Kryesia e Pejës nuk është aspak e kënaqur me angazhimin e disa lojtarëve kundër Sigal Prishtinës. Për këtë arsye pritet të ketë dënime. Kryetari i klubit, Art Gashi, ka thënë se momentalisht nuk do të ketë largime, por kush është i pakënaqur mund të largohet. Ndërkohë, basketbollisti Drilon Hajrizi, thotë se përgjegjësia është e trajnerit.

Ditë jo të mira për Pejën. Skuadra pejane është mposhtur dy herë për pesë ditë nga Sigal Prishtina, madje me rezultat bindës. Në takimin e fundit basketbollistët ‘verdhezinjë’ kanë dëshpëruar totalisht, madje edhe lojtarët kyç kanë dështuar. Kjo solli shumë pakënaqësi në kampin e Pejës. Kryetari i klubit, Art Gashi, flet për gjendjen në klub.


“Çdo skuadër mund të humb, por jo në këtë formë si ne. Ata që janë të pakënaqur mund të largohen pa problem. Tash do të shohim se si do të reagojnë në ndeshjen e ardhshme me Teodo Tivatin. Trajneri nuk ka aspak faj. Faji është te lojtarët që nuk janë angazhuar maksimalisht. Disa basketbollistë nuk po angazhohen. Ata që nuk e duan klubin dhe nuk e respektojnë mund të largohen”, u shpreh Gashi për ‘Sport Plus’.

Ai kishte një fjalosje me Samir Shaptahoviqin pas ndeshjes. “Samiri nuk ka qenë i kënaqur me minutazhën. Por, nëse është i pakënaqur mund të largohet si çdo lojtar tjetër. Kjo vlen për të gjithë. Kam biseduar me trajnerin dhe kemi vendosur që të mos ndryshime deri pas ndeshjes me Teodon. Në këtë sfidë do të shihet se si do të reagojnë lojtarët. Do të ketë masa ndëshkuese për lojtarët, por kjo varet nga trajneri se si do t’i dënojë lojtarët. Ne kemi probleme financiare. Nuk është me rëndësi sa muaj. Lojtarët do t’i marrin pagat e tyre, siç i kanë marr deri më tani. Lojtarët që hynë në fushë duhet të japin maksimumin”, theksoi Gashi për gazetën tonë.

Hajrizi gishtin nga trajneri

Kontakti me Samir Shaptahoviqin të dielën ka qenë i pamundur, derisa Drilon Hajrizi, gishtin e ka drejtuar nga trajneri Sllobodan Savoviq.

“Nuk e di çfarë po ndodh me Pejën. Kemi ekip të mirë. Kam luajtur pak dhe trajneri duhet të merr përgjegjësinë. Është bërë ndryshim i madh sa i përket trajnerit dhe loja jonë ka ndryshuar tërësisht. Tani i takon trajnerit të gjejë zgjidhje. Nuk është puna te pagat, pasi çdo lojtar që hyn në fushë pranon të jap maksimumin. Ne kemi ekip më të mirë se këto rezultatet e fundit dhe shpresoj se këto probleme do të zgjidhen sa më shpejtë”, deklaroi Hajrizi.

Peja ndodhet në vendin e dytë në elitën e basketbollit të Kosovës me një pikë më pak se Sigal Prishtina dhe shumë vështirë se do të arrijë të dalë në vendin e parë në garat e rregullta. /SportPlus/Telegrafi/ 

telegrafi sport app