LAJMI I FUNDIT:

Prokuroria hesht karshi skandalit të CPP-ve false

Prokuroria hesht karshi skandalit të CPP-ve false

Disa kompani farmaceutike kosovare janë në prag të falimentimit pasi që ato janë mashtruar rëndë nga prodhues serbë të barnave, të cilët iu kishin shitur barna në vlerë prej më shumë se 3 milionë eurosh me Certifikata të Kualitetit të Produkteve (CPP) të falsifikuara. Pas hetimit barnat janë bllokuar, ku Policia lëndën e ka dorëzuar në Prokurori. Ndërkaq këta të fundit nuk po mund ta identifikojnë rastin

Një numër jo i vogël i kompanive farmaceutike kosovare janë goditur rëndë nga prodhues serbë të barnave, të cilët për një kohë të gjatë iu kishin shitur kompanive kosovare barna me Certifikata të Kualitetit të Produkteve (CPP).


Gazeta “Zëri” ditë më parë ka raportuar se tri kompani serbe të barnave “Hemofarm”, “Jugoromedia” dhe “Zdravlje”, duke falsifikuar Certifikata të Kualitetit të Produkteve (CPP), për një kohë të gjatë iu kanë shitur sasi të madhe të barnave esenciale, të cilat janë përdorur kryesisht nëpër institucionet publike shëndetësore në vend.

Por në atë kohë, pas një hetimi ndërkombëtar ku kanë qenë të përfshira Policia e Kosovës, EULEX-i dhe INTERPOL-i, ka rezultuar se CPP-të që kanë sjellë ato në Agjencinë e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicionale (AKPPM) kanë qenë të falsifikuara, ku dhe me vendim të Autoriteteve Kosovare është bllokuar një sasi e barnave në vlerë prej më shumë se 3 milionë eurosh.

Për shkak se kanë kaluar më shumë se tre vjet prej kur se ato janë bllokuara, tash të gjitha ato janë me afat të skaduar dhe si të tilla nuk mund të përdoren.

Pronarë të kompanive kosovare që kanë rënë viktimë e kompanie serbe po ankohen se kanë humbur, por edhe po humbin shuma të mëdha parash, pasi që ato prej më shumë se tre vjetësh po paguajnë qira për t’i ruajtur produktet nëpër depo. Sipas tyre, institucionet e vendit duhet ta kryejnë punën e tyre në mënyrë që kompanitë serbe që kanë falsifikuar CPP-të të dalin para drejtësisë. /Zëri/Telegrafi/