Tifozët e Arsenalit kanë shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj vendimit të klubit për të afruar Noni Madueken nga Chelsea, duke çuar deri në akte vandalizmi ndaj muralëve që përshkruajnë trajnerin Mikel Arteta dhe figura të tjera kyçe të skuadrës në Londër.

Sulmuesi anësor anglez pritet të finalizojë këtë javë transferimin te Arsenali për një shumë prej rreth 60 milionë eurosh.


Ai është larguar tashmë nga kampi i Chelseat në Kupën e Botës për Klube për t’u bashkuar me klubin e ri në Londrën Veriore, mirëpo jo të gjithë tifozët janë entuziastë për mbërritjen e tij.

Sipas raportimeve të The Daily Express, një pjesë e tifozëve kanë shkuar përtej komenteve në rrjete sociale dhe peticioneve duke dëmtuar muralet e Artetës.

Një nga muralet është vandalizuar me fjalë ofenduese, ndërsa në një tjetër është shkruar mesazhi “ARTETA OUT”, në shenjë proteste ndaj këtij transferimi të diskutueshëm.

Zemërimi i tifozëve lidhet me prioritetet e merkatos: shumë e konsiderojnë Madueke-n si të panevojshëm për momentin, pasi Arsenali ka tashmë emra si Gabriel Martinelli dhe Leandro Trossard për krahun e majtë.

Për më tepër, mungesa e përparimit në marrëveshjen për sulmuesin Viktor Gyökeres nga Sporting Lisbon, për shkak të kërkesave financiare, ka shtuar frustrimin – veçanërisht kur klubi është i gatshëm të shpenzojë 50 milionë për një lojtar që nuk mbulon një nevojë urgjente.

Që nga emërimi i Artetës në dhjetor të vitit 2019, Arsenali ka transferuar disa lojtarë nga Chelsea, përfshirë Kepa Arrizabalaga, Jorginho, Kai Havertz, dhe më parë edhe Willian.

Kjo praktikë e përsëritur po ngjall skepticizëm te tifozët, të cilët e shohin Madueke-n si “një tjetër yll të padëshiruar” të Chelseat që po rikthehet në rotacionin e tyre. /Telegrafi/

telegrafi sport app