LAJMI I FUNDIT:

Prekazi: Punëtorët e Ujmanit paguhen nga Kosova dhe Serbia (Video/Foto)

Prekazi: Punëtorët e Ujmanit paguhen nga Kosova dhe Serbia (Video/Foto)

Arbëror Prekazi, ish drejtor i Njësisë Afariste Uji dhe Centrali Elektrik në Ibër Lepenc, tashmë pensionist, në një intervistë për Telegrafin ka folur për rëndësinë e liqenit të Ujmanit, në Zubin Potok.

Prekazi ka thënë se rëndësia e liqenit të Ujmanit është shumë e madhe pasi furnizon me ujë pjesën qendrore të Kosovës, nëpërmjet kanalit Pridvoricë-Obiliq.


Ai tregoi se Ujmani është akumuluesi më i madh në Kosovë, ku sipas tij kapaciteti maksimal është 375 milionë metra kub ujë, ndërsa kapaciteti i shfrytëzueshëm është diku rreth 350 milionë metra kub ujë.


Arbëror Prekazi, ish drejtor i Njësisë Afariste Uji dhe Centrali Elektrik në Ibër Lepenc

Prekazi tha se sipërfaqja e gjithmbarshme e liqenit të Ujmanit është 11.9 km katror, ku  9.2 km katror i takojnë Kosovës dhe 2.7 km katror Serbisë.

“Rëndësia është shumë e madhe për Kosovën duke pas parasysh që uji nga akumulimi Ujman, nëpërmjet kanalit Pridvoricë- Obiliq, furnizon pjesën qendrore të Kosovës me ujë të papërpunuar. Ujmani është akumulimi më i madh në Kosovë. Kapaciteti maksimal është 375 milionë metra kub ujë, ndërsa kapaciteti i shfrytëzueshëm është diku rreth 350 milionë metra kub ujë”, tregoi Prekazi për Telegrafin.


Liqeni i Ujmanit

I pyetur nëse duhet të diskutohet pronësia e liqenit të Ujmanit në dialogun Kosovë-Serbi në Bruksel, ai e kundërshtoi një gjë të tillë, pasi, siç tha ai, Ujmani është aset shumë i rëndësishëm për Kosovën.

“Më e mirë është që fare mos të diskutohet. Ky është një aset me rëndësi, është aset i Kosovës. Dhe atje ku është ndërtuar penda, e të gjithë këto janë pronë e Ibër Lepencit, pronë e Kosovës, pronë e qeverisë, sepse Ibër Lepenci është ndërmarrje publike. Është pronë e qeverisë dhe për atë ekzistojnë dokumente që ajo pronë është e shpronësuar, pronë e sistemit ‘Ibër Lepenc’”, ka thënë ndër të tjera Prekazi.

Ish drejtori i Njësisë Afariste Uji dhe Centrali Elektrik në Ibër Lepenc tregoi po ashtu edhe për rrezikshmërinë që do të kishte ky liqen, nëse nuk do të ishte pjesë e Kosovës.


Arbëror Prekazi, ish drejtor i Njësisë Afariste Uji dhe Centrali Elektrik në Ibër Lepenc

Prekazi tha se pos rëndësisë të furnizimit me ujë, liqeni i Ujmanit furnizon termocentralin më të madh në Kosovë “Kosova B”, e cila furnizon tërë Kosovën me energji elektrike.

“Sistemi i Ibër Lepencit shtrihet në shtatë komunë Zubin Potok, Mitrovicë, Vushtrri, Prishtinë, Obiliq, Fushë Kosovë dhe Drenas. Të gjitha këto komuna marrin ujë nga ky kanal. Do të rrezikoheshin të gjitha këto komuna që marrin ujë si për ujitje dhe ujë të pijshëm. Duke marrë parasysh që KEK-u, ‘Kosova B’, është termocentrali i vetëm në Kosovë i cili furnizon tërë Kosovën me energji elektrike, atëherë kjo do të thotë që e tërë Kosova do të ishte në rrezik. Dhe me atë do të vinte në pikëpyetje edhe furnizimi i ‘Kosova e Re’, apo si është quajt atëherë ‘Kosova C’”, potencoi ai për Telegrafin.

Prekazi tregoi për Telegrafin se sa punëtorë janë në liqenin e Ujmanit dhe si paguhen ata.

“Unë kam filluar punën në fund të vitit 2005. Atëherë në Ujman i kam pasur 44 punëtorë, të gjithë kanë qenë të nacionalitetit serb. Ka pas dhe shqiptarë që kanë punuar aty, edhe në hidrocentral, pendë, kanal, por i kanë tërheq për shkak sigurie dhe shqiptarët i kanë vendosur nëpër vende tjera të punës në kuadër të Ibër Lepencit. Herën e fundit që kam nënshkruar për rrogat e punëtorëve, në qershor kanë qenë diku rreth 25 punëtorë të kombësisë serbe në Ujman… Këta paguhen nga shteti i Kosovës, por edhe nga ai i Serbisë”, tha mes tjerash ish drejtori i Njësisë Afariste Uji dhe Centrali Elektrik në Ibër Lepenc, Arbëror Prekazi.

Ai gjithashtu tha se në liqenin e Ujmanit është formuar edhe një strukturë paralele, të cilët punëtorë paguhen nga shteti i Serbisë.

“Janë diku rreth 20 punëtorë të cilët e kanë edhe udhëheqësin e tyre që paguhen prej EPS-it, (Electro Privada Serbia), nga Serbia”, shtoi Prekazi për Telegrafin. /Telegrafi/