LAJMI I FUNDIT:

Projektligji për vlerat e UÇK-së: Mbrojtje apo frikësim?

Projektligji për vlerat e UÇK-së: Mbrojtje apo frikësim?

Kuvendi i Kosovës pritet që të enjten të votojë në parim Projektligjin për mbrojtjen e vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ky projektligj, i propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës, ka nxitur reagime të shumta për shkak se po vlerësohet se mund të cenojë lirinë e shprehjes si dhe krijon mundësi për të frikësuar dëshmitarë potencialë të proceseve gjyqësore ku përfshihen ish-pjesëtarë të UÇK-së.

Projektligji ka disa nene të cilat po i kontestohen.

I pari është neni 3 që definon atë se çka është vlerë e luftës, pastaj neni 5 që flet për respektimin e vlerave të luftës si dhe neni 9 që flet për dispozitat ndëshkuese.

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, thotë se kjo iniciativë ligjore ka më shumë qëllime politike sesa të mbrojë vlerat e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Nëse lexohet ky ligj me kujdes shihet se është i hartuar jashtëzakonisht dobët. Ky ligj në njërën anë synon t’i mbrojë vlerat e UÇK-së e në anën tjetër ky ligj nuk ka dispozita ndëshkuese, do të thotë nuk dihet cilat janë masat qoftë në aspektin civil, qoftë në aspektin penal. Ky ligj do të jetë i pazbatueshëm”, thotë Miftaraj.

Neni 5 i këtij projektligji që flet për respektimin e vlerave të luftës thotë se: “Çdo zyrtarë publikë dhe qytetar i Republikës së Kosovës detyrohet t’i respektojë dhe mbrojë vlerat e luftës të përcaktuara me këtë ligj në çdo kohë dhe në çdo rrethanë brenda dhe jashtë vendit”.

Ky nen sipas Ehat Miftarajt, mund të keqpërdoret në të ardhmen për të heshtur çdo kritikë si dhe për të frikësuar ata që mund të ketë mendim të kundërt.

“Mbrojtja më e mirë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të ishte nëse do të zbuloheshin rreth 40 mijë veteranë të rrejshëm, e të cilët nesër mund të përdorin mu këtë nen, nenin 5, ndaj çdo zyrtari publik apo qytetari të Kosovës, vetëm pse ata mendojnë se përmes një shkrimi në Facebook apo një kritike, i kanë cenuar vlerat e tyre”, thotë Miftaraj në një bisedë për Radio Evropa e Lirë.

Ligj që frikëson dëshmitarët

Por, qëllimet që mund të fshihen pas këtij projektligji mund të jenë më të mëdha sipas drejtorit të organizatës “Çohu”, Arton Demhasaj.

Ai beson se miratimi i këtij projektligji mund të shërbejë si mjet për frikësimin e dëshmitarëve potencialë në rastet gjyqësore në të cilat të akuzuar janë ish-pjesëtarët e UÇK-së.

Kjo sipas tij përfshin dëshmitarët potencialë në proceset eventuale në kuadër të Gjykatës Speciale si dhe procesin tjetër gjyqësor që lidhet me ish-pjesëtarët e UÇK-së, atë për veteranët e rrejshëm.

“Nëse ky ligj futet në fuqi, askush nuk do të guxojë të shkojë për të dëshmuar as në Gjykatë Speciale, e as në procesin gjyqësor ndaj veteranëve të rrejshëm sepse menjëherë mund të iniciohen procedura ndaj tij sepse i ka shkelur vlerat e luftës, sepse në kuadër të nenit për vlerat e luftës është edhe veterani”, thotë Demhasaj.

Në proces gjyqësor të akuzuar janë ish-eprorë të rëndësishëm të luftës së UÇK-së si Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj e Xhavit Jashari.

Se çka futet në kuadër të vlerave të luftës është e përcaktuar në nenin 3 të Projektligjit për vlerat e luftës.

Në kuadër të këtij projektligji, mes tjerash, si vlerë e luftës është futur edhe “veterani”.

Të rënët për liri, flamuri i UÇK-së, stema e UÇK-së, shtabi i përgjithshëm, drejtoria politike e UÇK-së, shtabet dhe zonat operative, arkiva e UÇK-së si dhe Kompleksi memorial “Adem Jashari”, janë futur si vlera të luftës për t’u mbrojtur me ligj.

Në rast se Projektligji aktual për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së miratohet në Kuvendin e Kosovë, si ligj do të ketë implikimet buxhetore prej 2 milionë e 250 mijë eurosh, pa i llogaritur edhe investimet.

Mendime të kundërta për ligjin

Kuvendi i Kosovës dështoi që ta votonte këtë projektligj në seancën e 7 gushtit për shkak të mungesës së kuorumit.

Gjatë diskutimeve në kuvend pati kundërshtime të shumta.

Propozuesi i këtij projektligji, deputeti i PDK-së, Gazmend Bytyçi, gjatë seancës së kaluar tha se ky ligj mund të mos ideal, porse qëllimi është i mirë.

Më kritiku ishte shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi i cili tha se projektligji ka të meta, mangësi dhe shtrembërim të historisë së luftës së UÇK-së.

Kundërshtimi ndërkombëtar

Me përmbajtjen e projektligjit nuk është pajtuar ambasada amerikanë në Prishtinë. Përmes një reagimi të datës 7 gusht, ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Philip Kosnett, ka alarmuar për rrezikun që prodhon ligji sa i takon cenimit të lirisë së shprehjes.

“Penalizimi i kritikës ndaj çfarëdo grupi apo individi është hap i rrezikshëm, edhe nëse nuk është me atë qëllim, drejt autoritarizmit”, ka thënë Kosnett përmes një deklarate.

Kosnett po ashtu ka thënë se në rast të futjes në fuqi të këtij ligji, do të minohej përpjekja për të siguruar drejtësi.

“Dëshmitarët, pa marrë parasysh prejardhjen e tyre, do të pyesnin se a do të mund të dënoheshin për shkak të dëshmisë për krimet e supozuara të individëve të asociuar me UÇK-në, madje edhe nëse ata individë janë akuzuar se kanë vepruar të vetëm, e jo në emër të grupit”, kishte shkruar Kosnett në reagimin e tij.

Mendim të njëjtë me Kosnett ndau edhe ambasadori i ri i gjerman, Jorn Rohde si dhe ambasada e Zvicrës në Kosovë, e cila përmes një reagimi tha se “ligji i propozuar mund të shkaktojë frikësim në mesin e disa qytetarëve të Kosovës dhe të pengojë proceset e tjera që synojnë trajtimin e së kaluarës”. /REL/

Në trend Lajme

Më shumë
Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Lajme
Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës,

Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës, "Octopus": Urgjentisht të koordinohen veprimet me ndërkombëtarët

Siguri
Aktivisti i PSD-së i shkon në tavolinë deputetit të LVV-së: A po ju vjen marre që e pranuat

Aktivisti i PSD-së i shkon në tavolinë deputetit të LVV-së: A po ju vjen marre që e pranuat "Zajednicën", për Këshillin e Evropës...

Lajme
Vrasjet e fundit, ekspertët tregojnë lagjet më problematike të Prishtinës

Vrasjet e fundit, ekspertët tregojnë lagjet më problematike të Prishtinës

Siguri
Votimi i Malit të Zi kundër Kosovës në KiE, Gjeloshaj: Qëndrimin tonë do ta japim kur të votohet në Këshillin e Ministrave

Votimi i Malit të Zi kundër Kosovës në KiE, Gjeloshaj: Qëndrimin tonë do ta japim kur të votohet në Këshillin e Ministrave

Lajme
Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Lajme
Kalo në kategori