LAJMI I FUNDIT:

Prestigjiozja “The Guardian”: Nissan Leaf e thyen rekordin për vozitje autonome në distancën më të gjatë deri tani

Prestigjiozja “The Guardian”: Nissan Leaf e thyen rekordin për vozitje autonome në distancën më të gjatë deri tani

Vetura autonome Nissan Leaf me sukses e ka përshkuar një distancë prej 230 miljeve (370 kilometrave) – e cila është distanca më e gjatë dhe më komplekse në të cilën ka vozitur një veturë autonome në rrugët e Mbretërisë së Bashkuar deri tani.

Nissan Leaf, e cila ka GPS, radar, teknologjinë Lidar dhe kamera, ka udhëtuar nga qendra teknike e kompanisë Nissan në Cranfield, Bedfordshire, deri në Sunderland – aty ku modeli prodhohet, transmeton Telegrafi.


Nga kompania “Nissan”, zyrtarët kanë deklaruar se teknologjia e avancuar pozicionuese e veturës e lejon atë t’i analizojë gjërat përreth dhe të merr vendime se si t’i navigojë rrugët dhe pengesat.

Gjatë udhëtimit, që është quajtur “Granddrive”, vetura ka udhëtuar në rrugë të ndryshme, duke filluar nga rrugë të krahinave e deri në autostradë.

Në foto: Distanca të cilën e ka përshkuar vetura autonome Nissan Leaf

Teknologjia autonome është aktivizuar gjatë rrugëtimit kurdo që vetura është dashur të ndalet, të fillojë apo ta ndërrojë shiritin.

Projekti “HumanDrive” që kushton 13.5 milionë funte, financohet bashkërisht nga qeveria britanike dhe nga nëntë partnerë të ndryshëm, duke përfshirë kompaninë Nissan dhe Hitachi.

Synimi i këtij projekti është të zhvillohet një sistem autonom i kontrollit të veturës që ngjason me stilin natyral dhe njerëzor të vozitjes. Veturat gjithashtu janë vozitur edhe në rrugë testuese si pjesë e projektit.

Gjatë rrugëtimit prej 370 kilometrave, dy inxhinierë kanë qëndruar në veturë, ku vetura ka arritur ta përmbush targetin e vet prej 99% vet-navigim.

Shoferët shkurtimisht e kanë marrë kontrollin e veturës kur e kanë ndaluar në katër vende të ndryshme për kontrolle dhe mbushje.