Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka konfirmuar se Irani do të marrë pjesë në Kupën e Botës 2026 dhe do t’i zhvillojë ndeshjet e tij edhe në Shtetet e Bashkuara, pavarësisht tensioneve gjeopolitike që kanë ngritur pikëpyetje për pjesëmarrjen e përfaqësueses iraniane.

Duke folur të enjten në Kongresin e FIFA-s në Vankuver (British Columbia), Infantino iu përgjigj pasigurive që u shfaqën pas nisjes së sulmeve ajrore të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit në fund të shkurtit.


“Dua ta nis duke e konfirmuar menjëherë… se sigurisht Irani do të marrë pjesë në Kupën e Botës 2026”, deklaroi Infantino, duke marrë duartrokitje nga delegatët.

“Dhe sigurisht Irani do të luajë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës… sepse ne duhet të bashkojmë. Duhet t’i afrojmë njerëzit”.

Irani ishte i vetmi nga 211 federatat anëtare të FIFA-s që nuk u përfaqësua në këtë kongres, pasi delegacioni i tij zgjodhi të mos udhëtonte, pas raportimeve se një anëtari të grupit i ishte refuzuar hyrja në Kanada.

Më herët, presidenti amerikan Donald Trump kishte sugjeruar se do të ishte “e papërshtatshme” që iranianët të garonin “për jetën dhe sigurinë e tyre”.

Sipas planit aktual, Irani do të luajë dy ndeshje të fazës së grupeve në Inglewood, Kaliforni dhe një në Seattle, ndërsa ndeshja hapëse ndaj Zelandës së Re është planifikuar më 15 qershor në Los Angeles.

Edhe pse Irani nuk ndodhet në të njëjtin grup me SHBA-në, të dy ekipet mund të përballen në fazën eliminatore nëse përfundojnë të dytat në grupet e tyre. Përballja më e hershme e mundshme do të ishte të premten, më 3 korrik, në Arlington (Teksas), një ditë para festës së Pavarësisë së SHBA-së./Telegrafi/

telegrafi sport app