Prizreni forcon mbështetjen për fëmijët në rrezik, Totaj nënshkruan marrëveshje me “Terre des hommes”

Kryetari i Komunës së Prizrenit Shaqir Totaj ka nënshkruar sot Marrëveshje Bashkëfinancimi me Fondacionin “Terre des hommes Lausanne” në Kosovë, me qëllim të vazhdimit të mbështetjes dhe ofrimit të shërbimeve të specializuara për fëmijët në situatë rruge dhe fëmijët në rrezikshmëri të lartë.
Përmes kësaj marrëveshjeje synohet forcimi i shërbimeve në Qendrën në Nashec, si dhe rritja e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve lokale, Qendrës për Punë Sociale dhe Policisë së Kosovës, për mbrojtjen dhe mirëqenien e fëmijëve.
“Përmes kësaj marrëveshjeje, do t'i forcojmë shërbimet në Qendrën në Nashec dhe bashkëpunimin me Qendrën për Punë Sociale e Policinë e Kosovës, duke vendosur mbrojtjen dhe mirëqenien e fëmijëve në qendër të angazhimit tonë”, është shprehur kryetari Totaj.
Komuna e Prizrenit ka theksuar se do të vazhdojë bashkëpunimin me organizatat dhe institucionet relevante për krijimin e kushteve më të mira për fëmijët në nevojë dhe për ofrimin e mbështetjes së nevojshme sociale. /Telegrafi/





































