LAJMI I FUNDIT:

Programi qeveritar i LSDM-së është sipërfaqësor përballë shqiptarëve?

Programi qeveritar i LSDM-së është sipërfaqësor përballë shqiptarëve?

Formimi i qeverisë së re në Maqedoni ende mbetet një nga çështjet thelbësore për dalje nga kriza politike. Kryetari i Maqedonisë duhet të caktojë mandatar Zoran Zaevin, por ai para dy jave mbajti një konferencë për shtyp me gazetarët dhe bëri të ditur se ndërgjegjja nuk i lejon atij t’ia jap mandatin Zaevit, sepse sipas tij, kryetari i LSDM-së e rënon sovranitetin e Maqedonisë. Edhe sot e kësaj dite çështja për caktimin e mandatit mbetet pezull, shkruan Telegrafi Maqedoni.

Pas konferencës së Ivanovit, kryetari i LSDM-së, Zoran Zaevi para katër ditëve ka mbajtur konferencë për shtyp. Ai e prezantoi programin për qeverinë e ardhshme, gjegjësisht platformën e LSDM-së. Theks të veçantë në konferencë u vu tek çështjet etnike, si dygjuhësia, kartëmonedhat. Por parashtrohet pyetja se a duhet të kenë prioritet vetëm çështjet etnike apo paralelisht duhet t’i kushtohet rëndësi edhe ekonomisë, drejtësisë dhe sferave tjera! Realisht, ku janë shqiptarët në këtë program, LSDM gjithmonë ka krijuar idenë e qytetarizmit dhe nuk ka folur në mënyrë të veçantë për sferat tjera që janë me interes për shqiptarët. Opinionisti Albert Musliu për Telegrafi Maqedoni thotë se nuk duhet parë punët bardhë e zi dhe se qeveritë nuk merren vetëm me çështjet etnike.


‘Te ne shumë i shohin punët bardhë e zi. Nuk ka qeveri që merret vetëm me një punë. Qeveritë dhe politikanët nuk zgjidhen për një çështje. Ka 18 ministri. Çfarë duhet të themi ne tani? Por edhe ne shqiptarët nuk mund të themi se nuk ka intereson kultura, bujqësia, trasnporti, financa, domethënë nuk duhet t’i shohim punët bardhë e zi. Neve na duhen të gjitha çështjet të rregullohen, duke nënkuptuar këtu edhe gjuhën. Por edhe atyre të cilët thonë se nuk është prioritet gjuha, duhet tu thuhet se, po për shqiptarët edhe drejtësia edhe gjuha edhe zhvillimi ekonomik, por edhe punësimi, janë tema prioritare. Domethënë qeveria nuk është vetëm realizues i një projekti, por ajo i realizon të gjitha çështjet’, vlerëson Albert Musliu.

Përndryshe politikologu Bashkim Bakiu thotë se programi qeveritar i LSDM-së është kryesisht programë socialdemokrate.

‘Natyrisht e ndërthurrur me rethana të reja, por në kuadër të asaj që është biseduar gjatë fushatës zgjedhore. Këtu kemi ngritjen e pagave si dhe çështjen e zhvillimit të barabartë rajonal që kanë qenë të spikatura në lidhje edhe më herët, sidomos zhvillimi rajonal, por që fatkeqësisht ka munguar implementimi. Si risi përmendet zgjidhja e rasteve të dyshimta (të montuara) që fatkeqësisht viktimë janë shqiptarët, Monstra dhe Sopoti. Për shkak të situatës së krijuar rreth platformës dhe antagonizmit me OBRM-në, ishte zbutur çështja e shqiptarëve. Për shembull përdorimi i gjuhës dhe në kuadër të platformës qeveritare, e intepretoj si çështje që do ngrihet në kuadër të kushtetutës dhe ligjeve aktuale. Përparësi për shqiptarët janë të dyjat, sepse pa eliminimin e Gruevskit nuk mund të realizohen edhe çështjet që janë të përshira në platformën shqiptare’, thekson për Telegrafin politikologu Bakiu.

Maqedonia mund të ketë perspektivë vetëm me konceptin qytetar. Qytetarizmi nuk e përjashton asnjë etni, përkundrazi është shumë gjithpërfshirëse dhe politikani i vetëm për gazetarin Xhenis Sulimani është Zoran Zaevi.

‘Rënia e regjimit të Nikolla Gruevskit është prioritet mbi prioritetet në Maqedoni. Kjo për arsye se me rrënimin e regjimit të OBRM-PDUKM-së mbaron kapitulli më i errët i jetës politike në Maqedoni. Maqedonia mund të ketë perspektivë vetëm me konceptin qytetar. Qytetarizmi nuk e përjashton asnjë etni, përkundrazi është shumë gjithpërfshirëse. Zoran Zaev është më afër këtij koncepti se kushdo tjetër. Partitë politike shqiptare në 15 vitet e fundit, me theks të veçantë BDI dhe OBRM-PDUKM, kanë devijuar në përmbylljen e temave etnike në Maqedoni. Këta të fundit me qëllim nuk i kanë zgjidhur çështjet, që t’i përdorin si karta për poena politikë gjatë fushatave zgjedhore. Kjo rezultoi me situatë të tensionuar që po e rrezikon sigurinë në vend. Konsideroj se ne tani nuk mund të kthehemi 15 vite pas dhe tani të vendosim në rend të parë gjëra etnike kur duhet dënuar krimin institucional. Nëse nuk dënohet krimi, nuk do të kemi hapësirë për përfshirjen e çfarëdo platforme në Qeveri, ndërkaq me konceptin qytetar dhe gjithëpërfshirës të Zoran Zaevit shumë më lehtë shqiptarët do të aplikojnë kërkesat e tyre’, deklaron Sulimani, gazetar dhe opinionist.

Zaevi në konferencën e fundit u drejtua para gazetarëve me fjalët se Gjorge Ivanov ka kohë jo më shumë se 10 ditë ta bëjë këtë, duke e caktuar atë si mandator për formimin e qeverisë së re. Mbetet deri atëherë të shihet nëse çështjet e shqiptarëve do të avancohen vetëm në aspektin etnik apo edhe në sferat tjera. /Telegrafi/