Protesta në Strasburg - OVL e UÇK dorëzon 285 letra në KiE me shqetësimet për procesin në Hagë

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së mbajti sot protestën e radhës para Asamblesë së Këshillit të Evropës në Strasburg, duke kërkuar drejtësi dhe transparencë në proceset gjyqësore të Kosovës në Gjykatën Speciale.
Gjatë protestës, kryetari i OVL e UÇK-së, Hysni Gucati deklaroi se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë një forcë çlirimtare dhe jo “organizatë e përbashkët kriminale”, siç pretendohet në aktakuzat e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
“UÇK nuk ka qenë organizatë e përbashkët kriminale. Ajo ka qenë ushtri çlirimtare që luftoi për ta çliruar Kosovën nga forcat serbe. Jemi këtu për t’i thënë ‘stop’ padrejtësisë që po bëhet në Hagë,” u shpreh Gucati para protestuesve.
Përfaqësuesit e OVL-UÇK dorëzuan 285 leta për anëtarët e Asamblesë së Këshillit të Evropës, ku shprehen shqetësime të thella për mënyrën si po zhvillohet procesi ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së.
Në letër, OVL e UÇK thekson disa çështje kyçe që, sipas tyre, cenojnë drejtësinë dhe integritetin e procesit.
Në letrën dërguar anëtarëve të Asamblesë thuhet: “Ne do të dëshironim të tërhiqnim vëmendjen tuaj ndaj disa çështjeve kyçe dhe shqetësimeve në rritje lidhur me funksionimin dhe mandatin e Dhomave të Specializuara të Kosovës (KSC)”
Në pikën e parë, letra rikujton mënyrën e krijimit të Gjykatës Speciale.
“Dhomat e Specializuara të Kosovës u krijuan në përgjigje të raportit të vitit 2010 të Raportuesit të Këshillit të Evropës, Dick Marty, i cili përmbante akuza për trafikim organesh dhe krime të tjera serioze”
Një nga shqetësimet kryesore që OVL e UÇK ka shprehur përmes kësaj letre lidhet me natyrën e aktakuzave dhe kohëzgjatjen e paraburgimit.

“Të akuzuarit janë mbajtur në paraburgim për gati pesë vjet, pavarësisht dorëzimit vullnetar dhe bashkëpunimit të plotë me gjykatën, dhe të gjitha kërkesat për lirim me kusht janë refuzuar.”
Letra thekson gjithashtu mungesën e transparencës.
“Shumë seanca janë mbajtur të mbyllura për publikun. Shumë dëshmitarë janë anonimë dhe qasja e mediave është jashtëzakonisht e kufizuar”.
Një tjetër shqetësim madhor lidhet me burimin e provave.
“Provat kryesore burojnë nga institucionet e sigurisë së Serbisë… kjo ngre dyshime serioze për besueshmërinë dhe paanshmërinë e procesit gjyqësor”, thuhet në letrën e OVL e UÇK-së.

Në letër përmendet edhe çështja e konfliktit të interesit të ngritur në mars 2025.
“Përfshirja e prokurorit John Devaney, i cili më parë ka shërbyer si roje në njësinë e paraburgimit ku aktualisht mbahen të akuzuarit, ka nxitur dyshime serioze për standardet etike dhe paanshmërinë e procesit”
Në përmbyllje, OVL-UÇK i bën thirrje anëtarëve të Këshillit të Evropës që të ndërmarrin veprime.
“Ne ju bëjmë thirrje t’i merrni këto shqetësime në konsideratë… në mënyrë që së bashku të sigurojmë një qasje të drejtë dhe të balancuar ndaj proceseve gjyqësore që lidhen me Kosovën”.
Letra është nënshkruar nga kryetari i OVL-UÇK, Hysni Gucati, i cili rithekson se organizata mbetet e përkushtuar ndaj drejtësisë dhe mbrojtjes së të drejtave të luftëtarëve të lirisë. /Telegrafi/






















































