LAJMI I FUNDIT:

Prapaskenat e sulmit terrorist në Banjskë, flasin analistë e diplomatë amerikanë

Prapaskenat e sulmit terrorist në Banjskë, flasin analistë e diplomatë amerikanë

Hetimi i plotë i sulmit në fshatin Banjskë dhe dënimi i autorëve janë kërkesat kryesore të Shteteve të Bashkuara dhe të bashkësisë ndërkombëtare, pas përleshjes mes një grupi të armatosur serb dhe policisë së Kosovës në veri të Kosovës, ku në të paktën katër persona u vranë.

Ndërsa Bashkimi Evropian e karakterizon sulmin si terrorist, kurse autoritetet e Kosovës e lidhin atë drejtpërdrejt me Beogradin dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, por autoritetet atje mohojnë kategorikisht çdo përfshirje – duke pretenduar se është një veprim nga serbët e Kosovës, të cilët, pasi u mposhtën [nga Policia e Kosovës] lanë pas vetes një sasi të konsiderueshme armësh dhe pajisjesh.


Përveç viktimave në njerëz, një polic i Kosovës dhe të paktën tre sulmues serbë, sulmi pati një ndikim shkatërrues edhe në procesin e negociatave të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian dhe të ndihmuar nga Shtetet e Bashkuara.

“Incidenti në të cilin u vra një polic i Kosovës ishte projektuar për të provokuar një përgjigje nga pala kosovare – ndaj së cilës Serbia do të reagonte më pas. Mendoj se është e nevojshme të bëhet presion mbi Beogradin që të bëjë gjithçka që është e mundur për të parandaluar skenarë dhe provokime të tilla. Nuk besoj se një gjë e tillë do të ndodhte nëse do të kishte një mesazh të qartë se një gjë e tillë nuk është e mirëseardhur. Gjithashtu, është e nevojshme që të dyja palët të përpiqen të qetësojnë pasionet dhe të mos ndërmarrin asgjë që pala tjetër do ta konsideronte si provokim – që do të shkaktonte një lloj reagimi”, tha për Zërin e Amerikës (edicioni në gjuhën serbe) diplomati amerikan në pension, Kurt Volker.

Gjatë ditëve të fundit nga Uashingtoni dhe Brukseli erdhën dënime të ashpra dhe thirrje për të ndëshkuar sa më parë përgjegjësit dhe organizatorët [e sulmit terrorist në veri]. Por – edhe për t’i dhënë fund procesit paralel që u zhvillua në kufirin e Serbisë dhe Kosovës, në formën e dislokimit të një numri të konsiderueshëm ushtarësh serbë, përcjell Telegrafi.

“Që kur kemi njoftuar se kemi parë forcat serbe në kufi, kemi parë edhe që kanë filluar t’i tërheqin. Është një gjë e mirë që do të ndihmojë në lehtësimin e tensionit. Nuk do t’i eliminojë plotësisht, por do t’i ndihmojë në qetësimin e tyre”, ishte një nga observimet e Shtëpisë së Bardhë, të cilën e përcolli në publik John Kirby – zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ditët e mëparshme.

Megjithatë, pala serbe realitetin e sheh ndryshe. Sulmi i grupit të armatosur ndaj forcave të sigurisë së Kosovës interpretohet si revoltë e serbëve vendas kundër terrorit të pretenduar të qeverisë së kryeministrit Albin Kurti, ndërsa mohohen pretendimet për grumbullimin e trupave në kufirin me Kosovën.

Megjithatë, zyrtarët shpejt njoftuan se numri i ushtarëve në jug të Serbisë drejt kufirit me fqinjin e saj ishte zvogëluar në mënyrë drastike – madje edhe më shumë se përgjysmuar.

​“Pas telefonatave nga Uashingtoni, Serbia filloi të tërhiqej. Numri i ushtarëve u reduktua nga më shumë se tetë mijë në rreth katër mijë – që përkon me numrin e ushtarëve të KFOR-it në Kosovë. Më duket se Serbia tani është në fazën e de-eskalimit. Megjithatë, këtë e kemi parë edhe më parë. Kishte ulje e ngritje. Askush nuk mund të parashikojë nëse do të ketë incidente të tjera – kur gjithçka të kthehet në fillim”, tha Dmitar Bechev – bashkëpunëtor i Qendrës Amerikane joqeveritare të Këshillit Atlantik për Euroazi.

Sulmi në Banjskë nga autoritetet kosovare ndër të tjera interpretohet si pjesë e planit më të gjerë të Serbisë për aneksimin e veriut të Kosovës. Përveç dyshimeve për përgjegjësinë e drejtpërdrejtë të Beogradit, ata nuk përjashtojnë përfshirjen e Rusisë, të cilën e cilësojnë si partnere të Serbisë në destabilizimin e Ballkanit.

“Ballkani është një vend shumë i përshtatshëm për Vladimir Putinin që të fokusohet në plagët e pashëruara ende – sepse ai e kupton shumë mirë rëndësinë e tensioneve etnike dhe identiteteve të ndryshme. Sigurisht, kjo nuk do të ishte e mundur pa ndihmën e Beogradit dhe vendeve të tjera në rajon. Dhe ky është vetëm një nga treguesit se çfarë po ndodh realisht në Ballkan – sepse përshkallëzimi nuk është vetëm mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe në Bosnjë. Polarizimi politik është aktual edhe në Mal të Zi – që është një ëndërr e realizuar për Moskën”, vlerëson Ivana Stradner nga Fondacioni joqeveritar amerikan për mbrojtjen e demokracisë, përcjell Telegrafi.

Për momentin nuk ka asnjë konfirmim të pretendimeve për përfshirje direkte të Beogradit apo përfshirjes së Rusisë dhe publiku është në pritje të rezultateve të hetimit të autoriteteve kosovare, në të cilat përkundër thirrjeve publike, Beogradi zyrtar nuk merr pjesë. Aktualisht, e vetmja gjë që është e sigurt është se Milan Radoiçiq ka marrë përgjegjësinë e plotë për organizimin dhe kryerjen e sulmit. Radoiçiq ishte nënkryetar i Listës Serbe [ dha dorëheqje pas organizmit të sulmit terrorist në veri], partia më e madhe politike e serbëve të Kosovës e lidhur me autoritetet në Serbi, i cili është nën sanksione nga Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar – për shkak të akuzave për krim të organizuar.

Ai u lirua nga paraburgimi në Beograd pas më pak se një dite. Gjatë marrjes në pyetje në prokurori, ai pranoi organizimin e sulmit, duke pohuar njëkohësisht se nuk mendon se ka kryer vepër penale.

“Autori i dhunës që ka pranuar krimin duhet të ndiqet penalisht, jo të trajtohet si hero. Kjo duhet të vlejë për të gjitha shtetet. Për mendimin tim, komuniteti ndërkombëtar duhet të bëjë gjithçka për të kryer një hetim objektiv. Kjo nënkupton miratimin e EULEX-it për të hetuar Radoiçiqin”, tha diplomati amerikan në pension Thomas Countryman, përcjell Telegrafi.

Para sulmit vdekjeprurës ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, autoritetet kosovare dhe veçanërisht kryeministri Albin Kurti, ishin nën presion të konsiderueshëm nga Perëndimi për të bërë një përparim në dialog dhe për të mundësuar themelimin sa më shpejt të jetë e mundur Asociacionin e komunave me shumicë serbe, për të cilën është rënë dakord në Marrëveshjen e Brukselit një dekadë më parë.

Madje dukej se Serbia gjatë dy viteve të fundit ka pasur një pozitë më të relaksuar në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe në marrëdhëniet me ndërmjetësit në dialog krahasuar me Kosovën. Në varësi të rezultateve të hetimeve për sulmin në Banjskë, ekziston mundësia që Serbia të gjendet nën një lloj masash kufizuese, siç është Kosova, ndaj së cilës ato janë aplikuar për shkak të mosgatishmërisë së saj për të kontribuar në përparimin e dialogut të bllokuar.

“Ne pamë që Serbisë iu kërkua të tërhiqte ushtrinë e saj nga kufiri. Mendoj gjithashtu se emërimi i Jim O’Brien (Ndihmës Sekretarit të Shtetit të sapoemëruar të SHBA-së për Evropën dhe Euroazinë) do të sjellë një pamje më të freskët të gjithçkaje. Duhet pritur dhe parë se si do të pozicionohet në lidhje me pasojat e këtyre ngjarjeve. Mendoj se kjo është e mundur”, përfundon Kurt Volker, ish-ambasadori i SHBA-së në NATO.

Gjatë asaj kohe, në përshkallëzimin e fundit, më së shumti e pësuan qytetarët. Sipas informacioneve të fundit nga Banjska, ende nuk ka rifilluar mësimi në shkollën e fshatit, vendasit mezi dalin nga shtëpitë e tyre- dhe e vetmja gjë që duan dhe kërkojnë është një bashkëjetesë paqësore me fqinjët e tyre shqiptarë. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Kosova në KiE dhe rezoluta për Srebrenicën, mediat rajonale:  Vuçiq e pranoi zyrtarisht humbjen

Kosova në KiE dhe rezoluta për Srebrenicën, mediat rajonale: Vuçiq e pranoi zyrtarisht humbjen

Lajme
Peci: Nëse draft-statuti nuk dërgohet në Kushtetuese, procesi i anëtarësimit të Kosovës në KiE nuk do të hyjë as në rend të ditës

Peci: Nëse draft-statuti nuk dërgohet në Kushtetuese, procesi i anëtarësimit të Kosovës në KiE nuk do të hyjë as në rend të ditës

Lajme
Çitaku: Memli Krasniqi ka pasur kontakte me Vetëvendosjen për ta shpërndarë Kuvendin

Çitaku: Memli Krasniqi ka pasur kontakte me Vetëvendosjen për ta shpërndarë Kuvendin

Lajme
Kryeministri malazez, Spajiq: Nuk do të heqim dorë nga NATO-ja dhe njohja e Kosovës

Kryeministri malazez, Spajiq: Nuk do të heqim dorë nga NATO-ja dhe njohja e Kosovës

Lajme
Kushtëzimi me Asociacionin, Kurti s’flet për qëndrimin e Gjermanisë rreth anëtarësimit të Kosovës në KiE

Kushtëzimi me Asociacionin, Kurti s’flet për qëndrimin e Gjermanisë rreth anëtarësimit të Kosovës në KiE

Lajme
Publikohet dosja, si e rekrutoi inteligjenca ruse Mikhail Zorin të vinte në Shqipëri dhe të mblidhte informacione

Publikohet dosja, si e rekrutoi inteligjenca ruse Mikhail Zorin të vinte në Shqipëri dhe të mblidhte informacione

Lajme
Kalo në kategori