Princi Andrew, vëllai më i vogël i mbretit të Britanisë, Charles III, ka njoftuar se po heq dorë nga të gjitha titujt dhe nderimet e tij, përfshirë atë të Dukës së Jorkut, me efekt të menjëhershëm.

Ky veprim vjen pas presionit në rritje ndaj princit për shkak të raporteve të reja rreth lidhjes së tij me pedofilin e dënuar Jeffrey Epstein dhe një spiun të dyshuar kinez.


Megjithatë, Andrew do të mbetet ende princ, duke qenë se e fitoi këtë titull që nga lindja si djali i Mbretëreshës Elizabeth II.

Është mësuar se ish-gruaja e tij, Sarah Ferguson, nuk do ta përdorë më titullin e saj të Dukeshës së Jorkut.

Në një deklaratë zyrtare, Princi Andrew shpjegoi vendimin e tij: "Në diskutime me Mbretin dhe familjen time të ngushtë dhe të zgjeruar, kemi arritur në përfundimin se akuzat e vazhdueshme kundër meje po shpërqendrojnë vëmendjen nga puna e Madhërisë së Tij dhe Familjes Mbretërore."

"Kam vendosur, si gjithmonë, ta vë detyrën time ndaj familjes dhe vendit në vend të parë. I qëndroj vendimit tim të pesë viteve më parë për t'u tërhequr nga jeta publike", shtoi ai.

"Me pëlqimin e Madhërisë së Tij, mendojmë se tani duhet të shkoj një hap më tej. Prandaj, nuk do ta përdor më titullin tim apo nderimet që më janë dhënë. Siç e kam thënë tashmë, i mohoj fuqimisht akuzat kundër meje."

Ndryshe, Princi Andrew ka qenë nën vëzhgimin publik për vite me radhë për lidhjen e tij me miliarderin amerikan dhe pedofilin e dënuar Jeffrey Epstein.

Fotografi dhe dëshmi e kanë lidhur atë me rrjetin e Epstein, dhe në qendër të skandalit ka qenë Virginia Giuffre, e cila pretendoi se Epstein, me ndihmën e bashkëpunëtores së tij të ngushtë Ghislaine Maxwell, e detyroi atë të kryente marrëdhënie seksuale me princin kur ajo ishte e mitur.

Giuffre përshkroi tre takime - në Londër, New York dhe në ishullin privat të Epstein - duke pretenduar se princi e dinte që ajo ishte 17 vjeç në atë kohë.

Andrew i ka mohuar me forcë të gjitha akuzat, por arriti një zgjidhje jashtë gjykatës me Giuffre në vitin 2022, duke rënë dakord të paguante një zgjidhje multimilion dollarëshe pa pranuar fajin.

Giuffre kreu vetëvrasje në prill .

Princi u vu nën presion të mëtejshëm nga akuzat për lidhje me spiunen e supozuar kineze Christine Lee, e cila, sipas raporteve nga shërbimi britanik i inteligjencës MI5, kishte ndërtuar lidhje politike dhe shoqërore në dobi të qeverisë kineze për vite me radhë.

Edhe pse Andrew nuk u akuzua zyrtarisht për bashkëpunim me të, media zbuloi se ai kishte qenë në kontakt me Lee dhe kishte marrë pjesë në ngjarjet që ajo organizonte. /Telegrafi/