LAJMI I FUNDIT:

Prezantimi zyrtar i Realme GT5 do bëhet me 28 gusht

Prezantimi zyrtar i Realme GT5 do bëhet me 28 gusht

Realme do ta prezantojë GT5-shin me 28 gusht, ka bërë të ditur marka në faqen e saj në Weibo.

Seria e re kryesore do jetë si festim i pesë vjetorit të hyrjes në industri të kompanisë, por këtë datë me gjasë do ta shohim vetëm GT5 bazik, teksa varianti Pro pritet të prezantohet më vonë këtë vit.


Në eventin e të hënës së ardhshme gjithashtu do shohim edhe kufjet e reja – Realme Buds Air 5, një variant me çmim më të përballueshëm në krahasim me Buds Air 5 Pro, raporton GSM Arena, përcjell Telegrafi.

Ajo çfarë dihet si e sigurt është se Realme GT5 do ta ketë të integruar çipin Snapdragon 8 Gen 2.

Ato që mbesin ende një thashethem janë kamerat dhe pamja – “teaser-i” sugjeron një konfigurim të spikatur kamerash – e ngjashme me GT Neo6 në ardhje – i cili është një dizajn që e kemi parë tashmë në OnePlus 10 dhe, në një farë mase, në Galaxy Seria S21.

Kufjet Realme Buds Air 5 do të kenë bllokues aktiv zëri me 50 decibel, një veçori kjo e cila më parë ishte ekskluzive në variantin Pro.

Posteri flet gjithashtu për reduktimin e zhurmës 4,000 Hz UW – kjo frekuencë është në rrezen e duhur të dëgjimit të njerëzve, që do të thotë se Buds-ët e rinj me sa duket do të izolojnë vetëm zërat nga tingulli i ambientit rrethues. /Telegrafi/