LAJMI I FUNDIT:

Prokuroria heton Gërvallën për mosdeklarim të pasurisë

Prokuroria heton Gërvallën për mosdeklarim të pasurisë

Zëvendëskryeministrja e dytë e Qeverisë së Kosovës, njëherësh ministrja e Punëve të Jashtme (MPJ), Donika Gërvalla është duke u hetuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë pasi nuk e ka deklaruar pasurinë e saj.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj.

Sipas saj, rasti është cilësuar si ‘Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare’.

“Lidhur me kallëzimin penal kundër D.G., në drejtim të veprës penale ‘Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare’, iu njoftojmë se rasti është në fazën e hetimeve”, ka thënë Ulaj për Telegrafin.

Ndryshe, prokuroria e Shtetit kishte ngritur kallëzim penal edhe kundër ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Rozeta Hajdari, për mosdeklarim të pasurisë.

Lidhur me këtë kishte reaguar Hajdari, duke thënë se i ka kryer të gjitha obligimet me kohë dhe deklarimet e saja gjenden në faqen zyrtare të AKK-së.

“Sot u njoftova nga mediat se Agjencia kundër Korrupcionit (AKK) ka dorëzuar kallëzim penal kundër meje për gjoja mos deklarim ose deklarim të pasaktë të pasurisë.  Gjatë gjithë kohës si zyrtare publike, unë kam përmbushur detyrimin ligjor për deklarim të pasurisë dhe deklarimet përkatëse ndodhen në faqen e AKK-së”, kishte shkruar ajo në Facebook. /Telegrafi/