Ndërtimi i centralit të parë bërthamor të Polonisë do të fillojë tani, pasi Komisioni Evropian miratoi kërkesën e Varshavës për të ndarë 14.2 miliardë euro ndihmë shtetërore për projektin.

Vendimi u mirëprit nga kryeministri Donald Tusk, i cili tha në një mbledhje të kabinetit se kjo do të thotë që “ndërtimi do të jetë në gjendje të fillojë menjëherë”, që këtë muaj.


Centrali bërthamor, i cili do të ketë një kapacitet deri në 3.75 gigavat (GW), do të ndërtohet në bregdetin verior të Detit Baltik të Polonisë.

Pritet të fillojë funksionimin në gjysmën e dytë të viteve 2030.



Komisioni vuri në dukje se projekti bërthamor “luan një rol qendror në strategjinë e Polonisë për dekarbonizimin e prodhimit të energjisë elektrike”.

Aktualisht, mbi gjysma e energjisë elektrike të Polonisë gjenerohet nga qymyri, përqindja më e lartë në BE, por Varshava po kërkon të kalojë drejt energjisë bërthamore dhe burimeve të rinovueshme.

14.2 milionë euro që do të shpenzohen për projektin midis viteve 2025 dhe 2030, do të mbulojnë rreth 30% të kostove totale të vlerësuara, ndërsa pjesa tjetër do të financohet nëpërmjet huamarrjes nga institucione financiare, kryesisht të huaja.

Ndër subjektet që kanë premtuar tashmë financim janë Korporata e Financimit për Zhvillim Ndërkombëtar e Shteteve të Bashkuara (DFC) dhe Banka e Eksport-Importit e Shteteve të Bashkuara.

Kompania shtetërore polake Polskie Elektrownie Jądrowe (PEJ) është ngarkuar me ndërtimin e uzinës, duke punuar së bashku me një konsorcium të përbërë nga kompanitë amerikane Westinghouse, e cila po ofron teknologjinë, dhe Bechtel, i cili është kontraktori i ndërtimit. /Telegrafi/