Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy që po përballet me një rritje të mprehtë të dhunës brenda dhe rreth territorit që mbahet nga rebelët e mbështetur nga Rusia dhe paralajmërimeve gjithnjë e më alarmuese se Rusia planifikon të sulmojë, i bëri thirrje të shtunën Presidentit rus Vladimir Putin për një takim dhe për përpjekje për një zgjidhje të krizës.
“Unë nuk e di se çfarë do presidenti i Federatës Ruse, kështu që propozoj një takim,” tha zoti Zelenskyy në Konferencën e Sigurisë në Mynih, ku u takua edhe me nënpresidenten amerikane Kamala Harris. Zoti Zelenskyy tha se Rusia mund të zgjedhë vendndodhjen e bisedimeve.
“Ukraina do të vazhdojë të ndjekë vetëm rrugën diplomatike për hir të një zgjidhjeje paqësore”, tha ai.
Kremlini nuk ka dhënë përgjigje.
Zoti Zelenskyy foli disa orë pasi udhëheqësit separatistë në Ukrainën lindore urdhëruan një mobilizim të plotë ushtarak të shtunën, ndërsa udhëheqësit perëndimorë bënë paralajmërime gjithnjë e më alarmante se një pushtim rus i fqinjit të tij dukej i pashmangshëm.
Ndërkohë Gjermania dhe Austria u thanë qytetarëve të tyre të largoheshin nga Ukraina. Agjencia ajrore gjermane Lufthansa anuloi fluturimet për në kryeqytetin Kiev dhe në Odessa, një port i Detit të Zi që mund të jetë një objektiv kyç në rast sulmi.
Zyra ndërlidhëse e NATO-s në Kiev tha se po zhvendoste personelin e saj në Bruksel dhe në qytetin perëndimor të Ukrainës, Lviv. Ndërkohë, zyrtarë të lartë ushtarakë ukrainas u vunë në shënjestër të një sulmi me granata gjatë një turneu në frontin e konfliktit separatist gati tetëvjeçar në Ukrainën lindore.
Zyrtarët hynë në një strehim për t’u mbrojtur nga bombat përpara se të largoheshin nga zona, sipas një gazetari të Associated Press që ishte me ta.
Dhuna në Ukrainën lindore është rritur në ditët e fundit pasi Ukraina dhe dy rajonet e mbajtura nga rebelët akuzuan njëri-tjetrin për përshkallëzim. Rusia tha të shtunën se të paktën dy predha të lëshuara nga një pjesë e kontrolluar nga qeveria e Ukrainës lindore ranë përtej kufirit, por Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba e hodhi poshtë këtë pretendim si “një deklaratë të rreme”.
Dhuna sporadike ka shpërthyer prej vitesh përgjatë vijës që ndan forcat ukrainase nga rebelët e mbështetur nga Rusia, por bombardimet e fundit mund të shkaktojnë një luftë në shkallë të gjerë.
Prej disa muajsh Shtetet e Bashkuara dhe shumë vende evropiane po thonë se Rusia, e cila ka zhvendosur rreth 150,000 trupa pranë kufirit me Ukrainën, po përpiqet të krijojë pretekste për të sulmuar.
“Ata janë gati për të goditur,” tha të shtunën Sekretari i Mbrojtjes i SHBA Lloyd Austin gjatë një vizite në Lituani.
Zonja Harris tha në fillim të takimit të saj me zotin Zelenskyy se bota ishte në “një moment vendimtar në histori”.
Zonja Harris tha se Shtetet e Bashkuara do të përforcojnë krahun lindor të NATO-s për të frenuar përparimin e mëtejshëm ushtarak rus, paralalisht me paralajmërimin për sanksione.
“Kufijtë kombëtarë nuk duhet të ndryshohen me forcë,” tha zonja Harris në Konferencën e Sigurisë në Mynih.
“Ne kemi përgatitur masa ekonomike që do të jenë të shpejta, të rënda dhe të koordinuara,” tha ajo. “Ne do të vëmë në shënjestër institucionet financiare dhe industritë kryesore të Rusisë.”
Presidenti amerikan Joe Biden tha të premten se bazuar në informacionet me të fundit të agjencive amerikane të zbulimit, ai ishte “i bindur” se presidenti rus Vladimir Putin ka vendosur të ndërhyjë në Ukrainë dhe të sulmojë kryeqytetin.
“Në këtë moment, jam i bindur se ai e ka marrë vendimin,” tha zoti Biden. “Kemi arsye ta besojmë këtë.” Ai përsëriti se sulmi mund të ndodhë në “ditët e ardhshme”.
Duke nënvizuar shqetësimet e Perëndimit për një pushtim të afërt, një zyrtar amerikan i mbrojtjes tha se rreth 40% deri në 50% e forcave tokësore të dislokuara në afërsi të kufirit ukrainas janë zhvendosur në pozicione sulmi më pranë kufirit.
Zyrtari i mbrojtjes foli në kushte anonimiteti për të diskutuar vlerësimet e brendshme ushtarake të Shteteve të Bashkuara.
Zyrtari tha gjithashtu se numri i njësive tokësore ruse të njohura si grupe taktike batalionesh në zonën kufitare kishte shkuar në 125, nga 83 dy javë më parë. Secili grup ka 750 deri në 1000 ushtarë.
Por udhëheqësit perëndimorë këmbëngulin se ka ende vend për përpjekjet diplomatike.
“Shpresojmë që ai (Putini) të tërhiqet nga pragu i konfliktit,” tha zoti Austin, duke thënë se një sulm ndaj Ukrainës mund të shmangej.
“Historia nuk është shkruar ende: ka një rrugë tjetër që qeveria ruse mund të zgjedhë në çdo kohë,” tha Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock pas një takimi të ministrave të jashtëm perëndimorë.
“Mesazhi ynë i përbashkët për ta është shumë i qartë: Mos e bëni këtë gabim fatal. Tërhiqni trupat. Le të flasim.”
Linjat e komunikimit midis Moskës dhe Perëndimit mbeten të hapura: shefat e mbrojtjes amerikane dhe ruse biseduan të premten. Presidenti francez Emmanuel Macron planifikon një telefonatë me zotin Putin të dielën. Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken dhe ministri i jashtëm rus Sergey Lavrov ranë dakord të takohen javën e ardhshme. /VOA/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëBoom, aeroplani supersonik amerikan përfundon me sukses fluturimin e parë – arrin shpejtësinë prej 1,358 kilometra në orë
SHBA-ja dërgon një numër të madh raketash të fuqishme nga Izraeli në Ukrainë
Shtëpia e Bardhë anulon memorandumin për ngrirjen e granteve dhe huave federale
Një dekan bëhet simbol i luftës së studentëve në Serbi
Lideri i demokratëve në Senat, Schumer: Trump sapo anuloi pezullimin e tmerrshëm të granteve dhe huave federale
Dënohet me 11 vjet burg ish-senatori amerikan, Bob Menendez
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?
Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Më të lexuarat
Rodrygo 'zbehet' kur mëson se me kë mund të luajë Real Madridi në play-off të Ligës së Kampionëve
Kush me kë takohet në sistemin noukaut, ndërsa dihen edhe kundërshtarët e mundshëm në play-off të Ligës së Kampionëve
Gjesti i dërgon letër me mesazhin e koduar Eglit - fansat dyshojnë se përmbajtja e tij është vulgare
Edhe pas mbarimit të spektaklit, Atilla Kardesh publikon fotografi i shoqëruar nga Rovena dhe Besforti
SHBA-ja dërgon një numër të madh raketash të fuqishme nga Izraeli në Ukrainë
Shtëpia e Bardhë anulon memorandumin për ngrirjen e granteve dhe huave federale