Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj njëmbëdhjetë personave, të dyshuar për përfshirje në veprimtari të paligjshme të bixhozit dhe armëmbajtje pa autorizim.

Dhjetë prej tyre – A.O, G.N, A.Sh, H.R, M.K, P.A, E.B, A.J, R.B dhe F.H – akuzohen për veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, ndërsa i pandehuri F.M ngarkohet me veprën “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.


Sipas aktakuzës prej 26 faqesh, Prokuroria ka dokumentuar veprimet e secilit të pandehur, bazuar në hetimet e zhvilluara brenda afatit ligjor. Në dosje thuhet se më 17 gusht 2025, rreth orës 02:00, i pandehuri A.O dyshohet se në lokalin e tij “Te Katamt”, në fshatin Isniq të Deçanit, ka organizuar lojëra të fatit me qëllim përfitimi të kundërligjshëm financiar.

Prokuroria pretendon se në të njëjtën natë, nëntë personat e tjerë kanë marrë pjesë në këtë veprimtari, duke bashkëorganizuar lojërat e bixhozit.

Ata janë gjetur nga Policia e Kosovës në një dhomë të veçantë të lokalit, ku dyshohet se po luhej bixhoz. Disa prej të pandehurve kanë tentuar të largohen përmes një dere alternative, por janë arrestuar në vendngjarje.

Gjatë bastisjes, policia ka sekuestruar letra bixhozi dhe një shumë të konsiderueshme parash – 17.578 euro në total – që gjendeshin tek secili prej të pandehurve.

Ndërkohë, ndaj F.M është ngritur aktakuzë e veçantë pasi dyshohet se posedonte armë pa autorizim gjatë natës së intervenimit.

Prokuroria ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë se të akuzuarit kanë kryer veprat penale që u vihen në barrë. Me rastin e ngritjes së aktakuzës, prokurori i çështjes ka propozuar që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit. /Telegrafi/