Prishtina plot me vizitorë, apel për ruajtjen e pastërtisë në sheshet e kryeqytetit

Me rritjen e numrit të vizitorëve dhe qytetarëve në kryeqytet, është shtuar edhe angazhimi për mirëmbajtjen e pastërtisë në hapësirat publike të Prishtinës.
NPL Sport Marketing ka falënderuar Kompaninë Regjionale të Pastrimit për punën dhe përkushtimin e ekipeve të saj në mbajtjen e pastër të shesheve të Prishtinës, veçanërisht gjatë kësaj periudhe të ngarkuar.
Sipas njoftimit, ekipet e pastrimit kanë vazhduar punën në terren për të siguruar që hapësirat publike të jenë në gjendje sa më të mirë për qytetarët dhe vizitorët.
“Falënderojmë Kompaninë Regjionale Pastrimi për punën e tyre të palodhshme në mbajtjen e pastërtisë së hapësirave në sheshet e Prishtinës, sidomos gjatë kësaj periudhe të ngarkuar nga vizitorët dhe qytetarët e shumtë”, thuhet në njoftim.
Njëkohësisht, qytetarëve u është bërë apel që të kontribuojnë në ruajtjen e ambientit, duke shmangur hedhjen e mbeturinave në hapësirat publike.
NPL Sport Marketing ka falënderuar qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin, duke theksuar rëndësinë e kujdesit të përbashkët për një kryeqytet më të pastër. /Telegrafi/




































