e kufizuara ndaj disa vendeve të Gjirit.

Sipas Azizit, është e mundur që të ketë pasur kontakte mes Emirateve dhe Iranit që kanë ndikuar që këtë herë Emiratet e Bashkuara Arabe të mos jenë objektiv, por ai thekson se kjo nuk duhet parë si një model i qëndrueshëm, pasi valët e ardhshme të përshkallëzimit mund të jenë të ndryshme. /Telegrafi/