LAJMI I FUNDIT:

Prezantohet platforma për të drejtën e punës

Prezantohet platforma për të drejtën e punës

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) ka shpalosur sot platformën mbi organizimin e Projektit “Dialogut bashkëkohorë i shekullit XXI”, iniciuar nga “Energji Plus” nga Gjermania dhe “Prokult” nga Podujeva.

Nënkryetarja e BSPK-së, Leonora Lokaj, ka thënë se aktivitetet e kësaj platforme kanë për qëllim lëvizjen e lirë dhe të drejtën e punës.

“Realisht, gjithë fokusin e kemi që të bëjmë thirrje lidhur me lëvizjen e lirë dhe drejtën e punës. Dy të drejta shumë substanciale për qytetarët e këtij vendi, pastaj të drejtën të ardhurave bazë për ekzistencë për çdo qytetarë si dhe për barazinë gjinore 50/50 për qind në çdo institucion vendimmarrës të vendit tonë”, tha Lokaj.

Fatmir Muçolli, kryetar i shoqatës “Energjia Plus”, tha se ky projekt është me një vullnet pozitiv për ta zgjuar vullnetin e qytetarëve të Kosovë për dialog bashkëkohor në gjithë botën. Ai me buzë në vaj ka ftuar krerët e institucioneve të shtetit të Kosovës që ta përkrahin këtë platformë që është në të mirë të të rinjve.

“Edhe presidentit dhe të gjithë atyre që ia donë të mirën këtij vendi që të vijnë të na përkrahin, t’i dalim zot këtij vendi që mos ta lëmë rininë të ëndërroj për tokat e huaja. Andaj, të ndahemi nga gjuha e urrejtjes, të ndahemi nga arsyeja e së keqes që kjo ditë të shënohet në histori për të mirën e këtij kombi”, ka thënë Muçolli.

Drejtori “Prokult” në Podujevë, Fatmir Halimi, mbështet këtë iniciativë dhe përkrahës i aktiviteteve në vazhdimësi për dialogun bashkëkohor. Ai ka ftuar edhe shoqata tjera, të cilat numërohen të jenë diku rreth 400 që janë aktive, të bëhen pjesë e këtyre aktiviteteve

“Fatmiri është një bashkatdhetar, dhe tash jeton dhe vepron në Kosovë. Ishte ideja e tij, që ne si Shoqata kulturore dhe të shoqërisë civile të jemi bashkë dhe t’i bashkohemi kësaj nisme. Unë si kryetar i shoqatës ‘Porkult’, pa hezitim iu bashkova kësaj iniciative dhe do të jemi bartës të iniciativave të tjera”, ka thënë Halimi.

Aktivitetet e kësaj platforme do të fillojnë më 25 tetor duke filluar prej orës 18.00 deri në orën 20.00, më 26 deri 28 tetor, çdo ditë do të organizohet manifestim paqësor në Sheshin Skënderbeu në Prishtinë, duke filluar prej orës 12.00 deri 13.00. Ndërsa, më datën 28 tetor, në Pallatin e Rinisë prej orës 18.00 deri në orën 21.00 do të mbahet mbrëmje për bamirësi. /KP /Telegrafi/