LAJMI I FUNDIT:

Pretendimi për mungesën e Ringos në këngët e para të grupit The Beatles

Pretendimi për mungesën e Ringos në këngët e para të grupit The Beatles

Bernard Purdie, baterist i njohur për punën e tij me grupet si Steely Dan, pretendon se Ringo Starr nuk ka interpretuar në asnjë album të hershëm të grupit The Beatles. Më poshtë është një fragment që është përdorur në librin The Big Beat të Max Weinbergut, transmeton Telegrafi.

Weinberg: Ke interpretuar në këngët e Beatles-ave?


Purdie: Në 21 prej tyre.

Weinberg: A mund të kujtosh te cilat?

Purdie: Umm…

Weinberg: A mund t’i thuash emrat?

Purdie: Ky është një informacion të cilin nuk do ta zbuloj.

Weinberg: Pse ky sekret?

Purdie: Sepse, nëse më duhen ndonjëherë ato informacione për të fituar pak më shumë para, do ta kem atë që është e nevojshme. I përdora aftësitë e mia edhe për këngët e grupeve Animals dhe Monkees.

Weinberg: Prit pak, të gjithë e dinë që Monkees ishin grup i sajuar, por The Beatles?

Purdie: Ringo nuk vuri duart mbi tupana.

Weinberg: Ringo nuk ka interpretuar në asnjë këngë?

Purdie: Jo në këngët e hershme të Beatles-ave.

Purdie, i njohur për ritmin e tij unik të njohur si “The Purdie Shuffle”, këto pretendime të guximshme i bëri që në fund të viteve 1970. Sipas tij, “fiksimi” (rregullimi) i këngëve ishte gjë e rëndomtë për 98 për qind të grupeve të viteve 1960 dhe 1970, meqë kompanitë diskografike paguanin shumë para për sukseset e albumeve. “E kreva punën time dhe muzika e The Beatles ishte një punë tjetër për mua”.

Sipas tij, gjithçka filloi kur Brian Epstein, menaxheri i The Beatles, investoi milionat për sukses dhe atë e angazhoi për të incizuar pjesët e daulleve për 21 këngë – në studiot e Capitol-it në Nju-Jork. “Këngët incizoheshin në Angli dhe rregulloheshin në Amerikë … Nuk e dija se kush ishin The Beatles … Janë katër bateristë në albumet e grupit, Ringo nuk është në asnjërin prej tyre”.

A kontribuoi vërtet në ato këngë? Përgjigja është paksa më komplekse, meqë nuk ka asnjë provë konkrete për këtë. Stili i Ringos është i pagabueshëm – gjithmonë e dini kur është Ringo, gjë që vërehet edhe nga interpretimet në koncerte. Në mënyrë të ngjashme, mund ta identifikoni edhe prekjen unike të Purdiet.

Por, pse Bernard Purdie vazhdon me këtë histori? Kritikët e rokut thonë se janë disa shpjegime të mundshme: Mund të ketë kujtesë selektive dhe mund të jetë mashtrues që kërkon të marrë merita për suksesin e grupit më të madh të të gjitha kohërave dhe për njërin prej bateristëve më të njohur në historinë e rokut. /Telegrafi/