Prokuroria Speciale nuk mund t’i verifikojë të akuzuarit për krime lufte, njëri rezulton i vdekur para aktakuzës për Reçakun


Si rezultat i mungesës së bashkëpunimit me Serbinë, Prokuroria Speciale nuk mund të verifikojë plotësisht personat e akuzuar për krime lufte në Kosovë. Në aktakuzën për masakrën e Reçakut, njëri nga të akuzuarit që kishte pasur pozitë të lartë gjatë luftës rezulton se ka vdekur, e kjo nuk është hera e parë që ndodhë.
Në aktakuzën për masakrën Reçakut, i akuzuari i parë është Obrad Stevanovic, që gjatë luftës kishte pasur funksionin e gjeneralit dhe kishte qenë shef i administratës së MUP-it.
Por, në të dhënat e publikuara në internet rezulton se Stenvanovic ka vdekur në prill të vitit të kaluar, 8 muaj para se PSRK-ja të ngriste aktakuzë ndaj tij dhe 20 persona të tjerë.
Gjykimi ndaj tyre është propozuar të mbahet në mungesë meqë asnjëri nuk ka qenë i arritshëm për organet e drejtësisë.
Në prokurorinë speciale janë arsyetuar se nuk kanë konfirmim zyrtare për këta persona, që zakonisht janë shtetas të Serbisë. Shefi i departamentit për krime lufte në PSRK, Ilir Morina thotë se ky është problem që vazhdimisht po ballafaqohen.
“Çështja e personave të cilët mund të jenë të vdekur e për të cilët ne nuk kemi njohuri është një nga çështjet që po ballafaqohemi kohëve të fundit shumë, kjo është për pasojë e mungesës së bashkëpunimit juridik ndërkombëtar që Kosova ka me Serbinë ne bazohemi në dokumente zyrtare të cilët i kanë institucionet e Kosovës, në databazat e institucioneve të Kosovës. I verifikojmë të gjithë personat para se të ngrisim aktakuzën nuk del statusi i tyre nëse janë të gjallë apo të vdekur..”, deklaroi Ilir Morina – Shef i departamentit për krime lufte në PSRK .
Morina thotë se nuk mund të përdorin burime të tjera përpos atyre të institucioneve zyrtare.
“Burimet e hapura janë informacione të paverifikueshme ne mund ti marrim ato si informacion por pastaj procedurat zyrtare ne e kemi për detyrë me i verifiku nëse janë të sakta dhe verifikimi bëhet te organet zyrtare në këtë rast nëse jetojnë në Serbi duhet të verifikohet nga organet shtetërore të Serbisë, në këtë rast nga mungesa e bashkëpunimit ne nuk mund ta realizojmë këtë bashkëpunim”, deklaroi Ilir Morina – Shef i departamentit për krime lufte në PSRK .
Ky rast, nuk është i vetmi ku për krime lufte, janë akuzuar edhe persona që kishin rezultuar të vdekur.
“Unë e kam pas një rast kur personi ka vdek më shumë se 10 vjet dhe i kam tregu në Gjykatë që ky person ka vdek para më shumë se 10 viteve prokuroria dhe gjykata çka është me keqja kanë vazhduar më tutje për shkak se kanë thënë ne nuk e kemi verifikimin zyrtar nuk e kemi ende informacionin zyrtar, informacioni zyrtar prej Serbisë nuk vjen kurrë se është shtet që është në formë lufte me neve por ne duhet me kriju mekanizimin tonë të besueshëm”, deklaroi Arianit Koci- avokat .
Monitorues të punës së institucioneve të drejtësisë në rastet e krimeve të luftës, paralajmërojnë për efektin e këtyre veprimeve.
“Nëse vazhdohet me një ritëm të tillë, sigurisht do të ndikojë edhe tek integriteti i procesit në vetvete sepse sic e potencova edhe më herët personat e vdekur nuk lejohet apo nuk duhet të gjykohen sipas kodit të procedurës penale sigurisht që për presidentin e JFR-së, Sllobodan Millosheviqin prokuroria nuk e ka certifikatën e vdekjes dhe nuk mund të të thuhet që i njëjti nuk ka ndërruar jetë”, deklaroi Amer Aliaj – FDH
Gjykimi për 21 të akuzuarit për masakrën e Reçakut pritet të nis në muajin e ardhshëm, derisa Gjykata Themelore e Prishtinës tashmë e ka publikuar edhe ftesën për të njëjtit që të paraqiten në seancë fillestare, ashtu sic parashihet me ligj./Tv Dukagjini




































