Provojeni këtë test te dera e frigoriferit: Menjëherë zbuloni pse po paguani më shumë rrymë

Goma e dëmtuar e derës mund ta detyrojë frigoriferin të punojë më shumë, duke rritur faturën dhe duke ndikuar në freskinë e ushqimeve
Frigoriferi është i vetmi aparat në shtëpinë tuaj që nuk ndalet kurrë së punuari, prandaj është një nga shpenzuesit më të mëdhenj të energjisë elektrike.
Shumica e njerëzve e vërejnë kur fatura e rrymës është e lartë, por rrallëkush dyshon te goma e derës së frigoriferit, e cila me kalimin e kohës mund të dobësohet. Ekziston një test i thjeshtë me një fletë letre, që për dhjetë sekonda tregon nëse frigoriferi juaj po harxhon energji kot dhe po ndikon edhe në prishjen më të shpejtë të ushqimit.
Si e zbulon letra një problem të fshehur
Problemi shfaqet kur goma izoluese e derës nuk mbështetet më siç duhet në trupin e pajisjes. Edhe një hapësirë shumë e vogël lejon që ajri i ftohtë të dalë jashtë, ndërsa ajri i ngrohtë i dhomës të hyjë brenda.
Në atë rast, kompresori duhet të punojë më shumë për ta ruajtur temperaturën e ulët, gjë që ndikon drejtpërdrejt në faturën e rrymës dhe mund ta shkurtojë jetëgjatësinë e motorit të frigoriferit.
Merrni një fletë të zakonshme letre ose një kartëmonedhë dhe vendoseni mes gomës dhe trupit të frigoriferit. Pastaj mbylleni derën, në mënyrë që letra të mbetet e kapur.
Tani provoni ta nxirrni letrën. Nëse ajo del lehtë, pa asnjë rezistencë, kjo është shenjë se goma nuk izolon më siç duhet. Përsëriteni testin në disa vende përgjatë skajeve të derës, për ta kuptuar saktë se ku po "ikën" i ftohti nga pajisja juaj e kuzhinës, transmeton Telegrafi.

Shpëtojeni gomën me ujë të ngrohtë para se të blini të re
Lajmi i mirë është se në shumicën e rasteve nuk keni nevojë menjëherë të thërrisni mjeshtrin ose të blini gomë të re, e cila mund të kushtojë jo pak. Goma e derës, me kalimin e kohës, bëhet më e fortë dhe humb elasticitetin për shkak të temperaturave të ulëta.
Ajo që duhet të bëni është të merrni një leckë dhe ujë shumë të ngrohtë. Lagni mirë gomën me ujë të nxehtë dhe masazhojeni lehtë me gishta, që ajo të bëhet sërish më e butë dhe më elastike.
Një trik edhe më efikas është përdorimi i tharëses së flokëve. Ndizeni tharësen në temperaturë mesatare dhe drejtojeni nga goma, derisa ajo të ngrohet mjaftueshëm dhe të bëhet më elastike.
Derisa goma është ende e ngrohtë, tërhiqeni lehtë me duar nga jashtë, sidomos në vendet ku letra më parë dilte pa rezistencë. Kur ta mbyllni përsëri derën, goma e ngrohtë do të përshtatet më mirë me trupin e frigoriferit dhe do të krijojë sërish një pengesë më të mirë ndaj ajrit.
Pse kjo është e rëndësishme për shëndetin dhe kuletën tuaj
Përveç kursimit të energjisë, një frigorifer që mbyllet siç duhet është i rëndësishëm edhe për sigurinë e ushqimit. Nëse ajri qarkullon vazhdimisht brenda dhe jashtë, temperatura në frigorifer ndryshon, gjë që mund ta përshpejtojë prishjen e ushqimeve dhe zhvillimin e baktereve.
Shpesh ndodh që njerëzit të hedhin ushqime duke menduar se frigoriferi është i vjetër, ndërsa problemi mund të jetë te një pjesë e thjeshtë gome që nuk është mirëmbajtur.
Këtë test të thjeshtë bëjeni së paku një herë në disa muaj, sidomos gjatë muajve të verës, kur dallimet e temperaturës janë më të mëdha.
Një gomë e pastër dhe elastike do të thotë se frigoriferi juaj do të punojë më qetë, më gjatë dhe do të shpenzojë dukshëm më pak energji. Mos lejoni që "rryma t’ju rrjedhë" nga dera për shkak të një flete letre që nuk e keni testuar me kohë. /Telegrafi/




















































