LAJMI I FUNDIT:

Prizreni që s’pret

Prizreni që s’pret

1. Një qytet i lashtë ka sedër të hollë. Prekja e saj mallkon. Veçanërisht e rëndë është nëma kur mbi fytyrën e tij ka përftuar shumë lot, gjak e dhimbje njerëzore. Prizreni është njëri prej tyre, qytet i ndjeshmërisë, krenisë e kujtesës historike. Dhe ai gatitet sërish, si kryehershëm, të presë e ndijojë krerë të epërm shqiptarë. Por, konformohet vallë plotësisht caksynimi i këtyre që vijnë tani (anëtarë qeverish të të dy vëndeve), në madhështinë e historisë që ky qytet e ka për zemër? Apo do mbetet stoli e simbolikës së tij?

Dikur aty patën zbritur misionarë kombi nga e gjithë hartografia etnike, për të përskajuar mëvehtësinë unike të tokave të Arbërit, ndërkohë që tani pararendësit e tyre latojnë një bashkëpunim mes dy shtetesh (njërit sovran, po të këputur nga bijtë e vet dhe një tjetri të gjysmëndaluar e brejtur nga çdo anë) në hapsinë ende të coptuar nacionale. Është mot tjetër, njëmend, por megjithatë një paralele shpaloset idhshëm mbi rrethnajën dhe protagonistët e saj. Ata kishin sakrificën – kurse këta veç përfitimet; ata kishin çiltërinë dëshmidhënëse – e këta kanë meskinërinë fuqimarrëse; mandej, ndërsa ata shkrinin pasurinë për idealet – këta shkrijnë idealet e shkërmoqura për pasurinë përrallore; ata jepnin vizion e shpresë – këta ravijëzojnë ëndërr e të ardhme; ata, tutje, nuk agjitonin askurrë fetë – këta, fatmjerisht, i shpërdorin për resurse pushtetare, po, në fakt, religjioni i tyre i vërtetë është religjioni i arrogancës bestiale të parasë; ata, së mbrami, nuk kishin vokacionin negativ të krahinarizmit provincial – e këta janë, përfundimisht, flamurtarë të paemancipuar të feudëve të tyre politikë.


Rrjedhimisht, ka pësuar mort klinik vetë ideja e lirisë. Dekadenca e saj gërryen e gropos themelet e qenies nacionale. Shteti e kultura janë antagonistë. Kur shteti, e pra dhe fuqia militare, shtohet, aherë zvetnohet kultura e tij. Ndaj, gjemanët janë mërzitur me shpirtin, sepse shteti gllabëron gjithçka të bukur shpirtërore. A ka libra të mirë në Gjermani? Po, Bizmarku, u thoshte Niçe me qesëndi miqëve të penës jashtë Atdheut! Poashtu dhe ndërsjelltas, kur kultura flakëron, shteti tashmë është i tërhequr në bedenat e vet modest. Kështu mendonte ai, por me sa duket, ka dhe një gjëndje të midisme, si në truallin verior të shqiptarëve: kur të dy bashkë, shteti e kultura, katandisen keq!

2. Natyrisht, konteksti ka konstelacion e shenjëzim të rinuar. Po dhe trashëgimi të vjetër, po ashtu. Shqiptarët, vegjëlia e tyre, kanë bërë tutje ndër vite. Kanë zhvilluar prapë luftëra dhe kanë kapur kurora triumfesh. Por, ndonëse lëvizën më shumë drejt interesit jetik shqiptar në fundshekull, janë gjithnjë sallonet e errëta të rezonit shtetëror, që, tash si atëherë, bëjnë të jetë akoma e trishtuar ëndrra e Burrave të shquar të Lidhjes.

A do arrijë, prandaj, ky samit i lartë guvernash të vete përtej shakullimës zhurmore të tij (Fondi i Luginës, që për dallim nga ai serbian për veriun, e ka të pasigurtë legjitimimin ndërkombëtar, pastaj arsimi, komplementariteti ekonomik…) apo, s’do të begatojë veçse simbolikën e qytetit kujtestar? Për të pasur një paravlerësim, duhet parë se ç’objektiv është vënë përpara në këtë fillimmijëveçar të ri! Bëhet me dije se aty, në përmbyllje, do të dokumentohet një partneritet strategjik mes dy landesh shqiptare. Rëndësore, pa dyshim. Po a ngjan, ndërkaq, i denjë ky fill për ti dhënë atij përmasën e veçanësisë? Pak vështirë! Pse? Sepse strategjike janë cilësuar, pokështu, dhe raportet me shtetet e turkut e grekut. Madje, me tension emfatik e besim ardhmërie. Ku do të qëndronte, që këtej, përveç përbashkësisë plenare, e ndryshmja e relatave strategjike me Kosovën? Do të donim që prapa termit formal të diplomacisë mbarëshqiptare, të drunjtë e ngurruese, të ngjizet një marrëdhënie speciale si embrion vlere paralajmëtare. Porse, i mësuar me zhgënjimet e të vetëve dhe përbetimet e të huajve, Prizreni s’pret shumë. Ndoshta pritja e tij i përket një kohe tjetër. Një kohe që vjen. Me flijim e heronj të rinj.