LAJMI I FUNDIT:

Pretendimi për një dokument joformal që rizgjon debatet për kufijtë në Ballkan

Pretendimi për një dokument joformal që rizgjon debatet për kufijtë në Ballkan

Departamenti amerikan i Shtetit i tha programit të Zërit të Amerikës në gjuhën serbe se Shtetet e Bashkuara mbështesin tërësinë tokësore të Bosnjës e Hercegovinës, respektimi i së cilës është përcaktuar me marrëveshjen e Daytonit në vitin 1995, që i dha fund luftës në atë vend.

Po të enjten, Delegacioni i Bashkimit Evropian në Bosnjë, shefat e misioneve diplomatike të vendeve anëtare të BE-së dhe komandanti i EUFOR-it lëshuan një deklaratë të përbashkët në të cilën theksohet se “BE-ja është padyshim e përkushtuar ndaj sovranitetit dhe tërësisë tokësore të Bosnjës e Hercegovinës”.



Komentet pasuan shkrimet e ditëve të fundit në Bosnjë dhe Kroaci për një dokument joformal (non-paper) me siç thuhet, propozimin për ndryshimin e kufijve ne Ballkan. Dokumentet e tilla janë joformale dhe shtrohen në negociata të mbyllura brenda institucioneve të BE-së.

Mediet kroate e boshnjake thanë se një dokument i tillë i hartuar nga kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha, i është dërguar presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel dhe në të propozohet ripërcaktimi i kufijve në Ballkanin Perëndimor si zgjidhje për problemet e hapura në rajon.

Të enjten portali slloven “Necenzurirano.si” publikoi një dokument që pretendon se është kopje e dokumentit.

Sipas atij dokumenti propozohet ripërcaktimi i kufirit të Kosovës dhe Serbisë, bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, bashkimi i pjesëve me shumicë shqiptare të Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut me Shqipërinë, mundësia e shkëputjes së Republikës Serbe nga Bosnje e Hercegovina si dhe bashkimi i një pjese të Bosnjës perëndimore me Kroacinë.

Në Bashkimin Evropian thanë disa herë se nuk kanë njohuri për një dokument të tillë.

Kryeministri slloven, Janez Jansha, vendi i të cilit do të kryesojë Bashkimin Evropian në pjesën e dytë të këtij viti, shkroi se pretendimet për një dokument të tillë janë veprime që synojnë “të dëmtojnë Slloveninë në BE”.

“Përndryshe, Sllovenia kërkon seriozisht zgjidhje për zhvillimin e rajonit dhe ardhmërinë evropiane për vendet e Ballkanit Perëndimor, ndërsa pikërisht shkrimet e tilla përpiqen ta pengojnë këtë qëllim”, shkroi ai në rrjetet sociale.


Udhëheqësja e Socialdemokratëve të Sllovenisë, Tanja Fajon, e cila ka shërbyer si deputete në Parlamentin Evropian, u paraqit të enjten në një konferencë të jashtëzakonshme me gazetarë duke i bërë thirrje kryeministrit dhe ministrisë së Jashtme që të deklarohen rreth pozicionit të Sllovenisë ndaj vendeve të rajonit.

“Politika e jashtme e përgjegjshme sllovene duhet të deklarohet dhe të mbështesë perspektivën e qartë evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, gjë për të cilën unë i bëj thirrje Janshës që sa më parë, Ballkanit Perëndimor t’ia bëjë të qartë qëndrimin, veçanërisht Bosnje e Hercegovinës. Ne kemi një mundësi të jashtëzakonshme për të rivendosur besimin midis BE-së, Sllovenisë dhe rajonit gjatë presidencës sonë”, tha Fajon.


Në Bosnjë pati shumë reagime nga myslimanët dhe kroatë ndaj çdo pretendimi për prekjen e kufijve, një çështje shumë e ndjeshme në rajonin e Ballkanit Perëndimor që ende po bën përpjekje të ripërtërihet nga pasojat e luftërave të përgjakshme në fund të shekullit të kaluar.

Nuk pati ndonjë reagim në Kosovë ku në verën e vitit 2018 qenë ngritur diskutime rreth çështjes së shkëmbimit të territoreve me Serbinë.

Ish presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në një debat në kuadër të punimeve të forumit të Alpbachut në Austri, kërkuan mbështetjen ndërkombëtare për çfarëdo marrëveshje që mund të arrihej në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, edhe nëse ajo nënkupton ndryshim kufijsh.

Presidenti serb në atë kohë kishte shpallur si politikë të tij “vënien e kufirit ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve”, që nënkuptonte ndarjen e Kosovës, me veriun që do t’i bashkohej Serbisë, ndërsa presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi angazhohej për “korrigjim kufijsh” që do të nënkuptonte bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën.

Idetë nxitën reagime të ashpra në Kosovë, por edhe në Serbi si dhe kundërshtimin e një pjese të vendeve të Bashkimit Evropian mes të cilave Gjermania ishte më e zëshmja.

Vëzhgues të pavarur në Kosovë thanë se publikimi i dokumentit të pretenduar slloven, mund të jetë një test i ri për opinionin publik në Ballkanin Perëndimor, aspiratat e të cilit për integrime evropiane ende rëndohen nga problemet e trashëguara. /VoA/

Në trend Botë

Më shumë
Çfarë janë retë artificiale dhe a shkaktuan përmbytjet e mëdha në Dubai?

Çfarë janë retë artificiale dhe a shkaktuan përmbytjet e mëdha në Dubai?

Azia
Parandalohet vrasja e Volodymyr Zelenskyt - arrestohet shtetasi polak që bashkëpunonte me rusët

Parandalohet vrasja e Volodymyr Zelenskyt - arrestohet shtetasi polak që bashkëpunonte me rusët

Evropa
Tërmet i fuqishëm në Turqi - raportohet për dëme materiale

Tërmet i fuqishëm në Turqi - raportohet për dëme materiale

Turqia
Një fshat i vogël është bërë i famshëm në Itali: Atje dielli nuk bie kurrë, por vendasit kanë një ide gjeniale

Një fshat i vogël është bërë i famshëm në Itali: Atje dielli nuk bie kurrë, por vendasit kanë një ide gjeniale

Evropa
SHBA vendos veto ndaj kërkesës së Palestinës për anëtarësim në OKB

SHBA vendos veto ndaj kërkesës së Palestinës për anëtarësim në OKB

Amerika
Shiu i madh përfshiu Dubain - rrugë të përmbytura, fluturime të anuluara

Shiu i madh përfshiu Dubain - rrugë të përmbytura, fluturime të anuluara

Azia
Kalo në kategori