LAJMI I FUNDIT:

Projektligji për Demarkacionin dërgohet në Kryesi të Kuvendit (Video)

Projektligji për Demarkacionin dërgohet në Kryesi të Kuvendit (Video)

E plotësuar: Komisioni për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike në mbledhjen e mbajtur sot ka vendosur që Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi t’ia kthejë sërish Kryesisë së Kuvendit për shqyrtim dhe pastaj Kryesia të vendos se kur do ta vë në rend dite.

Komisioni votoi baras lidhur me atë a të dërgohet në Kryesi për shqyrtim apo në seancë për votim dhe si rrjedhojë kryetarja e Komisionit, Vjosa Osmani e dërgoi sërish për shqyrtim në Kryesi të Kuvendit.


Osmani tha se Prokuroria është duke hetuar pretendimet se Komisioni i parë ka punuar në bazë të dokumenteve të falsifikuara dhe është më e arsyeshme derisa prokuroria të dal me ndonjë sqarim të mos u rekomandohet deputetëve se si të votojnë.

“T’i rekomandohet Kryesisë së Kuvendit që ta dërgojë në seancë për shqyrtim”, ka thënë Osmani.

Sipas saj, edhe ashtu rekomandimi i Komisionit nuk i detyron deputetët se si të votojnë, por vetëm u rekomandohet.

Osmani tha se edhe lidhur me Gjykatën Speciale, Komisioni nuk u kishte rekomanduar fare deputetëve se si të votojnë.

Doruntina Maloku nga LDK-ja tha se për shkak të rëndësisë së madhe që ka ky Projektligj është më e arsyeshme t’i procedohet për shqyrtim Kryesisë së Kuvendit.

“Më mirë t’ia procedojmë Kryesisë së Kuvendit. Ata ta dërgojnë në seancë dhe deputetët të vendosin”, tha ajo.

Ilmi Reçica nga PDK-ja tha se çështja e demarkacionit ka vite që trajtohet.

‘Të mos futemi në kalkulime kush ka të drejtë dhe kush jo. Komisioni nuk raportimin e fundit nuk ka sjell risi”, tha ai, duke shtuar se meqenëse nuk janë për rekomandim pozitiv të paktën deputetëve mos t’i rekomandohet fare se si të votojnë.

E plotësuar: Disa nga anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme kanë kërkuar që Kuvendit t’i bëhet një rekomandim negativ për këtë marrëveshje, saktësisht t’i rekomandohet deputetëve të mos e votojnë marrëveshjen.

Anëtarët Visar Ymeri dhe Aida Dërguti nga Vetëvendosje, pastaj Zafir Berisha nga Nisma për Kosovën, Time Kadrijaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kërkuan që rekomandimi për Marrëveshjen e Demarkacionit  të jetë negativ.

Visar Ymeri nga VV-ja tha se deputetëve duhet dhënë rekomandim negativ për Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi dhe pastaj deputetët e kanë fjalën përfundimtare.

Zafir Berisha nga Nisma tha se Komisioni i ri ka pretenduar se është punuar në bazë të dokumenteve false dhe se Komisioni i udhëhequr nga Murat Meha i ka tejkaluar kompetencat.

Për shkak të kësaj, Berisha tha se deputetëve duhet dhënë rekomandim negativ për votimin.

Edhe Time Kadrijaj tha se deputetëve duhet t’i jepet rekomandim negativ për marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi.

Projektligji për demarkacionin me Malin e Zi në Komisionin për Punë të Jashtme

Ka filluar të mbahet mbledhja e Komisionit për punë të jashtme, diasporë dhe investime strategjike, ku do të shqyrtohet Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.

Ndryshe, në fund të vitit të kaluar janë mbajtur dy mbledhje nga ky komision, ku kanë diskutuar rreth Projektligjit për Demarkacionin me Malin e Zi.

Kryetarja e këtij komisioni, Vjosa Osmani ditë më parë ka thënë se komisioni nuk do të dalë më me qëndrim lidhur me këtë çështje, por vetëm do ta procedojë për shqyrtim në Kuvend, pa bërë rekomandime për deputetët nëse duhet ta votojnë ose jo Marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi.