Me qëllim të parandalimit dhe vetëdijesimit të nxënësve për rreziqet që sjell përdorimi i substancave narkotike, zyrtarë të Stacionit Policor në Vushtrri kanë mbajtur ligjërata informuese në shkollat fillore dhe të mesme të kësaj komune.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, këto ligjërata kanë për synim rritjen e vetëdijes së nxënësve për pasojat që sjell përdorimi i drogave, si dhe për rolin që luan Policia në parandalimin dhe trajtimin e rasteve të kësaj natyre, përcjell Telegrafi.




Gjatë prezantimeve, nxënësit janë njoftuar me detyrat dhe përgjegjësitë e policisë në fushën e parandalimit, reagimit dhe trajtimit të rasteve që lidhen me përdorimin apo shpërndarjen e substancave narkotike.

Policia e Kosovës ka theksuar se angazhimet për ofrimin e sigurisë, këshillimit dhe edukimit të nxënësve do të vazhdojnë gjatë tërë vitit shkollor, si pjesë e aktiviteteve parandaluese në bashkëpunim me institucionet arsimore. /Telegrafi/