LAJMI I FUNDIT:

Programi (jo)zhvillimor i një qeverie

Programi (jo)zhvillimor i një qeverie
Fadil Sahiti (foto: Fahredin Spahija)

– I –

Secili lexues me edukim mesatar ekonomik, e kupton se me programin zhvillimor të qeverisë (2021-2025), perspektiva e zhvillimit ekonomik në Kosovë edhe më tutje mbetet e pasigurt. Kemi të bëjmë me një program të hartuar shpejt, pa analizë paraprake, e mbi të gjitha pa kornizë strategjike që mundëson zhvillim ekonomik. Në këtë shkrim nuk debatohen qëllimet tautologjike dhe populiste të këtij programi, si lufta kundër pandemisë, padia për gjenocid kundër Serbisë apo ajo për krijimin e Fondit Sovran. Në fokus të kësaj analize janë aspektet që lidhen me atë që në program quhet ringjallja ekonomike.


Në shikim të parë duket që, së paku në letër, programi e vë theksin në zhvillimin ekonomik të vendit. Por, në thelb, programi është një përshkrim i përgjithshëm, tautologjik, i shumë problemeve tona ekonomike. Programit i mungon qasja serioze dhe e mbështetur në evidencë empirike. Fitohet përshtypja sikur ata që e kanë hartuar programin nuk e kanë idenë themelore se si mund të “ringjallet” një ekonomi, ndonëse personalisht nuk e di nëse ekonomia kosovare ka qenë ndonjëherë e ‘gjallë’ apo dinamike e që tani qeveria kërkon ta ringjallë. E kam të vështirë ta kuptojë se si u ngjallka një ekonomi “me masa për rritjen e likuiditetit të amvisërive dhe me mbështetjen e atyre që kanë nevojë më së shumti për ndihmën shtetërore”. Teoritë moderne (ato që operojnë në vendet kapitaliste) rritjen ekonomike e ndërlidhin me rritjen e kapacitetit të një vendi për të prodhuar mallra dhe shërbime, e jo përmes rritjes së “likuiditetit të e amvisërive”. E, këto mallra dhe shërbime nuk i prodhon as qeveria, e as ‘amvisëritë’, por sipërmarrësit privatë.

I tërë programi përshkohet nga roli i shtetit në ekonomi. Në parim edhe unë besoj në rolin e shtetit në rritjen ekonomike të një vendi, por jo në mënyrë direkte siç pretendon ta bëjë qeveria aktuale, përmes intervenimit në ‘rritjen e likuiditetit tek amvisëritë’! Roli i shtetit në ekonomi duhet të kufizohet në krijimin e ligjeve dhe rregullave të parashikueshme, implementimi i të cilave mundëson vendosjen e rregullave të lojës, të standardeve në treg. Vetëm kështu mundësohet krijimi i një ekonomie dinamike ku ndërmarrësia nuk udhëhiqet nga nevoja për ekzistencë, por nga mundësitë që ofron tregu. Roli i shtetit duhet të kufizohet në mbështetjen dhe inkurajimin e investimeve private nga ndërmarrës vendorë dhe të huaj. Pa këto, investimet private që derivojnë nga stimujt e tregut nuk mund të shfrytëzohen për të mirën e përbashkët.

Siç u tha më sipër, ky program qeverisës fare pak është i mbështetur në evidencë empirike. Por, çfarë na thotë kjo evidencë? Sipas kësaj evidence, ekonomia e Kosovës është e stërmbushur me firma të vogla, jo efiçiente, të cilat as nuk largohen nga tregu, as nuk zhvillohen. Kjo ekonomi është e populluar nga firma të imta, ‘stagnante’, pa ndonjë nxitje për të inovuar. Andaj, fokus i programit mbështetës qeverisës nuk duhet të jenë të gjitha firmat që operojnë në treg. Programi qeverisës duhet të ketë në fokus krijimin e një mjedisi afarist që do të promovonte firmat e pajisura me kapacitete inovative, ato që aspirojnë të rriten, që kanë për qëllim të zgjerojnë pjesën e tyre të tregut dhe gjithashtu të hyjnë në tregje të reja. Vetëm ky mjedis do të forconte konkurrencën në treg dhe do të nxiste firmat tjera të rrisin efikasitetin e të bërit biznes, për t’u bërë më të mëdha.

Si mund të mbështetet ky ambient afarist?

Krijimi i një ekonomie dinamike kërkon reforma thelbësore, së paku në tri fusha themelore: krijimi i një ambienti të sigurt për investime private (stabiliteti politik, sundimi i ligjit, korrupsioni, informaliteti etj.), qasje më cilësore në fonde financiare, si dhe reformim thelbësor i sistemit arsimor.

Nuk ka nevojë të theksohet rëndësia e stabilitetit politik dhe institucional për një investitor privat. Është krejtësisht iluzore të presim që ky stabilitet do rritet pa zgjidhjen e konfliktit të ngrirë me Serbinë që, sipas pikëpamjes, sime është gjeneratori kryesor i jostabilitetit institucional. Aspektet tjera kanë të bëjnë me aprovimin dhe implementimin e ligjeve që lehtësojnë largimin nga tregu të firmave më pak efikase dhe nxisin rritjen e atyre më inovative. Kjo është thelbësore për të shpejtuar rialokimin e burimeve ekonomike nga firmat më pak produktive në ato më produktive. Kjo do të kërkonte një përmirësim thelbësor të politikave të konkurrencës, uljen e pengesave për hyrjen e firmave të reja dhe në të njëjtën kohë përmirësimin e cilësisë institucionale të ekonomisë dhe strukturën rregullatore. Reforma të tjera do të përfshinin ligjet e falimentimit dhe legjislacionin e konkurrencës. Për më tepër, rritja e transparencës së sistemeve tatimore, përmirësimi thelbësor i sundimit të ligjit, mund të ndihmojë firmat efikase që të ulin pasigurinë e tyre në rritjen e shkallës së operacioneve të tyre (në shkrimin vijues fokus i analizës do të jetë reformimi i sistemit financiar në Kosovë).