Presidenti finlandez Sauli Niinisto mbrojti vendimin e vendit të tij për t’u anëtarësuar në NATO veçmas nga Suedia fqinje, duke argumentuar se refuzimi i Turqisë për të ratifikuar kandidaturën e Finlandës do të ishte problematik, shkruan sot agjencia gjermane dpa.

“A duhet ta kishim refuzuar ratifikimin turk? Kjo tingëllon pak e çmendur. Nëse do t’i kishim thënë ‘jo’ Ankarasë, do të kishte qenë një situatë shumë problematike”, tha Niinisto në një intervistë të dhënë për transmetuesin publik suedez SVT.

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, njoftoi të premten se qeveria e tij do të nisë procesin e ratifikimit për Finlandën, por jo për Suedinë.

Reklama

Pas dekadash neutraliteti, dy vendet skandinave aplikuan për anëtarësim në NATO vitin e kaluar e kaluar pas pushtimit rus të Ukrainës, transmeton Telegrafi.

Reklama

Stokholmi dhe Helsinki e kanë bërë të qartë se duan t’i bashkohen NATO-s, mirëpo Turqia vazhdon të bllokojë pranimin e Suedisë për shkak të refuzimit të Suedisë për të ekstraduar 120 persona që Ankaraja i konsideron terroristë.

Hungaria ende duhet të ratifikojë kërkesën e Finlandës dhe një vendim për këtë pritet më 27 mars. /Telegrafi/