Pse është e rëndësishme që gratë shtatzëna të pinë qumësht dhe cila është zgjedhja më e mirë
Ekspertët tregojnë pse qumështi nuk duhet anashkaluar dhe si të zgjidhni variantin më të sigurt për ju dhe foshnjën
Gratë shtatzëna duhet të konsumojnë qumësht në sasi të moderuar për të marrë kalcium, vitaminë D dhe lëndë të tjera ushqyese të rëndësishme. Zgjedhja më e mirë është qumështi i lopës, por ja çfarë duhet të dini edhe për variantet bimore.
Sipas studimeve klinike, konsumimi i moderuar i qumështit gjatë shtatzënisë lidhet me një ecuri më të mirë të shtatzënisë. Shumica e ekspertëve rekomandojnë qumështin e lopës si llojin më të shëndetshëm të qumështit për t’u pirë gjatë shtatzënisë. Arsyeja është se qumështi i lopës ka profilin më të plotë ushqyes, me një spektër të gjerë vitaminash dhe mineralesh që janë të domosdoshme për nënën dhe foshnjën gjatë shtatzënisë, përfshirë kalciumin dhe vitaminën D.
Megjithatë, nëse shmangni produktet e qumështit për shkak të intolerancës ose preferencave personale, qumështet bimore mund të jenë një alternativë e mirë. Në vijim, mësoni më shumë për përbërjen ushqyese të qumështit dhe alternativave të tij, në mënyrë që të siguroheni se po merrni mjaftueshëm lëndë ushqyese të rëndësishme për një shtatzëni të shëndetshme, transmeton Telegrafi.

Qumështi i lopës
Shumica e ekspertëve rekomandojnë qumështin e lopës gjatë shtatzënisë, sepse është i pasur me lëndë ushqyese për nënën dhe foshnjën në zhvillim. Kalciumi dhe vitamina D janë veçanërisht të rëndësishëm për ndërtimin dhe ruajtjen e kockave të forta. Qumështi i lopës është gjithashtu i pasur me proteina dhe aminoacide esenciale, të cilat janë blloqet ndërtuese të qelizave të foshnjës.
Vitamina D ndihmon në uljen e rrezikut për diabet gestacional, ndërsa vitamina E vepron si antioksidant dhe mbron organizmin nga sëmundje të ndryshme. Një gotë qumësht lope përmban rreth 285 mg kalcium.
Nëse po përpiqeni të ulni marrjen e yndyrnave të ngopura, mund të zgjidhni qumësht të skremuar. Duhet shmangur konsumimi i qumështit të papasterizuar (të papërpunuar) dhe produkteve të përgatitura prej tij gjatë shtatzënisë, pasi ato mund të përmbajnë baktere të rrezikshme. Konsumimi i qumështit të papasterizuar nuk është i sigurt gjatë shtatzënisë.
Gjatë procesit të pasterizimit, mikroorganizmat që shkaktojnë sëmundje shkatërrohen përmes ngrohjes në temperatura të larta.
Qumështi i sojës
Qumështi i sojës ka pothuajse të njëjtën sasi proteinash si qumështi i lopës dhe shpesh është i pasuruar me kalcium, në mënyrë që përmbajtja e tij të jetë e ngjashme me atë të qumështit të lopës. Megjithatë, organizmi mund të mos e përthithë të gjithë këtë kalcium, pasi soja përmban një përbërës natyror që pengon absorbimin e tij.
Qumështet bimore të aromatizuara, përfshirë edhe qumështin e sojës, shpesh përmbajnë sheqerna të shtuar, prandaj nëse i kushtoni vëmendje marrjes së sheqerit, rekomandohet të zgjidhni variantet pa sheqer të shtuar.
Qumështi i sojës ka vlerën ushqyese më të afërt me qumështin e lopës krahasuar me alternativat e tjera bimore, ndaj disa ekspertë e konsiderojnë atë si alternativën më të mirë gjatë shtatzënisë. Antioksidantët që përmban ndihmojnë në mbrojtjen e qelizave nga dëmtimet. Një gotë qumësht soje siguron rreth 300 mg kalcium.
Qumështi i bajameve
Nëse jeni alergjike ndaj produkteve të qumështit ose sojës, qumështi i bajameve mund të jetë një alternativë e mirë. Ai përmban më pak lëndë ushqyese dhe më pak proteina se qumështi i lopës, por natyrshëm ka më shumë vitaminë A dhe kalcium. Disa lloje janë të pasuruara me kalcium dhe vitamina të tjera, përfshirë vitaminën D.
Qumështi i bajames përmban acid folik, fibra, proteina, vitamina të grupit B, kalcium, hekur dhe vitaminë E. Ka pak kalori dhe antioksidantët e tij ndihmojnë në forcimin e sistemit imunitar. Një gotë qumësht bajameje siguron rreth 7,5 mg kalcium.
Qumështi i orizit
Qumështi i orizit mund të jetë alternativë e mirë për personat alergjikë ndaj qumështit, sojës dhe arrorëve. Ai përmban pak proteina, por ka më shumë karbohidrate se qumështi i lopës. Nuk rekomandohet për gratë me diabet, pasi përmban deri në katër herë më shumë karbohidrate krahasuar me qumështin e lopës. Disa lloje janë të pasuruara me vitamina A dhe D.
Qumështi i tërshërës
Qumështi i tërshërës është një tjetër alternativë e mirë për personat me alergji ndaj qumështit, sojës dhe arrorëve. Edhe pse tërshëra nuk përmban natyrshëm gluten, qumështi i tërshërës i blerë në dyqan shpesh përpunohet në të njëjtat ambiente me drithëra që përmbajnë gluten. Prandaj, nëse keni intolerancë ndaj glutenit, kontrolloni etiketën për të siguruar që produkti është pa gluten.
Qumështi i tërshërës ka më pak proteina se qumështi i lopës, por më shumë karbohidrate se alternativat e tjera bimore. Ai përmban natyrshëm hekur, vitamina të grupit B dhe minerale të tjera esenciale. Shumë produkte tregtare janë të pasuruara me kalcium dhe vitamina A dhe D. Përmbajtja e lartë e fibrave ndihmon në parandalimin e kapsllëkut gjatë shtatzënisë.
Këshilla ushqimore gjatë shtatzënisë
Nëse konsumoni rregullisht qumësht bimor, duhet të siguroheni që përmes ushqimit të merrni mjaftueshëm kalcium, vitaminë D dhe proteina nga burime të tjera. Produktet e qumështit janë burim i rëndësishëm i vitaminës D, prandaj nëse nuk i konsumoni, duhet të kujdeseni që ta merrni këtë vitaminë nga burime të tjera, si peshku yndyror (salmoni, trofta), vezët ose drithërat e pasuruara. /Telegrafi/





























