Ka filluar asfaltimi i rrugës “Ali Zeneli” në Mitrovicë, gjatë ditës së djeshme.

Sipas kryetarit të Komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza, me asfaltimin e kësaj rruge Mitrovica po bëhet edhe me funksionale, shkruan Telegrafi.


Hamza këtë e cilësoi si “premtim të mbajtur”.

“Rruga ‘Ali Zeneli’, një tjetër premtim i mbajtur. Me përfundimin e punimeve në këtë rrugë tejet të rëndësishme për qytetin tonë, ku tashmë ka mbetur vetëm edhe ndriçimi e sinjalizimi, Mitrovica është duke u bërë edhe më funksionale dhe më modern”, ka thënë Hamza.

Ai u shpreh se kjo rrugë ishte e shumëpritur prej vitesh dhe se tashmë është realitet.

“I falënderoj të gjithë mitrovicasit për durimin, mirëkuptimin dhe bashkëpunimin në hapjen e kësaj arterie të re për Mitrovicën tonë!”, ka thënë ai.

Kjo rrugë, më shumë se dy dekada, ishte e pa-asfaltuar dhe paraqiste problem për familjet që jetojnë në atë zonë.

Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe Infrastrukturës në Komunën e Mitrovicës, Granit Tmava pati bërë të ditur për Telegrafin se buxheti i ndarë për këtë projekt është një milion euro.

“Buxheti për ndërtimin dhe rregullimin e rrugës ‘Ali Zeneli’ ka shumën një milion euro. Është një projekt që ka zgjatur tre vite, është drejt përfundimit brenda këtij viti”, kishte thënë Tmava. /Telegrafi/