LAJMI I FUNDIT:

Prishtina bëhet me dy kryekuvendarë, LDK e PDK shpërfillin vendimin e MAPL-së

Prishtina bëhet me dy kryekuvendarë, LDK e PDK shpërfillin vendimin e MAPL-së

Pavarësisht që Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) e ka hedhur poshtë shkarkimin e Fehmi Kupinës nga pozita e kryesuesit të Kuvendit Komunal të Prishtinës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës kanë zgjedhur kryesuesin e ri.

Dy partinë në pushtet kanë zgjedhur kryekuvendar në Prishtinë Pëllumb Bajqinovcin, në një seancë të jashtëzakonshme të mbajtur të premten.


Në këtë mënyrë, ato kanë shpërfillur MAPL-në, që në aspektin ligjor është organi i cili e shqyrton ligjshmërinë e vendimeve të Kuvendit Komunal.

MAPL-ja i shpall të pavlefshme vendimet e pozitës për ndërmarrjet publike në Prishtinë
Lexo po ashtu MAPL-ja i shpall të pavlefshme vendimet e pozitës për ndërmarrjet publike në Prishtinë

Kështu ka thënë në një prononcim për Telegrafin Sadri Rrmoku nga Instituti për Qeverisje Lokale, i cili ka shpjeguar se nëse vlerësohet që vendimi i MAPL është i paligjshëm, duhet të kontestohet në Gjykatë. Dhe sipas tij, deri në vendimin e saj mbetet në fuqi kryesuesi paraprak i Kuvendit Kominal.

Sadri Rrmoku

“Në momentin që MAPL-ja e ka kontestuar dhe e ka kthyer mbrapsht vendimin për shkarkimin e Fehmi Kupinës, nënkupton që ai është ende në fuqi, pra nuk konsiderohet i shkarkuar. Në këtë rast, nëse vlerësohet që vendimi i MAPL është i paligjshëm, duhet të kontestohet në Gjykatë.

Pëllumb Bajçinovci zgjidhet kryesues i ri i Kuvendit Komunal të Prishtinës
Lexo po ashtu Pëllumb Bajçinovci zgjidhet kryesues i ri i Kuvendit Komunal të Prishtinës

Dhe deri në vendimin e Gjykatës, atëherë mbetet në fuqi kryesuesi paraprak, në këtë rast Kupina”, ka deklaruar Rrmoku.

Telegrafi ka provuar që të kontaktojë me kryesuesin e ri Pëllumb Bajqinovcin, por i njëjti nuk ka qenë i qasshëm. Ndërsa, asamblisti i LDK-së, Ajet Brajshori, ka thënë se vendimi i së premtes ka bazë ligjore.

Ajet Brajshori

Ai për Telegrafin ka deklaruar se paraprakisht janë konsultuar me Zyrën Ligjore si dhe këshilltarët politikë, ndërsa ka insistuar se vendimi është i mbështetur në rregulloren e Kuvendit Komunal.

“Procesi i sotëm është mbështetur në ligj, në udhëzim administrativ dhe në rregullore. Gjithçka mendojmë se është në rregull, por munden me kontestu nëse duan, mund të iu drejtohen Gjykatës. E kemi pranu shkresën e MAPL-së që thotë se Kuvendi i Komunës së Prishtinës ligjërisht ka kryesues, por vendimi ynë është i ligjshëm”, ka thënë Brajshori.

Ai tutje është shprehur se ky vendim do të publikohet edhe në faqen zyrtare të komunës dhe se “gjithçka do të jetë në bazë të rregullores”.

“Seanca e ardhshme do të udhëhiqet nga ai që është zgjedhur sot pasi është zgjedhur me shumicë votash dhe nuk mund të paragjykojë se çka mund të ndodh”, ka deklaruar asamblisti i LDK-së.

I pyetur nëse e kanë dërguar vendimin e MAPL-së në Gjykatë, Brajshori ka thënë se nuk ka informacion të tillë.

“Nuk e di a e ka dorëzuar. E kemi diskutuar edhe dje edhe sot këtë, por nuk kam informacion nëse është dorëzuar në Gjykatë”, ka përfunduar ai.

Kupina ishte zgjedhur në fillim të mandatit me votat e asamblistëve të subjekteve politike që e bëjnë pushtetin lokal në Prishtinë. Muajin e shkuar ai ka dhënë  dorëheqjen nga LDK-ja dhe ka bashkuar votat me opozitën për t’i shkarkuar aksionarët e ndërmarrjeve publike. /Telegrafi/