LAJMI I FUNDIT:

“Bija e shqiptarit”, aktore me famë botërore: Lamtumirë Irene Papas

“Bija e shqiptarit”, aktore me famë botërore: Lamtumirë Irene Papas

Në moshën 96 vjeçare ka vdekur aktorja e famshme, Irine Papas. Luajti në mbi 70 filma, në një karrierë që përfshin më shumë se 50 vjet. Fitoi njohje ndërkombëtare përmes filmave të tillë të njohur të vlerësuar me çmime, si “The Guns of Navarone” (1961) dhe “Zorba the Greek” (1964). Origjina e aktores së njohur (Irenë Papa Leleku), është kundërshtuar shpesh, sidomos nga biografët grekë. Gjatë bashkëbisedimeve që ka pasur me aktorin shqiptar Bekim Fehmiu, ajo e ka pranuar origjinën e saj shqiptare. Ndoshta ky fakt e bënte më të madhe miqësinë mes tyre.

Vangelis dhe Irene Papas: Kënga për shqiptarin e përvetësuar nga grekët – Telegrafi


Prejardhjes së saj shqiptare i ka kushtuar vëmendje studiuesi grek Aristidh Kollia në librin e tij “Arvanitasit dhe origjina e grekëve” botuar në Athinë më 1983.

Vetë aktorja në një intervistë e pyetur se përse ishte kaq esmere, është përgjigjur se “i ngjaj nënës sime”.

“Ajo vinte nga Epiri, ndërsa im atë vinte sipas gjasave nga Shqipëria. Ndoshta jam shqiptare, ose gjysmë shqiptare. Peloponezi është përplot me shqiptarë”.

Studiuesi i kinemasë, Abaz Hoxha, e ka përmëndur origjinën e saj shqiptare, në librin “Shqiptarët në kinematografinë botërore”.

Po kush është Irena Papa Leleku? Lindi në Athinë më 3 shtator 1926.

E filloi karrierën artistike që në moshën 10 vjeçare si këngëtare dhe kërcimtare në variete. Mbaroi studimet e larta në Shkollën e Dramës të Teatrit Kombëtar të Athinës. Roli i saj i parë në kinematografi ishte “Engjëjt e humbur” (1950). Ka luajtur kryesisht role kryesore dhe veçanërisht të heroinave të tragjedive klasike greke për të cilat ka patur një tërheqje të veçantë duke qënë edhe nga ana e jashtme “e prerë” për rolet e tragjedive klasike. Debutoi me shumë sukses në kinematografinë botërore e veçanërisht në atë italiane, franceze dhe amerikane.

U njoh për herë të parë me interpretimin në filmin grek “Nekropolita” (Qytet i vdekur, 1951). Që me këtë film ra në sy të kineastëve italianë dhe lidhi një kontratë me kompaninë Lux Film me të cilën interpretoi në shumë filma. Më pas u angazhua në shumë filma amerikanë dhe koproduksione italo-amerikane, anglo-amerikane, spanjolle-amerikane, greko-amerikane etj. duke u shndërruar gradualisht në një aktore shumë të kërkuar dhe me renome ndërkombëtare.

Ajo u bë në shumë filma personifikim i interpretimit të roleve të heroinave të tragjedive e veçanërisht të tragjedive klasike greke edhe si pasojë e fizikut dhe bukurisë së saj klasike. Së bashku me Melina Mercourin dhe Katina Paxinou, u takon atyre artisteve që kapërcyen kufijtë kombëtarë dhe arritën të sigurojnë një karrierë të suksesshme ndërkombëtare.

“Zorba”, nga romani në film – Telegrafi

Ka interpretuar në filma nga Amerika në Francë, nga Anglia në Itali, nën drejtimin e regjisorëve të njohur Robert Wise, Michael Cacoyannis, Elio Petri, Alberto Lattuada, Francesko Rosi, Costa Gavras etj.

Irena Papa ka interpretuar rolet kryesore të heroinave të tragjedive si atë të Elektrës, Klitimestrës, Penelopës, Antigonës, perandoreshës Teodora, Katerina e Aragonës, rolin e vejushës në filmin shumë të suksesëshëm “Zorba”, të gjyshes në filmin “Erendiras” etj. Në vitin 1959 ka interpretuar gjithashtu rolin e heroinës të revolucionit grek të 1821, arvanitases Laskarina Bubulinës.

Ajo e ka ngritur veten në rangun e “yjeve” të kinemasë botërore jo vetëm nga fiziku dhe paraqitja e jashtme, por kryesisht sajë mjeshtërisë artistike duke evokuar tragjeditë e lashta me interpretimet e roleve, secilin të ndryshëm nga njëri tjetri. Ajo ka interpretuar kryesisht role klasike stoike dhe epike. Së bashku me Melina Mërkurin doli jashtë kufijve të atdheut të saj duke u bërë një aktore e preferuar dhe një “yll” ndërkombëtar. Në karrierën e saj artistike ajo ka interpretuar përkrah aktorëve të njohur si Anthony Quinn, Gian Maria Volontè, Bekim Fehmiz, Marlon Brando, Katharine Hepburn etj.

Interpretoi në mbi 80 role në kinema dhe televizion. Për interpretimet e saj të shquara në kinema dhe në teatër, është nderuar me disa çmime kombëtare dhe ndërkombëtare.

U nderua me titullin e nderit si “Gruaja e Evropës” – një titull që u jepet grave që kanë kontribuar së tepërmi në civilizimin evropian.

Irena Papa u zbulua fillimisht nga regjisori i njohur Elia Kazan, ndërsa Federico Fellini ishte një admirues i madh i veprës së saj. Irena ka qenë edhe një shoqe e dashur e aktores tjetër të madhe me njohje ndërkombëtare, Katherinë Hepburn, me të cilën ka interpretuar në filmin “Gratë trojane” (1971). Hepburn ka deklaruar se: “Irena është një nga aktoret më të mira në historinë e kinemasë”! Ndërsa, një nga miqtë e saj më të afërt ka qënë edhe aktori i madh Marlon Brando.

Sikurse edhe aktorja tjetër greke me renome dhe famë ndërkombëtare, Melina Mercouri, ka regjistruar disa disqe. Disqet e saj janë titulluar “Odes” dhe “Rapsodies” që përmbajnë këngë dhe himne tradicionale të Kishës Ortodokse. Këto disqe janë aranzhuar nga Vangelis Papathanassiou. Ajo ka regjistruar edhe këngë të kompozuara nga Mikis Theodorakis.

Ndonëse herë pas herë e viziton vendin e saj të lindjes, nuk dëshiron të kthehet në Greqi mbasi atje vuan së tepërmi nga një ndjenjë kritikash keqdashëse.