Prishtina e Re merr fitore ndaj Drenicës dhe e kalon në tabelë

Prishtina e Re ka marrë një fitore jetike në luftë për mbijetesë, duke triumfuar në udhëtim te Drenica me rezultat të pastër 0-2.
Kryeqytetasit e rinj nuk janë dorëzuar sa i përket mbijetesës dhe tanimë kanë marrë dy fitore radhazi në pranverë.
Që nga fillimi i ndeshjes ishin mysafirët që krijuan më shumë dhe në minutën e 45-të gjetën golin e parë.
Florijan Kadriu asistoi te Lorik Dobratiqi i cili shënoi me kokë për 0-1.
Edhe në pjesën e dytë ishin mysafirët që shënuan, me autor të golit sërish Dobratiqin.
Deri në fund bardhekaltërtit u mbrojtën mirë dhe mbajtën portën e paprekur duke fituar 0-2.
Me këtë fitore Prishtina e Re i ik fundit të tabelës dhe del në pozitën e nëntë me 21 pikë, sa ka edhe Drenica e fundit.
Ndeshjen e radhës Drenica luan në udhëtim te Ballkani, derisa Prishtina e Re pret Llapin. /Telegrafi/




















































