LAJMI I FUNDIT:

Prezantohet platforma ‘Super Puna’ që planifikon punësimin e të rinjve

Prezantohet platforma ‘Super Puna’ që planifikon punësimin e të rinjve
Foto: Ilustrim

Është prezantuar platforma “Super Puna”, e cila ka për qëllim punësimin e mbi 10 mijë të rinjve. Për këta të fundit që punësohen për herë të parë, shteti do të subvencionojë pagën minimale.

Kryeministri Albin Kurti gjatë prezantimit të platformës tha se vitin e kaluar janë zbatuar skema, me qëllim të punësimit të shumë kategorive.

“Nga sot po fillojmë pilotimin e skemës, nga kjo qeveria do të subvencionojë 264 euro për gjashtë muaj. Duke u ofruar të rinjve mundësi për të zhvilluar aftësitë e tyre, do të rritet edhe më tej ekonomia e vendit. Rininë e kemi aset të së tashmes, e potencial të së ardhmes”, ka thënë Kurti.


Ministri i Financave, Hekuran Murati theksoi se kjo skemë mundëson punësimin për të rinjtë dhe subvencionimin e pagës për gjashtë muaj.

“Mundësia është që punëdhënësi të shtojë mbi këtë shumë. Synimi ynë do të jetë që përmes kësaj platforme, që të kemi mbështetjen e 10 mijë vendeve të punës për të rinjtë prej 18 deri më 25 vjeçare. I punësuari për gjashtë muaj do të marrë pagë të garantuar nga shteti. Çka kemi bërë për të lehtësuar këtë proces? Kemi bërë një platformë automatike që automatizon shumicën e proceseve”, u shpreh Murati. /KP/