LAJMI I FUNDIT:

Prezantohet ideja për zvogëlimin e rrezikut nga fatkeqësitë

Prezantohet ideja për zvogëlimin e rrezikut nga fatkeqësitë

Që nga viti 2010 Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë është duke punuar në fushën e Zvogëlimit të Rrezikut nga Fatkeqësitë duke mbështetur institucionet lokale dhe qendrore në Kosovë për të zhvilluar kapacitetet e menaxhimit të rrezikut dhe për të reaguar në raste të fatkeqësive. Për të thelluar edhe më tej angazhimin në këtë fushë, sot, Alessandra Roccasalvo, Përfaqësuese e Përhershme e UNDP-së në Kosovë, dhe Sami Mazreku, Drejtor Ekzekutiv i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës (ShSK) nënshkruan një Marrëveshje Mirëkuptimi .

Shoqata e Sigurimeve të Kosovës punon në përmirësimin e industrisë së sigurimeve brenda Kosovës, ndihmon në stabilizimin e tregut të sigurimeve, arsimon stafin e kompanive të sigurimit mbi praktikat e industrisë dhe zhvillon burimet njerëzore. Aktualisht 14 firma të sigurimeve përbëjnë Shoqatën e Sigurimeve të Kosovës.


Kjo Marrëveshje e Mirëkuptimit synon të zhvillojë bashkëpunimin ndërmjet UNDP-së dhe ShSK-së për të kuptuar konceptet e Financimit të Rrezikut dhe Programet e Transferimit të Rrezikut me fokus në sigurimin, risigurimin dhe transferimin e rrezikut të fatkeqësisë financiare midis qeverive dhe investitorëve të tregut të kapitalit.

Bashkëpunimi gjithashtu do të përqendrohet në rritjen e ndërgjegjësimit për zvogëlimin e rrezikut nga fatkeqësitë tek shoqëria civile, institucionet publike dhe organet qeveritare, si dhe do të organizojë takime me Fondin Monetar Ndërkombëtar për të diskutuar çështjet që lidhen me zvogëlim të rrezikut nga fatkeqësitë dhe Financimin e Rrezikut dhe Programet e Transferimit të Rrezikut.

Përveç kësaj, të dyja palët do të angazhohen të organizojnë takime me ministritë relevante për të iniciuar reforma ligjore në mënyrë që të krijojnë infrastrukturë më të favorshme në lidhje me operimin e zvogëlimit të rrezikut nga fatkeqësitë dhe programeve të transferimit të rrezikut. /Telegrafi/