Presidenti i Nigerisë, Bola Ahmed Tinubu, gjatë një vizite zyrtare në Turqi me ftesë të homologut Recep Tayyip Erdogan, pësoi një incident të vogël pas përfundimit të ceremonisë zyrtare të mirëseardhjes.

Teksa po largohej nga zona e ceremonisë, ai u pengua në tapetin e shtruar për pritjen dhe ra për një çast, duke shkaktuar shqetësim mes të pranishmëve.


Stafi i sigurisë dhe bashkëpunëtorët e tij reaguan menjëherë për ta ndihmuar, ndërsa presidenti u ngrit shpejt dhe vazhdoi programin pa pasoja serioze.

Incidenti ndodhi pas ceremonisë protokollare dhe nuk ndikoi në agjendën zyrtare të vizitës, e cila synonte forcimin e marrëdhënieve dypalëshe mes Nigerisë dhe Turqisë.

Ndryshe, vëllimi i tregtisë dypalëshe arriti në 688.4 milionë dollarë (29.88 miliardë lira turke) gjatë 11 muajve të parë të vitit 2025. Kur përfshihet edhe tregtia e energjisë, Nigeria u bë partneri më i madh tregtar i Turqisë në Afrikën Subsahariane gjatë atij viti.

Më shumë se 50 kompani turke operojnë në Nigeri, me investime të vlerësuara rreth 400 milionë dollarë.

Turqia eksporton në Nigeri hekur dhe çelik, makineri, tekstile, produkte ushqimore dhe mobilie, ndërsa importon naftë të papërpunuar dhe produkte bujqësore. /Telegrafi/