LAJMI I FUNDIT:

Propozohen prova të reja materiale në gjykimin ndaj ish-ministres Dhurata Hoxha dhe të tjerëve

Propozohen prova të reja materiale në gjykimin ndaj ish-ministres Dhurata Hoxha dhe të tjerëve
Foto nga arkivi

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë janë propozuar disa prova të reja materiale në rastin ku ish-ministrja e Ministrisë së Integrimeve Evropiane (MIE), Dhurata Hoxha, ish-sekretari i kësaj ministrie Demush Shasha, ish-sekretari Kushtrim Cukaj, dhe Fitim Mustafa e Nuhi Osmani, po akuzohen për korrupsion.

E këto propozime vijuan pas administrimit të provave të propozuara nga prokuroria.


Paraprakisht, mbrojtësi i të akuzuarit Shasha, avokat Tahir Rrecaj, ka kundërshtuar që në cilësi të provës të lexohen deklaratat e të akuzuarve të dhëna në prokurori, me arsyetimin se të akuzuarit janë prezent dhe mund të deklarohen.

“Nuk ka bazë ligjore që të lexohen si provë deklaratat e të pandehurve të dhëna në prokurori, të akuzuarit janë këtu dhe mund të deklarohen”, ka thënë Rrecaj.

Pas kësaj, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Arben Hoti, ka refuzuar propozimin e prokurorit Dren Paca, që të lexohen deklaratat e të akuzuarve të dhëna në prokurori.

“Gjykata vendimin e merr në bazë të provave të shqyrtuara në shqyrtim gjyqësor dhe deklarimet e të pandehurve në prokurori mund të shërbejnë për t’i ballafaquar ata me të njëjtë, nëse do të ketë eventualisht ndonjë mos përputhje në atë çka kanë thënë në prokurori”, tha gjykatësi Hoti, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Tutje, prokurori Paca propozoi që në cilësi të provave të administrohen faturat e lëshuara nga “Majorelle PR & Events”, disa e-mail të dërguara nga dëshmitari Valon Jonuzi, si dhe prova që sipas tij ka të bëjë me përshkrimin e fushveprimtaris së Operatorit Ekonomik “Madison Global”.

Ky propozim u kundërshtua nga mbrojtësit e të akuzuarve, me arsyetimin se prova për përshkrimin e fushveprimtaris së Operatorit Ekonomik “Madison Global”, është nxjerr nga interneti.

“E kundërshtojmë në tërësi administrimin si provë për përshkrimin e fushveprimtarisë së “Madison Global”, sepse e njëjta nuk është marr në mënyrën e duhur ligjore, siç parashihet mu kërku nga institucioni përkatës me informata shtesë por është printu vetëm nga faqja e internetit”, ka thënë avokati Florent Latifaj.

Tutje, avokati Latifaj, i cili në këtë çështje mbron të akuzuarën Hoxha, ka thënë se për të bindur trupin gjykues se kush janë “Madison Global”, mbrojtja do të propozoj prova tjera.

“Për me ju bind juve se kush janë ata, kolegia Albana ka me i prezantu si prova komunikimet e Kushtrim Cukaj me kompaninë, planin strategjik dhe ndihmën që ju kanë jep Ministrisë së Integrimeve dhe një dokument që është konfidencial”, ka thënë ai.

Sipas avokatit Latifaj, dokumente e lartcekura dëshmojnë punën e Operatorit Ekonomik “Madison Gobal”, ndërkaq lidhur me provën e propozuar nga prokurori Paca, ai tha “Faqja e dorëzuar nga prokurori nuk na tregon bash kurgjo hiq”.

E për këtë, prokurori Paca tha se prova të cilën e ka propozuar ai dëshmon vetëm datën e themelimit të kompanisë dhe juridiksioni ku e njëjta ushtron veprimtarinë.

Tutje, avokati Latifaj propozoi edhe disa prova të tjera, kryesisht artikuj të gazetave, me të cilat sipas tij, dëshmohet se si rezultat i lobimit të këtyre kompanive Kosova ka arritur për herë të parë të futet në agjenden e shtetit francez dhe ndikimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për liberalizimin e vizave.

Gjykimi ndaj ish-ministres Dhurata Hoxha dhe tjerëve, eksperti thotë se s’është e qartë përse autoriteti kontraktues hyri në kontratë me një operator të vetëm
Lexo po ashtu Gjykimi ndaj ish-ministres Dhurata Hoxha dhe tjerëve, eksperti thotë se s’është e qartë përse autoriteti kontraktues hyri në kontratë me një operator të vetëm

Këto prova nuk u kundërshtuan nga prokurori Paca edhe pse i njëjti tha se është befasuese si avokati Latifaj propozon prova të nxjerra nga internet.

“Po më befason fakti se si avokati propozoi prova që janë të marra nga interneti, e në anën tjetër kundërshton një provë të cilën ne e kishim marr nga interneti”, tha ai.

Prova të reja propozuan edhe mbrojtësit e të akuzuarve tjerë, ndër të cilat mbrojtësja e të akuzuarit Cukaj, avokatja Albana Kelmendi propozoi disa prova të cilat ishin në gjuhën angleze.

E lidhur më këto prova, gjykatësi Hoti tha se të njëjtat duhet të përkthehen në gjuhën shqipe dhe në atë mënyrë obligoi palët që të gjitha provat të përkthehen në mënyrë që të administrohen.

“Në lidhje me provat materiale shkresore, duke u bazuar pasi që gjuha e procedimit është gjuha shqipe, obligohet prokuroria që pjesët e provave që nuk janë dorëzua në gjuhën shqipe po edhe mbrojtja, konkretisht avokatja Albana Kelmendi, obligohet që deri në seancën e radhës të i dorëzoj provat në gjuhën e procedurës”, ka konstatuar gjykatësi Hoti.

Në këto rrethana, seanca e sotme u ndërprit dhe lidhur me provat gjykatësi Hoti tha se do të vendoset në seancat e radhës të cilat u caktuan të mbahen më 5 dhe 7 prill 2023.

Ndryshe, të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm në seancën e shqyrtimit fillestar, të mbajtur më 1 shtator të vitit të kaluar.

Sipas aktakuzës së ngritur më 7 korrik 2021, nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Dhurata Hoxha, Kushtrim Cukaj dhe Fitim Mustafa  po akuzohen se në vazhdimësi kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 2 lidhur me nenin 77 paragrafi 1 të KPRK-së.

Kurse, Demush Shasha dhe Nuhi Osmani po akuzohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ nga neni 414, paragrafi 2 të KPRK-së.

Në trend Lajme

Më shumë
Njësiti special serb “Kobra” dyshohet të jetë pjesë e trajnimeve të grupeve terroriste pranë kufirit me Kosovën

Njësiti special serb “Kobra” dyshohet të jetë pjesë e trajnimeve të grupeve terroriste pranë kufirit me Kosovën

Siguri
Togerja e Policisë së Kosovës fiton çmim ndërkombëtar për shërbim në komunitet

Togerja e Policisë së Kosovës fiton çmim ndërkombëtar për shërbim në komunitet

Siguri
A po e kushtëzon Sllovenia Kosovën me Asociacion për t'u bërë pjesë e Këshillit të Evropës - flet presidentja Pirc Musar

A po e kushtëzon Sllovenia Kosovën me Asociacion për t'u bërë pjesë e Këshillit të Evropës - flet presidentja Pirc Musar

Lajme
Konkursi për gradimin e policëve, dyshohet për favorizime të familjarëve të eprorëve

Konkursi për gradimin e policëve, dyshohet për favorizime të familjarëve të eprorëve

Siguri
Italiania e dashuruar me Sarandën: Sa erdha thashë do të jetoj këtu, tani kam biznes

Italiania e dashuruar me Sarandën: Sa erdha thashë do të jetoj këtu, tani kam biznes

Lajme
Meta: Ambasadorin italian do ta kisha shpallur “non grata” në Shqipëri

Meta: Ambasadorin italian do ta kisha shpallur “non grata” në Shqipëri

Lajme
Kalo në kategori