LAJMI I FUNDIT:

Pse është tepër vonë për të ndaluar Luftën e Tretë Botërore?!

Pse është tepër vonë për të ndaluar Luftën e Tretë Botërore?!
Pamje nga shpërthimi bërthamor në Polinezinë Franceze më 1970 (foto: Science History Images / Alamy Stock Photo)

A mund të prodhojë Irani armë bërthamore? A do të pushtojë Kina, Tajvanin? Ndërsa bota anon drejt një konflikti global, ne po i shtrojmë pyetjet e gabuara.

Nga: Richard Overy, historian, autor i librit të porsabotuar, Përse lufta? [Why War?] / The Daily Telegraph (titulli origjinal: Why it’s too late to stop World War 3 – according to one of Britain’s greatest military historians)
Përkthimi: Telegrafi.com

Imagjinoni, për një moment, që qeveria iraniane shpall se ka zhvilluar bombën bërthamore dhe kërcënon ta përdorë kundër Izraelit. Shtetet e Bashkuara reagojnë me kërcënimin e një ndërhyrjeje ushtarake, ashtu siç bënë në Irak në vitet 1991 dhe 2003. Irani sinjalizon se nuk do të tolerojë një Luftë të Tretë në Gjirin Persik dhe kërkon aleatë. Forcat amerikane grumbullohen për të hyrë në Iran, shtetin i cili shpall mobilizim kombëtar. Rusia, Kina dhe Koreja e Veriut shprehin mbështetjen për Iranin, ndërsa Uashingtoni zgjeron forcat e tij të ndërhyrjes, duke përfshirë edhe një kontingjent britanik. Rusia përfshihet në lojë, duke rritur tensionet, me pritshmërinë se Perëndimi do të tërhiqet. Pason frenimi bërthamor, por me gishtat në këmbëz dhe nervat e tendosura në të dyja anët, ndërsa liderët luajnë bixhoz me rrezikun e sulmit të parë. Gjithçka përfundon në katastrofë. Lufta e Tretë Botërore nis me një shkëmbim zjarri bërthamor – dhe pjesa tjetër, siç thuhet, është histori.


Ose, imagjinoni këtë: zhgënjimi i Kinës për statusin e Tajvanit e shtyn atë të grumbullojë forca pushtuese. Shtetet e Bashkuara janë të zhytura në një krizë të brendshme politike. Japonia ndjek me shqetësim shkëmbimin e fjalëve të ashpra mes Kinës dhe Tajvanit, duke pyetur nëse duhet të ndërhyjë. Kombet e Bashkuara dënojnë veprimet e Kinës, por Kina e refuzon qortimin dhe urdhëron pushtimin, e bindur se një fitore e shpejtë do të parandalojë ndërhyrjen e të tjerëve – ashtu siç shpresonte Hitleri kur pushtoi Poloninë në vitin 1939. Shtetet e Bashkuara aktivizojnë planet e tyre të emergjencës për të shpëtuar Tajvanin dhe të dyja palët përdorin armë taktike bërthamore kundër forcave të njëra-tjetrës. Koreja e Veriut dhe Rusia rreshtohen në krah të Kinës. Nuk ka një sulm të përgjithshëm bërthamor, por Rusia paralajmëron Evropën që të qëndrojë mënjanë, duke ndarë strategjinë amerikane mes dy fronteve – ashtu si në Luftën e Dytë Botërore. Konflikti përshkallëzohet më tej.

Tani le të shqyrtojmë një lloj krejtësisht tjetër të një konflikti global. Përçarja në rritje mes Perëndimit demokratik dhe harkut të shteteve autoritare në gjithë Euroazinë, ka hyrë në një kapitull të ri të rrezikshëm. Asnjëra palë nuk dëshiron të rrezikojë një luftë të drejtpërdrejtë, por ekziston mundësia që shkatërrimi i komunikimeve satelitore të dëmtojë kapacitetet ushtarake dhe ekonomike të kundërshtarit. Pa paralajmërim, sulmohet sistemi i komunikimit satelitor i Perëndimit, duke shkaktuar dëme masive në rrjetet e tij elektronike tregtare dhe ushtarake.

Askush nuk merr përsipër përgjegjësinë për lëshimin e raketave, por, në kaosin që pason, faji drejtohet shpejt ndaj shteteve anti-Perëndimore. Hakmarrja është e vështirë për t’u organizuar, për shkak të kolapsit të komunikimeve. Të pasigurt se çfarë duhet të bëjnë, vendet perëndimore urdhërojnë mobilizim ushtarak, por Rusia dhe Kina kërkojnë që lufta të ndalojë. Ashtu si në vitin 1914, mekanizmi, pasi vihet në lëvizje, është i vështirë për t’u ndalur, dhe kriza thellohet. Mirësevini në Luftën e Parë Hapësinore.

Të tre këta skenarë janë të mundshëm, edhe pse asnjëri prej tyre, për të qenë i qartë, nuk është i besueshëm. Parashikimi – ose më saktë, paramendimi – i luftërave të së ardhmes mund të prodhojë fantazi të rrezikshme që nxisin ankth për sigurinë globale. Me shumë gjasë, edhe parashikimi më i besueshëm do të dalë i gabuar. Zhvillimi i armëve bërthamore ka ndryshuar ndjeshëm natyrën e çdo konflikti të ardhshëm global. Nuk ka dyshim se forcat e armatosura, në mbarë botën, kanë plane emergjente për një sërë skenarësh që mund të duken të pabesueshëm në botën reale. Dhe, megjithëse historia mund të na ndihmojë të kuptojmë formën e një lufte të ardhshme, mësimet e saj rrallëherë mësohen.

Megjithatë, pyetja se si mund të shpërthejë një Luftë e Tretë Botërore na shqetëson sot më shumë se në çdo kohë tjetër që nga përfundimi i luftës së fundit botërore. Vetë akti i parashikimit është dëshmi e pritshmërisë sonë se lufta, në një formë apo në një tjetër, mbetet një realitet në një botë të mbushur me pasiguri të shumta. Konfliktet në Ukrainë, Gazë, Mianmar dhe Sudan janë një kujtesë e kësaj të vërtete gjithmonë të pranishme. Dhe, kërcënimet e rregullta nga Rusia për përdorimin e armëve bërthamore, sugjerojnë se fantazitë tona mund të mos jenë aq larg realitetit sa mund të mendojmë.

Ndoshta në përpjekjen për të parashikuar shpërthimin e një lufte të ardhshme, duhet të bëjmë një pyetje tjetër: Pse luftojmë? Lufta ka qenë një karakteristikë e pothuajse gjithë historisë së dokumentuar, dhe dhuna luftarake i ka paraprirë krijimit të shteteve të para. Pse qeniet njerëzore kanë zhvilluar agresivitetin krahas aftësisë së tyre për bashkëpunim shoqëror, kjo mbetet pyetja themelore.

Kjo është një enigmë me të cilën shkencat humane janë përballur për pjesën më të madhe të shekujve XX dhe XXI. Për biologët evolucionarë dhe psikologët, lufta ishte një mjet për njeriun e hershëm për të siguruar mbijetesën, për të mbrojtur të afërmit dhe për t’u përballur me krizat ekologjike. Asnjë biolog njerëzor sot nuk argumenton se dhuna është e gjenetike, por homininët e hershëm, të organizuar në grupe të vogla gjuetarësh-mbledhës ose peshkatarësh, me shumë gjasa përdornin dhunën për t’u mbrojtur nga të huajt, për të siguruar burime dhe ushqim, dhe herë pas here për të sulmuar komunitetet fqinje. Përdorimi i dhunës si një nga elementët e mbijetesës, u bë normë psikologjike, si dhe i dobishëm biologjikisht. Sipas kësaj pikëpamjeje, aspekti luftarak është ngulitur thellë në zhvillimin njerëzor.

Megjithatë, kjo qasje sfidohet nga shkencat e tjera, të cilat e shohin luftën si një fenomen të lidhur me zhvillimin e kulturave dhe sistemeve politike, qofshin ato fise, proto-shtete apo shtete. Rreth 10 mijë vjet më parë, nuk ka dyshim se diçka që ngjante me luftën u shfaq në të gjithë botën, siç dëshmohet nga gjetjet arkeologjike të armëve, ikonografisë dhe fortifikimeve.

Lufta nuk ishte si luftërat moderne, të organizuara me ushtri masive dhe të furnizuara nga industritë ushtarake, por merrte forma të ndryshme: një sulm vdekjeprurës, një përballje rituale ose një masakër, siç janë vrasjet në Nataruk që datojnë në shekullin IX p.e.s. Mbetjet e burrave, grave (njëra prej tyre shtatzënë) dhe fëmijëve, të zbuluara në këtë vend pranë liqenit Turkana në Kenia, tregojnë se viktimat u rrahën dhe u therën me thika deri në vdekje.

Duket qartë se nuk ishte e nevojshme të ekzistonte një shtet për të ushtruar dhunë, siç e ka dëshmuar lufta fisnore gjatë disa qindra viteve të fundit, por lufta çoi në shfaqjen e një elite luftëtarësh dhe të një kulture ku lufta glorifikohej dhe miratohej: Spartanët, vikingët, aztekët. Ka pasur shumë pak kultura ku lufta nuk ka luajtur rol, zakonisht një rol qendror, në jetën e komunitetit. Në periudhën historike të shteteve, rreth pesë mijë vjet më parë, nuk ka asnjë shembull ku lufta të mos ketë qenë praktikë e pranuar.

Kjo, megjithatë, nuk flet shumë për arsyet pse luftërat janë zhvilluar në të kaluarën e largët apo në të tashmen. Luftërat gjithmonë zhvillohen për diçka, qoftë për të kënaqur perënditë duke kapur robër për t’i ekzekutuar ose sakrifikuar, për të grabitur burime, për besime, për të zgjeruar pushtetin mbi të tjerët, për të pasur më shumë siguri, apo thjesht për mbrojtje kundër një armiku. Kjo përzierje motivesh ka mbetur në mënyrë të habitshme e pandryshuar.

Marrja e burimeve është një motiv i dukshëm për luftë, një shpjegim që shtrihet që nga romakët e lashtë të cilët shkatërruan qytetet armike, morën skllevër dhe thesare dhe imponuan tributin, deri te forcat japoneze në vitin 1942 që kapën rezervat e naftës dhe lëndët e para të Azisë Juglindore, të nevojshme për të vazhduar luftën. Luftërat për besim gjithashtu shtrihen gjatë mijëvjeçarëve, nga pushtimet myslimane të Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut në Mesjetën e hershme, epoka e kryqëzatave të krishtera që pasoi, deri te fushatat aktuale të xhihadit nga islami militant.

Siguria, siç e njohu Thomas Hobbes në veprën e tij Leviatani [Leviathan] të vitit 1651, është gjithmonë në rrezik në një botë anarkike, ku nuk ka një fuqi të përbashkët për ta garantuar atë. Kufijtë janë një pikë nevralgjike e frikës për sigurinë dhe mungesën e besimit, siç ilustrojnë sot luftërat në Ukrainë dhe Gazë. Por, edhe kufiri i gjatë kinez me nomadët e stepave dhe kufiri i gjerë i Perandorisë së vonë Romake ishin vende të shkeljeve të vazhdueshme, betejave mbrojtëse dhe ekspeditave ndëshkimore.

Ndjekja e pushtetit është ndoshta shpjegimi më i zakonshëm për luftën – veçanërisht i pëlqyer nga shkencëtarët politikë dhe socialë. Teoria e Tranzicionit të Pushtetit, e formuluar në kulmin e Luftës së Ftohtë, e sheh historinë si një garë të vazhdueshme midis fuqive të mëdha hegjemonike, ku njëra përpiqet të tejkalojë tjetrën. Argumentohet se kjo garë mund të përfundojë në luftë, pasi një fuqi në rënie përpiqet të mbrojë pozicionin e vet, ose një fuqi në ngritje kërkon ta zëvendësojë atë. Dikur, kjo teori u aplikua për Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Sovjetik, por ata kurrë nuk luftuan drejtpërdrejt me njëri-tjetrin; tani, ajo aplikohet për një luftë të mundshme midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, që është bërë një skenar i preferuar për ata që parashikojnë konfliktet e shekullit XXI. Megjithatë, kjo është një teori që nuk funksionon mirë. Dy luftërat botërore filluan me një fuqi të madhe që sulmoi një më të vogël – Serbinë në vitin 1914, Poloninë në vitin 1939 – dhe më pas tërhoqi në konflikt fuqitë e tjera. E njëjta gjë mund të ndodhë me Tajvanin, ashtu siç po ndodh tashmë me Ukrainën.

Pushteti funksionon më së miri si një shpjegim kur historia fokusohet te individët që e shtynë veten për t’u bërë pushtues të mëdhenj, burra të cilët me ambicien e tyre të pastër mobilizuan mbështetjen e popullit për pushtime të pakufizuara – Leka i Madh, Xhingis Hani, Napoleoni, Hitleri. Ky është pushtet hubristik, i bazuar në besim arrogant te vetja, dhe zakonisht avullon me vdekjen ose disfatën e liderit. Por, për aq kohë sa ata udhëheqin dhe ka njerëz të gatshëm për t’i ndjekur, lufta është e pakufizuar dhe shkatërrimtare – në një shkallë të gjerë. Ky është shpjegimi më i rrezikshëm dhe i paparashikueshëm për këmbënguljen e luftës dhe mbulon të gjithë historinë njerëzore. Është një nga treguesit më të qartë se lufta ka ende një të ardhme, ashtu siç ka pasur një të kaluar të gjatë.

Luftërat e së ardhmes mbështeten në një trashëgimi të zymtë. Fakti që paqja duket të jetë opsioni më racional për shumicën e njerëzve, nuk ka qenë kurrë i mjaftueshëm për të frenuar dëshirën për të luftuar kur kjo duket e nevojshme, fitimprurëse ose një detyrim. Dhe, kjo trashëgimi është arsyeja kryesore pse është e mundur të imagjinohet një luftë e ardhshme. Pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, pati një tendencë për të thënë se lufta ishte bërë çështje e vjetruar – sikur të ishte ashtu, ndoshta sot do të jetonim në një botë pa armë dhe pa frikë. Përderisa pak njerëz do ta kërkonin aktivisht Luftën e Tretë Botërore, pak parashikuan ose i dëshironin dy të parat. Realiteti i trishtuar është se njohuria jonë mbi arsyet e shpërthimit të luftërave, deri tani ka kontribuar shumë pak në eliminimin e saj si një element i vazhdueshëm i çështjeve njerëzore. /Telegrafi/