LAJMI I FUNDIT:

Pse duhet mbajtur zgjedhjet e lira dhe të ndershme?

“Vetëdija intelektuale dhe kombëtare, duhet të ndikoj dhe të eliminon dilemën e keqpërdorimit të zgjedhjeve, duke marrë funksionin e ndërmjetësuesit në mes partive politike dhe qytetarit të Kosovës”

Dy janë arsyet kryesore që me një shkathtësi dhe mençuri të krijojmë ambientin para Qytetarit të Kosovës në radhë të parë, e po ashtu edhe para bashkësisë ndërkombëtare, se institucionet e Republikës së Kosovës, kanë aftësi për të organizuar dhe menaxhuar zgjedhjet të lira dhe të ndershme. Me këtë do t’i mbyllej goja të gjithë kundërshtarëve të Kosovës që janë duke lobuar kundër njohjes së mëtutjeshme të shtetit më të ri të Kosovës, ndërsa në të njëjtën kohë do të krijojmë mundësinë për përkrahësit tanë që janë duke lobuar për njohje, që të kenë edhe një dëshmi më të madhe dhe të arsyeshme, se Kosova tani me mbajtjen e zgjedhjeve të lira, e që janë model për rajonin, e meritojnë njohjen. Për një organizim të tillë, lypset përgjegjësi për të gjithë pa përjashtim, sidomos për partitë më të mëdha politike, të cilat duhet ligjëruar para elektoratit të tyre pra para Qytetarit të Kosovës, se e kemi një sfidë të madhe dhe kjo duhet kaluar me ndihmën e të gjithëve suksesshëm. Me këtë e krijojnë bindjen te qytetari më të qëndrueshme dhe i jep një shtytje më të fortë, për të marrë pjesë në votime dhe për të zgjedhur më të mirin që ai mendon.


Qytetari i Kosovës, e ka humbur bindjen se në Kosovë nuk keqpërdoret vota, kjo u manifestua në zgjedhjet e mëparshme duke manipuluar me vota, për këtë arsye çdo herë e më pak qytetarët janë duke dalë në zgjedhje. Mosdalja në zgjedhje është përgjegjësi institucionale, sepse nuk krijojnë mundësinë që vota e çdo qytetari të shkojë aty ku ai voton. Prandaj, në këtë cikël të zgjedhjeve mund të themi se është shumë e rëndësishme për Kosovën, që të shkrihet edhe atomi i fundit i energjisë organizative, me tërë ndjenjën kombëtare, që zgjedhjet të jenë të ndershme dhe të lira. Do të ishte e padrejtë të mos përmendej, mosangazhimin e botës akademike, shkencore, intelektuale dhe kombëtare shqiptare, për të dhënë kontributin e tyre. Ne kemi dhënë prova shumë më të mëdha edhe gjatë okupimit nga Serbia, ku kemi organizuar zgjedhje dhe kanë shkuar për mrekulli. Për këtë arsye, mund të themi se për shkak të një rëndësie të veçantë të këtyre zgjedhjeve për dallim nga ato të mëparshmet, nuk janë vetëm zgjedhje që nxjerrin vetëm segmentin e sistemit zgjedhor pozitiv, por do të aktualizon pjekuri institucionale, duke hedhur me një anë të gjitha problemet, dhe duke u angazhuar në ndërtimin e sistemit zgjedhor që i jep forcë faktike për të zhveshur nga të gjitha presionet partiake që ndikojnë në rezultat negative.

Bashkësisë ndërkombëtare, do të bindet për ekzistencën dhe funksionimin e institucioneve të Kosovës, që më në fund dalin se përvoja e organizimit të zgjedhjeve të lira në Republikën e Kosovës, u arrit dhe u tejkalua me sukses. Kjo për Kosovën dhe miqtë e saj, do të reflektoj pozitivisht, dhe do t’u epet në dorë argumenti i fuqishëm, se Republika e Kosovës e meriton njohjen si shtet dhe anëtarësimin e saj në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB), në BE dhe NATO. Kurse në anë tjetër, Serbisë dhe kundërshtarëve të Kosovës, do t’u mbyllet goja, për të manipuluar nëpër botë, se shqiptarët nuk janë të zot të qeverisin dhe nuk e meritojnë njohjen e shtetit të tyre, duke aluduar në zgjedhjet e fundit.

Partitë politike të Kosovës, nënshkruan “Deklaratën e përbashkët të partive politike dhe subjekteve elektorale lidhur me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të zgjedhjeve të përgjithshme të 12 dhjetorit 2010” duke u thirrur se: “Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë gur themeltar i demokracisë”. Por pati parti që e kundërshtuan, pikërisht si diferencim i formës më elementare, se procesi i zgjedhjeve me keqpërdorime ka qenë dhe se prapë do të përsëritet. U arrit përshtypja tek qytetarët sidomos në mërgatë, se më shumë pati të drejtë ”Vetëvendosja” në opinion se sa të gjitha partitë që e nënshkruan “Deklaratën”! Ky imazh i keq i krijuar për korrupsion edhe në zgjedhje, nuk i bënë nderë Kosovës e aq më pak në kohën kur jemi në prag të njohjeve. Vetëdija intelektuale dhe kombëtare, duhet të ndikoj dhe të eliminon dilemën e keqpërdorimit të zgjedhjeve, duke marrë funksionin e ndërmjetësuesit në mes partive politike dhe qytetarit të Kosovës, se këto zgjedhje do të fillojnë dhe mbarojnë në frymën demokratike.

Ky kishte me qenë rezultati që pritet – Kosova do të ecte me hapa të sigurt.