Policia vazhdon aksionet në veri, arrestohet një person dhe sekuestrohet sasi e madhe armatimi

Policia e Kosovës ka zhvilluar kontrolle dhe bastisje të reja në rajonin e Mitrovicës së Veriut, në kuadër të hetimeve të vazhdueshme për posedim të paautorizuar të armëve.
Aksionet janë ndërmarrë në dy lokacione në komunën e Zveçanit, ku janë sekuestruar armë, municion dhe pajisje të ndryshme ushtarake.
Në Rastin III, gjatë kontrollit në një shtëpi banimi në lagjen Korile, komuna Zveçan, pronari i shtëpisë ka deklaruar se dy armët të cilat i kishte me leje të UNMIK-ut i kishte dërguar në Serbi, ndërkohë që në shtëpinë e tij është gjetur dhe sekuestruar një sasi e vogël e municionit.
Bazuar në dyshime të arsyeshme dhe informata operative, Policia ka realizuar bastisje shtesë në objekte përcjellëse të të dyshuarit, duke u mbështetur në Nenin 108 të Kodit të Procedurës Penale, paragrafi 1.5, për të parandaluar "shitjen, asgjësimin apo humbjen e menjëhershme të provave".
Gjatë bastisjes janë sekuestruar një sasi e konsiderueshme e armatimit dhe materialeve eksplozive, duke përfshirë:
-Dy karikatorë për armë të gjatë, 49 detonatorë elektrik,
-Një thikë dhe një këllëf për armë të gjatë,
-Një fishek me mbishkrim ne baze PPU 8x75 IS
-Një fitil ngadalë ndezës për eksploziv bashkë me një detonator mekanik
-Gjashtë (6) detonator elektrik 4 (katër) nga ta të rinj
-Dy (2) paketime sfera (thashme) që shërbejnë për mbushje te fishekëve te gjuetisë
-Makineria për mbushje municioni
-Pjesë shtuese për armë të gjatë, për trombllon
-Tel i cili shfrytëzohet për iniciues të detonatorëve
-Armë e gjatë e çmontuar me nr. Serik K - 414675 me dy karikator me municion të plotë me gjithsej 60 fishekë të kalibrit 7.62x39
-Tridhjetë e pesë (35) kutia të mbyllura me municion me mbishkrim ne baze “IK 89”(35x15=525fishek te kalibrit 7.62x39)
-Pesëdhjetë e nëntë (59) fishekë me mbishkrim në baze “E”
-Gjashtëdhjetë e pesë (65) fishek për armë të gjatë me mbishkrim në baze “IK 89”
-Pesëdhjetë (50) fishekë për pistoletë me mbishkrim në bazë “PPU 9mm LUGER”
-Dy (2) karikator për armë të gjatë pa municion
-Pajisje distancë matës
-Thikë për pushkë bajonetë
Personi i dyshuar, S.G., 73 vjeç, është arrestuar dhe pas intervistimit në prani të avokatit mbrojtës, me urdhër të prokurorit të shtetit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë në qendrën e mbajtjes.
Ndaj tij është iniciuar rasti penal për "Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve".
Në Rastin VI, në një tjetër kontroll të zhvilluar në një shtëpi banimi në rrugën "Prote Stojana" në Zveçan, janë gjetur dhe sekuestruar: një pushkë gjuetie, 12 fishekë të pushkës së gjuetisë, 15 gëzhoja të kalibrave të ndryshëm, 2 sfera të fishekëve të gjuetisë dhe një rrip për mbajtjen e fishekëve.
Lidhur me këtë rast, nuk është arrestuar asnjë person, por Policia njofton se "është në interes të saj që të intervistohet një person si i dyshuar".
Edhe në këtë rast është iniciuar procedura penale për "Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve".
Policia rajonale apelon te qytetarët që të respektojnë ligjin dhe të dorëzojnë armët e paautorizuara.
"Çdo armë e cila mbahet pa leje të vlefshme konsiderohet e kundërligjshme, prandaj qytetarët inkurajohen të paraqiten në stacionet policore për të kryer procedurat për vazhdimin e lejeve të armëve", thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës. /Telegrafi/


















































