LAJMI I FUNDIT:

Priten pishat disavjeçare në Gjakovë, Stacioni i Autobusëve: Kanë qenë të kalbura, rrezikonin qytetarët

Priten pishat disavjeçare në Gjakovë, Stacioni i Autobusëve: Kanë qenë të kalbura, rrezikonin qytetarët

Gjatë ditës së diel qytetarët e Gjakovës janë shqetësuar nga prerja e disa pishave dhjetëvjeçare në afërsi të stacionit të autobusëve.

Reagime ka pasur edhe nga partia opozitare në këtë komunë, Lëvizja Vetëvendosje.


LVV ka akuzuar kryetarin Ardian Gjini për degradim të ambientit.

“Komuna e Gjakovës me në krye Ardian Gjinin, pas degradimit urbanistik të secilës lagje të qytetit me ndërtime të cilat i shohim çdo ditë e  dimë se si bëhen, pas fenomenit të murosjes së rrugëve e parqeve të qytetit sipas “shijes” së atij që është njeri që e ka parë botën siç thotë shpesh vet, tani po vazhdon edhe me eliminimin final të atyre pak hapësirave të gjelbra të mbetura në qytetin tone”, thuhet në reagimin e LVV-së.

Sipas LVV-së, aktet e sotme të prerjes së këtyre drunjve tek Stacioni i Autobusëve, janë akte të pa pranueshme dhe denigruese për këtë qeverisje lokale e cila po e shfrytëzon pushtetin e saj në dëm të interesave të banorëve të Komunës së Gjakovës.

Mirëpo ka reaguar edhe Stacioni i Autobusëve në Gjakovë, i cili ka shpjeguar pse është bërë prerja e këtyre drunjve.

“Prerja e pishave në afërsi të stacionit të autobusëve është bërë për shkak se të njëjtat kanë qenë të kalbura dhe kanë paraqitur rrezik për kalimtarët. Gjithashtu stacioni i autobusëve planifikon renovim dhe jemi duke e përgatitur terrenin për një gjë të tillë”, thuhet në reagim./Telegrafi/