Presidentja Osmani kërkon pezullimin e tarifave të importit për produktet amerikane

Presidentja Vjosa Osmani, i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës që të pezullojë tarifat e importit për të gjitha produktet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).
Në një postim në platformën X, Vjosa Osmani ka theksuar se ky hap do të forcojë marrëdhëniet ekonomike me aleatin më të afërt të Kosovës dhe do të dërgojë një mesazh të qartë për gatishmërinë e vendit drejt një partneriteti më të fuqishëm me SHBA-në.
"Jam e bindur se ky vendim do të hapë mundësi të reja për krijimin e vendeve të punës, shkëmbimin e teknologjisë dhe rritjen ekonomike afatgjatë. Më shumë sesa një lëvizje ekonomike, ky është një objektiv i politikës së jashtme, që riafirmon përkushtimin tonë ndaj aleancës së palëkundur Kosovë-SHBA", ka shkruar Osmani.
Ky propozim vjen në një kohë kur Kosova synon të forcojë marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht me SHBA-në, si një aleat historik i saj.
Ndryshe, të mërkurën në mbrëmje, Trump vendosi tarifë bazë prej 10 për qind për importet nga të gjitha vendet e botës, përfshirë Kosovën dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
Vendimi i Trumpit nxiti reagime gjithandej dhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) dhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, i bënë thirrje Kosovës më herët ta tërheqë tarifën prej 10 për qind ndaj importeve nga SHBA-ja.
Ndërsa, Rafuna paralajmëroi mundësinë e shtrenjtimit të produkteve kosovare që eksportohen në SHBA dhe, si pasojë, rënien e kërkesave për to./Telegrafi/









































