LAJMI I FUNDIT:

Librat dhe “profecitë” apokaliptike!

Librat dhe “profecitë” apokaliptike!

Profecitë e mëdha e kishin parathënë. Në tekstet më të njohura profetike ka pjesë të cilat me një saktësi të jashtëzakonshme paralajmerojnë ardhjen e një Princi te Zi, aty mes fundit të Mijëvjeçarit të dytë dhe fillimit të të tretit, transmeton Telegrafi.

Termi “Antikrisht” vjen nga besimi i krishterë. Ai shënon kundërshtarin e Jezusit dhe të kishës së tij, i cili shfaqet në këtë botë “kohët e fundit”, pra përpara fundit të botës. Dhe, synimi i tij është: shkatërrimi i Mbretërisë së Zotit së bashku me premtimin për shpëtimin e njerëzve. Në tekstet e shenjta kristiane ai cilësohet “bisha”, “biri i shkatërrimit”, “magjepsësi i madh”. Sipas disa studiuesve, ardhja e tij nuk mund të përcaktohet në “kohët e fundit të botës”, pasi ai kthehet në mënyrë ciklike mbi tokë, duke vepruar nëpërmjet personazheve veçanërisht mizore. Rrjedha e historisë ka perkufizuar si Antikrisht qeveritare gjakderdhës të tillë, si: Neroni, Napoleoni, Hitleri apo Stalini.


Tekstet që profetizojnë ardhjen e Antikrishtit në kohën tonë janë të panumërt. Merimanga e Zezë, pseudonimi i një monarku bavarez të shekullit XVI, la një libër profecish, ku ai lajmëron vit pas viti ngjarjet e së ardhmes. Të dhënat për Antikrishtin shumohen pas vitit 1990. Merimanga e Zezë shkruan se Antikrishti do të vijë nga Lindja, nga vendet arabe dhe ai e quan “Princi i Zi”. Ai i përshkruan aktivitetin, duke folur për vitin 1996 (të cilin ai e përkufizon si “fjala e Princit te Zi”); 1999-n, që e cilëson si “kryengritja e Caino-s”; 2000-n, që e quan “lavdia e zjarrit”; 2001-n, “nga Mali Sepolcro” dhe vitin 2002: “nata kaloi”. Sipas Merimanges së Zezë, Antikrishti “zbret nga rruga e diellit mbi një guackë të tërhequr nga katër kuaj të zinj. Pelerina e tij ka ngjyrën e borës, zëri i tij ka dridhjen e gjëmimit dhe dora e tij e fortë dhe e sigurt kur lëviz, urdhëron”. Pra, ai vjen nga Lindja, ka katër bashkëpunetorë, është i veshur me të bardha dhe fjalët e tij kanë dridhjen e gjëmimit, ndoshta sepse janë të tmerrshme dhe përhapen në gjithë botën nëpërmjet një mjeti të fuqishëm, televizionit. Dora e tij është e sigurt, lëvizja e saj tregon urdhëra, aq sa ithtaret e tij sakrifikojnë jetën për t’i zbatuar ato. Monarku gjerman zgjatet tek përshkruan aktivitetin e këtij princi. “Tryezat e ligjit do të hidhen në pluhur dhe do të tërhiqen nga hekuri i kuajve… “ Pra, do të jetë një njeri që nuk do t’ia ndiejë për ligjin dhe do të ketë si qëllim të tijin luftën kundër besimit të krishterë.

“Perandoria e tij do të rrojë pesëmbedhjetë hëna. Në çerekun e parë të hënës së gjashtëmbëdhjetë pika të hidhura djerse do të krijojnë kurorën për banketin e gjëmave. Dhe këtu Princi i Zi do të kapërcejë tridhjetë lule të thara. Pengesa e fundit do të jetë një mal zjarri. Do të ndihen flakët që ngjiten në grykë dhe goja do të jetë e thatë, si rëra në shkretëtirë”. Por edhe ai do të ketë një fund në kohë (“pesëmbëdhjetë hëna”). Dhe ai do t’i vijë pas pengesës së fundit (“një mal zjarri”). Duke përshkruar vitin 2001, që ai e quan “nga Mali Sepolcro”, Merimanga e Zezë të lë të kuptosh se ky mal zjarri është një luftë, e cila përfundon shumë shpejt. “Askush nuk ka dëgjuar të flitet për luftë, por lufta ka kaluar. Askush nuk ka parë shpatë, por shpata ka vrarë… Toka ka marrë një pamje të re në shumë vende… Në qiell nuk do të ketë më shqiponja. Dhe qielli, më së fundi, do të jetë i pastër. Një ligj për kohët që do të vijnë do të çohet në territoret e Romës nga një njeri i veshur me të bardha, por me një njollë të kuqe në lartësinë e zemrës”.

Santa Ildegarda, themeluesja e manastirit të Bingenit në Gjermani, jetoi në shekullin XI. Ajo profetizoi shumë ngjarje për kohët e ardhme dhe ofroi, madje, edhe mjaft të dhëna për Antikrishtin. Në librin e saj “Sciviat” ajo shkruan: “Bota sapo e kishte kapërcyer pragun e moshës së gjashtë dhe po hynte në të shtatën, ku ajo i paraprin ditës së fundit; në këtë kohë Antikrishti zbret mes njerëzve, kurse në fronin e Pietros ulet një Papë, i cili mban emrat e dy apostujve të Jezusit… Do të jetë engjëlli i rebelimit, që do të bëjë të bien nga qielli shkëndija zjarri”. Edhe këtu është koha e një ndryshimi epokal, kalimi nga një mijëvjeçar në tjetrin. Dhe për të qenë më e saktë, Santa Ildegarda shton një veçanti të habitshme (“Kur në fronin e Pietros do të ulet një Pape, që do të mbajë emrat e dy apostujve te Jezusit”), e dhënë e saktë kjo që ka të bëjë me Gjon Palin. Antikrishti do të jetë engjëlli i rebelimit, i cili do të bëjë “të bien nga qielli shkëndija zjarri”, thirrje makabre për tragjedinë e Nju-Jorkut të ardhur nga qielli.

Luis Enrich, i shekullit XV, ka lënë të shkruar: “Do të quhet H.D. (njeriu diabolik) dhe do ta gjeni ngado, në kohën kur lumi i vjetër do të bashkohet me lumin e ri. Asnjë krijesë e botës nuk do të ketë aq shumë shërbëtore në shërbim të tij sepse aftësia dhe pasioni i tij i madh do të jetë ndërrimi shumë i shpeshtë i veshjes. Do t’i dalë botës i veshur si perandor dhe gladiator, kardinal dhe ambasador, mbret dhe ministër, princ dhe bari. Por çdo veshje do të mbajë gjithnjë të njëjtën shenjë, atë të Cezar-it”. Fjalia “në kohën kur lumi i vjetër do të bashkohet me lumin e ri” le të kuptosh që jemi në një kalim epokal, nga Mijevjeçari i dytë në atë të tretë, pra në kohën tonë. Karakteristika kryesore e “njeriut diabolik” do të jetë metamorfoza, ndryshimi i vazhdueshëm, dalja nën pamje, personalitete dhe qëndrime të ndryshme. Pra, do të jetë një njeri i rremë, i gatshëm për të luajtur të gjitha rolet, vetëm e vetëm që të arrijë qëllimin e tij. Por nën çdo ndryshim, do të mbetet e njëjta shenjë, ajo e “Cezarit”, që ndryshe përkthehet si etje për para, pushtet dhe sundim mbi njerëzit.

Ka një profeci të parathënë nga Orvali, por të paralajmëruar nga një murg dishepull i San Bernardos, i cili jetonte pranë manastirit të Orvalit, në dukatën e Luksenburgut. “Të shenjtët do të vuajnë shumë”, lexohet në këtë profeci, “kur do të vijë njeriu i së Keqes. Ky personazh që do t’i ketë rrënjët te gjarpri, do të ketë dy lloje gjaku. Ai do të rritet në fund të Mijëvjeçarit”. Duke vazhduar me profecinë e tij, murgu i Orvalit shkruan: “Gjithçka që do të prekë ky personazh i së Keqes do të thahet. Do të thahet edhe lulja e bardhë. Do të thahet pesë herë, ndërkohë që në qiell do të kalojnë treqind e dyzet e tri hëna. Në atë kohë do të ketë shumë të këqija dhe pak të mira. Njerëzit do t’i prekë një çmenduri e lehtë dhe do t’i shndërrojë në milingona. Do të vazhdojnë të vrapojnë përreth një mali, të sigurt se atje gjendet një thesar. Ndërsa, nën pluhurin e arit do të ketë hi. Dhe nën hi do të gjendet një kufomë në dekompozim. Njerëzit e kohëve të fundit do ta adhurojnë malin e mbuluar me ar. Por, kur të zbulojnë se po adhurojnë një kufomë, do të jetë shumë vonë, sepse vetë njerëzit adhurues do të shndërrohen në kufoma”.

Murgesha e Dresdenit, që ka jetuar mes shekullit XVII dhe XVIII ka lënë të shkruar: “Do të vijë një kohë kur zëri do të fluturojë. Njerëzit do të flasin mes maleve dhe deteve. Do të vijë edhe një kohë kur pamjet do të fluturojnë. Ndërsa njerëzit do ta shohin njëri-tjetrin mes për mes maleve dhe deteve. Mes viteve 1940 dhe 2010 mbi tokë do të sundojë hiearkia satanike, e udhëhequr nga një demon që do të flasë gjuhën e Attilas, por do të veshë rrobat e Cezarit… Kjo do të jetë mbretëria e kobit”. Këtu bëhet fjalë për një personazh mizor si Attila, i cili vjen nga Lindja dhe shkakton gjakderdhje nën stilin e një romaku.

Një profeci që i vishet Innocent Rissaut, pohon se Antikrishti do të lindë nën Piun XII në Palestinë dhe lindja e tij do të shoqërohet me daljen e një komete. Ai do të fillojë aktivitetin e tij aty nga viti 1980 dhe do të afirmohet si monark universal në vitin 2000 me shkatërrimin e Romës. Veprimet e Antikrishtit do të vazhdojnë tri vjet e gjysmë, ku ai më pas do të vritet. Ndërsa njerëzimi, pas shumë vuajtjesh, do të presë ardhjen e re të Krishtit.

Natyrisht që edhe Nostradamusi, një nga më të famshmit e profetëve laikë, ka lënë plot të shkruara për Antikrishtin e kohës sonë. Këtë teze e mbështet dhe e ilustron haptazi një studiues i kujdesshëm i profecive të Nostradamusit, Luciano Sampietro, një avokat i famshëm nga Trieste, i cili gëzon një pasion po aq të ngjashëm edhe për letërsinë profetike. Në librin e tij të fundit “Mijëvjeçari i tretë” ai u kushton një hapësirë të gjerë ngjarjeve që po përjetojmë, duke pohuar që Nostradamusi i kishte parashikuar ato. Ditën pas tragjedisë së Nju-Jorkut, i pyetur nëse sipas Nostradamusit do të kishte të tjera tragjedi, avokati iu përgjigj: “Po, tjetra do të ngjasë në Tuluze”. E pabesueshme, por e vërtetë. “Po, po këtë thashë”, na pohon avokati. “Ka një hartë të Nostradamusit që sjell emrin e një kanali në Tuluze. Dhe nga tërësia e radhëve të tij del se në atë qytet do të ndodhë vërtet diçka shumë e rëndë”.

Sipas avokatit Luciano Sampietro, në radhët e Nostradamusit ka të dhëna shumë të sakta në lidhje me figurën e Antikrishtit që do të veprojë në kohën tonë. Të dhënat gjenden sidomos në atë pjesë të veprës së Nostradamusit, e cila përkufizohet si ‘gjashtëvargëshe’. “Disa studiues”, shpjegon avokati Sampietro, “i konsiderojnë të rreme sepse ato kanë dalë për herë të parë në një botim të veprës në vitin 1605, kur Nostradamusi kishte më shumë se 40 vjet që kishte vdekur. Përveç kësaj, paraqiten me një strukturë metrike të ndryshme nga ‘katërvargëshet’. Por, detaje të ndryshme kanë vërtetuar se nuk është kështu. Në këto gjashtëvargëshe gjenden mjaft të dhëna për Antikrishtin e kohëve tona. Në radhë të parë, disa nga këto gjashtëvargëshe mbajnë data të sakta. Nostradamusii flet për vitin 605, 606, 607, 609 etj. Një gjë është e sigurt: ai nuk kishte për qëllim t’i referohej të shkuarës, pra viteve para vitit 1000 dhe as ndonjë të ardhmeje të afërt, 1605, 1606 etj., për vetë faktin se profeti francez vdiq në vitin 1566”.

“Unë kam zbuluar”, vazhdon Sampietro, “se çelësi i leximit është dhënë nga vetë Nostradamusi në radhën e fundit të katërvargëshit të ’54 të qindëshes së gjashtë. Në atë katërvargësh ai flet për ndodhi që kanë të bëjnë me mbretin e Marokut dhe thotë se do të ndodhin në ‘vitin 607 të Liturgjisë’. Përjashto 607 përpara vitit 1000, nuk mund të flitet as për vitin 1607 sepse në atë kohë nuk ekzistonte mbreti i Marokut, pasi kombi ishte ndarë mes familjesh që luftonin mes tyre”. Po përse Nostradamusi i shton ‘607-s” fjalën “Liturgji”? “Unë kam bërë kërkime dhe kam gjetur se liturgjia e krishterë ka filluar zyrtarisht në vitin 392, me përpilimin e Breviarium Gallicum, simbolin e lutjes zyrtare të Kishës, e cila më pas është adoptuar gjithandej. Pra, ky numër i duhet shtuar datave të dhëna nga Nostradamusi. Kështu: 1605+392=1997; 1607+392=1999; 1609+392=2001 etj.. Të gjitha këto data të sjellin në kohën tonë”.

Që nga ekstremizmi kërcënohet një rrezik i madh, kjo është thënë shumë herë edhe nga një personazh i njohur dhe jo aq i largët për kohën tonë: Papa Piu XII. Ky personazh ka qenë një nga Papet me të mëdhenj të historisë. Ka mbretëruar në fronin e Pietros për pothuajse 20 vjet, nga viti 1939 e deri në vitin 1958, duke e udhëhequr kishën në periudhën dramatike të Luftës së Dytë Botërore dhe fillimin e erës së re të shkencës, e cila pasoi këtë luftë. Personazh i diskutuar, i shenjtë për katolikët dhe shumë i kritikuar nga disa historianë laike, të cilët e akuzojnë se nuk e dënoi hapur nazizmin, Piu XII ka qenë edhe një njeri karizmatik me vizione mistike.

Procesi i shenjtërimit të tij ka përfunduar dhe me siguri që ai do të ngrihet në lavdinë e altarëve. Kështu, në shkrimet dhe fjalimet publike të Piut XII gjenden thënie të shumta që evokojnë terrorizmin me prejardhjen nga fanatizmi islamik. Ja disa prej tyre: “Kërcënimi më i madh për Lindjen e Mesme do të jetë fanatizmi. Izraeli do të përjetojë çaste shumë të vështira sepse do të gjendet i përfshirë në një luftë pa kufij… Do të pushojnë luftimet, por paqja nuk do të vijë. Do të jetë një shtet që nuk do ta njohë paqen… Parandjenja ime më thotë se, për fat të keq, shteti i Izraelit nuk do të ketë paqe… Terrorizmi është një fenomen që do të përhapet dhe do të gllabërojë shumë vende, përfshi këtu edhe Italinë. Kur ai të ndihet fitimtar, atëherë do ta nxjerrë kokën, do të ndihet se është gjallë… Do të jetë një problem shumë i madh gjaku dhe shqetësimi që do t’i shoqërojë brezat e ardhshëm… Shumë të krishterë do të jenë të detyruar të largohen nga Lindja e Mesme, për shkak të mostolerancës islamike… Në fund të Mijëvjeçarit do të flitet për paqe, ndërkohë që do të ndizen vatrat e vjetra të luftrave fetare”.

Po Fatima?

Për vite me radhë u fol për “Sekretin e tretë” të Fatimas, me hamendje, që parashihnin skenare apokaliptike. Më pas, në vitin 2000, me dëshirën e Gjon Palit II, u arrit në botimin e asaj pjese të sekretit ende të panjohur, ku flitej për atentatin ndaj Papës. Autoritetet kishtare, me bërjen publike të këtij shkrimi, u shprehën se tashmë kishte ndodhur gjithçka dhe që parashikimet katastrofike, të përhapura në rrjedhën e viteve, nuk kishin asnjë bazë. Kështu që për këtë “sekret” u pushua së foluri e së shkruari. Ndërkohë, studiues të ndryshëm të këtyre çështjeve, mes të cilëve disa teologë dhe priftërinj, janë shprehur se, sipas tyre, ajo pjesë e sekretit nuk kishte të bënte me të shkuarën, por me të ardhmen. Jo vetëm kaq. Ata të lënë të dyshosh se jo gjithçka është bërë e njohur për publikun. Sekreti i Fatimas u rikthye me gjithë kureshtjen e djeshme dhe të tashme. Fjalitë, të mbetura “sekrete” deri vitin e shkuar, i lënë përsëri udhë mendimit dhe analizës. “Pamë”, shkruhet në profeci, “shumë priftërinj, besimtarë dhe besimtarë që të ngjisin një mal të thikët, në maje të të cilit gjendej një kryq i madh… Ati i Shenjtë, përpara se të mbërrinte, i ra mes për mes një qyteti të madh gjysmë të shkatërruar. Nën një hap të rëndë dhe i pushtuar nga dhimbja dhe keqardhja, ai u lut për shpirtrat e kufomave që haste gjatë rrugës. Me të mbërritur në majë të malit, i rraskapitur siç ishte, ai u ul afër kryqit të madh dhe më pas u vra nga një grup ushtarësh, të cilët e qëlluan me armë zjarri dhe shigjeta. Në të njëjtën mënyre vdiqën njëri pas tjetrit edhe priftërinjtë, besimtarët, besimtaret dhe shume njerëz të tjerë laikë, burra dhe gra të shtresave dhe të popujve të ndryshëm”. /Telegrafi/